E Diel, 1 Nëntor 2026

Lionel Mesi, i sigurt: Interi? Do të jetë një tjetër histori

Barcelona

Pasi shkatërroi Arsenalin me 4 gola dhe një paraqitje superlative, Lionel Mesi qëndron me këmbë në tokë dhe, mbi të gjitha, nuk e humbet përqendrimin në prag të gjysmëfinales së Champions League kundër Interit të Murinjos. Barça është përballur me zikaltërit në grup, ku barazoi 0-0 në San Siro dhe i mundi 2-0 në Kamp Nou, por tani Mesi paralajmëron se “do të jetë një tjetër histori”. “Interi është një skuadër e ngjeshur, shpjegon argjentinasi. Do të jetë një histori krejtësisht e ndryshme në krahasim me grupin. I njohim lojtarët e tyre dhe lojën e tyre. Do të jetë një sfidë emocionuese”. Mesi ishte protagonisti absolut i fitores spektakolare ndaj Arsenalit në çerekfinale, por “pleshti” nuk kënaqet. Pas një triplete në kampionat dhe një pokeri në Champions, duket se talenti i blaugranëve nuk ka limit. “Duhet të vazhdoj të përmirësohem, thotë Mesi, sepse jam mjaft me fat që luaj te një grup lojtarësh që më duan dhe që flasin mirë për mua”. “Pasi shënova tre gola, erdhi i katërti, vazhdon ai, dhe është gjithnjë e bukur të shënosh në ndeshje të rëndësishme. Por herën tjetër shënoi Ibra, pastaj e bëri Pedro. E rëndësishme mbetet gjithnjë të shënojmë. Dhe golat vijnë gjithnjë falë punës së gjithë skuadrës”. Sezoni fantastik i “Pleshtit”, bën të ditur vetë Mesi, është i lidhur edhe me pozicionin e tij të ri në fushë, gati një fantazi pas sulmuesit. “Në mes mendoj se e shikoj më mirë topin, shpjegon ai, jam afër lojtarëve që menaxhojnë më shumë topin dhe sulmojnë nga mbrapa”. Por përtej moduleve dhe pozicioneve, sekreti i një kampioni është gjithnjë argëtimi. “Më pëlqen të luaj futboll, shton Mesi, ndihem mirë dhe argëtohem duke luajtur me skuadrën. Për Real Madridin do të mendojmë në momentin e duhur. Jemi në garë për objektiva të rëndësishme dhe do të luftojmë për t’i fituar”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›