Shefi Zbogar

Bashkimi Europian ka emëruar Ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, Samuel Zbogar në krye të Zyrës së BE’së në Kosovë, në kuadër të emërimeve për Shërbimin Europian për Veprime të Jashtme.
Kjo është bërë e ditur nga Përfaqësuesja e Lartë e BE’së, Catherine Ashton nëpërmjet një komunikate për media.
Ashton ka bërë të ditur se përveç Zbogarit, ka emëruar edhe Aivo Oravin në krye të delegacionit të BE’së në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë si dhe John Gatt –Rutter si përfaqësues të BE’së në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, dhe për agjencinë e OKB’së UNRWA.
Më pas, ajo ka lavdëruar përzgjedhjen që ka bërë.
“Jam shumë e lumtur për emërimin e kandidatëve kaq të fortë në postet kyçe të Shërbimit Europian për Veprime të Jashtme. Ata sjellin përvoja dhe ekspertizë të veçantë në rolet e tyre të reja dhe do të jenë kyçë derisa ne vazhdojmë të ndërtojmë shërbimin. Jam e impresionuar me kalibrin e lartë të kandidatëve. Mundësia për të përfaqësuar shërbimin diplomatik të BE’së vazhdon të tërheqë diplomatë më të mirë”, ka thënë Ashton.
Ajo ka treguar edhe për karrierën e ministrit të Jashtëm slloven duke rikujtuar se ai ka gëzuar një karrierë të dalluar në Ministrinë e Jashtme të Sllovenisë përfshirë edhe shërbimin 4’vjeçar si ambasador më SHBA.
Po ashtu, fjalë të mira ka thënë edhe për dy emërimet e tjera që ka bërë.
BE’ja ka njoftuar se këto emërime do të konfirmohen pas pajtimit të vendeve nikoqire dhe formaliteteve administrative.
Sipas njoftimeve, Zbogar mund të fillojë punën e tij në Kosovë, diku në shkurt të vitit të ardhshëm, duke ia zënë vendin ushtruesit të detyrës së Përfaqësuesit Special të BE’së, diplomatit italian, Fernando Gentilini, i cili tashmë ka disa muaj në Kosovë.
Zëvendësimi i Gentilinit ishte paraparë në fund të muajit tetor, ndërkohë që kjo është shtyrë deri në janar të 2012’ës nga Këshilli i BE’së, i cili nuk ka mundur të sigurojë zëvendësim më herët.
Baronesha Ashton, ndërkaq ka kohë që është në kërkim të një kandidati për ta emëruar në krye Zyrës së BE’së në Kosovë, e cila tash e tutje do ta udhëheqë tërë praninë europiane në Kosovë.
Aktualisht BE’ja është duke u përfaqësuar në Kosovë përmes Zyrës së Misionit për sundimin e rendit dhe ligjit, EUELX, asaj të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar si dhe Zyrës ndërlidhëse të Komisionit Europian.
Sipas Traktatit të Lisbonës, me krijimin e Veprimit Europian të Shërbimit të Jashtëm (EEAS), BE’ja, aty ku ka përfaqësues të posaçëm, duhet të ketë edhe shef të Zyrës së Komisionit Europian.
Ndërsa pamundësia e BE’së për ta trajtuar Kosovën si shtet, si pasojë e mosnjohjes së pavarësisë nga pesë shtete anëtare të saj, ka penguar formalisht krijimin e Zyrës së KE’së në Prishtinë.
Ndryshe, emërimi i Zbogarit si Përfaqësuesi Special të BE’së për Kosovën shënon edhe postin e parë për Slloveninë në kuadër të politikës së jashtme europiane.
Emërimi i tij vjen pas disa kritikave që Sllovenia ia kishte adresuar Shefes së Politikës së Jashtme te BE’së, Catherine Ashton, për përjashtimin e përfaqësuesve sllovenë të BE’së në shërbimet e jashtme europiane.