E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si do të reduktohen tarifat celulare

03/08/2009  Shtohet me rreth 642 mijë përdorues tregu i telefonisë celulare krahasuar me 2007

Operatori “Mobile 4 Al” duhet të fillojë ofrimin e shërbimeve brenda vitit 2009

Futja në tregun e telefonisë celulare të operatorit të katërt do të sjellë reduktim të mëtejshëm të tarifave. Për “Mobile 4 Al”, sipas drejtuesve të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, tarifa e terminimit do të jetë objekt negociatash midis këtij operatori dhe operatorëve të tjerë celularë. Sipas AKEP-së rregullimi i tarifave të terminimit të operatorëve celularë duhet të vijojë edhe gjatë periudhës 1 shtator 2009 deri më 31 gusht 2010.

Rregullimi i tarifave

“Përdorimi i asimetrisë është i justifikuar edhe për operatorin e katërt celular, “Mobile 4 Al” që pritet të fillojë ofrimin e shërbimeve në fund të vitit 2009. AKEP-ja gjykon se aplikimi i asimetrisë për tarifën e terminimit të “Eagle Mobile” dhe tarifës së terminimit në “AMC” dhe “Vodafone” është i justifikuar, duke gjykuar se “Eagle Mobile” ka hyrë në treg në mars 2008, që do të thotë 7-8 vjet më vonë se kompanitë “Vodafone” dhe “AMC””, - vlerëson analiza e tregut e AKEP-së. Sipas specialistëve të këtij autoriteti, në momentin kohor të hyrjes në treg të “Eagle Mobile”, tregu celular kishte arritur në afërsisht 2.3 milionë përdorues apo mbi 70 për qind penetrim. “Për “AMC-në” dhe “Vodafone Albania” do të vazhdojë aplikimi i metodologjisë së rregullimit të tarifave të terminimit, për periudhën e dytë. Tarifa maksimale e aplikuar të jetë 10.5 lek/minutë. Për “Eagle Mobile” tarifa maksimale e terminimit do të jetë tarifa aktuale 13.32 lek/minutë që është 26 për qind më e lartë se tarifa maksimale e lejuar për terminimin në “AMC” dhe “Vodafone””, - theksojnë ekspertët. Për periudhën 1 shtator 2010 e në vazhdim niveli i tarifës së terminimit në “AMC” dhe “Vodafone Albania”, si dhe niveli dhe kohëzgjatja e asimetrisë me tarifat e “Eagle Mobile” do të përcaktohen në vendimin e AKEP-së për rregullimin e tarifave, në fillim të vitit 2010.

Përdoruesit

Në fund të vitit 2008 numri i përdoruesve të telefonisë së lëvizshme arriti në 2 964 473 përdorues, e cila përbën një rritje të ndjeshme me 27.6 për qind apo 642 mijë përdorues më shumë krahasuar me fundvitin 2007. Operatori “Eagle Mobile”, si operatori i ri celular, që hyri në treg në mars 2008, ka rritur ndjeshëm numrin e përdoruesve, duke rezultuar me afërsisht 260 mijë përdorues në fund të vitit 2008. Megjithatë, rritje në krahasim me vitin 2007 kanë pasur edhe dy operatorët e tjerë të telefonisë së lëvizshme kompanisë “AMC” dhe “Vodafone”, që respektivisht kanë një rritje në numrin e përdoruesve me 16.8 për qind dhe 16.3 për qind, apo me 200 mijë dhe 183 mijë përdorues.

Autorizimet

Në sektorin e telefonisë celulare janë lëshuar katër autorizime individuale që më parë quheshin licenca: “AMC, sh.a”, “Vodafone Albania, sh.a”, “Eagle Mobile, sh.a”, “Mobile 4 Al sh.a”. Operatori “Mobile 4 Al” është operatori i katërt celular GSM, të cilit i akordua autorizimi individual nga AKEP-ja më datë 26.06.2009. Autorizimi individual iu dha konsorciumit të përfaqësuar nga Postë-Telekomunikacioni i Kosovës (PTK) në bazë të ligjit nr.10118, datë 23.04.2009 “Për dhënien e së drejtës së përdorimit për 15 vjet në brezin e frekuencave EGSM

dhe GSM 1800, bashkimit të ofertuesve, përfaqësuar nga Postë-Telekomunikacioni i Kosovës sh.a., sipas procedurës “tender i hapur ndërkombëtar”, e datës 20.02.2009”. PTK-ja zotëron paketën kontrolluese prej 30 për qind në shoqërinë “Mobile 4 Al sh.a” dhe në bazë të përcaktimeve të autorizimit individual operatori duhet të fillojë ofrimin e shërbimeve brenda

6 muajve nga marrja e autorizimit individual. Operatori “AMC” është licencuar si operator publik kombëtar i telefonisë celulare në vitin 1996 dhe ka funksionuar si kompani shtetërore deri në shtator të vitit 2000, kur u krye privatizimi i 85 për qind të aksioneve, pjesë e cila u ble nga “Cosmote Group”, operatori celular në Greqi, që është vetë pjesë e grupit OTE, operatorit të telefonisë fikse në Greqi. Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës zotëroi rreth 12.6% të aksioneve të “AMC, sh.a”, deri në vitin 2008, kur u krye dhe shitja e kësaj pjese “Cosmote Group”. Afërsisht 2.4% të aksioneve zotërohen nga aksionerë të vegjël (punonjës të “AMC-së” në kohën e privatizimit). Operatori “Vodafone Albania” është licencuar si operatori i dytë kombëtar i shërbimit celular GSM në Shqipëri më 9 qershor 2001. “Vodafone International Holding” zotëron 51 për qind të kapitalit të “Vodafone Albania”, ndërsa “Vodafone Panafon International Holdings” zotëron 49 për qind të aksioneve. Kjo e fundit zotërohet në mënyrë direkte dhe indirekte në 99,4 për qind nga “Vodafone Group”). Në 3 Gusht 2001 “Vodafone Albania” filloi ofrimin e shërbimeve të saj GSM në Shqipëri. Operatori “Eagle Mobile” është licencuar si operatori i tretë kombëtar i shërbimit celular GSM në Shqipëri më 1 mars 2004. Licenca i është dhënë Albtelekomit si pjesë e paketës së privatizimit të kësaj kompanie, proces i cili përfundoi në vitin 2007. Operatori “Eagle Mobile” filloi ofrimin e shërbimeve celulare në mars 2008.

Fitimet e kompanive

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare vlerëson në analizën e tij se të ardhurat e operatorëve celulare kanë qenë vazhdimisht në rritje. “Në vitin 2008 të ardhurat e operatorëve celulare ishin afërsisht 49 miliardë lekë dhe u rritën me afërsisht 10 për qind në krahasim me vitin 2007. Vihet re se “Eagle Mobile” zë një peshë shumë të vogël në grafikun e të dhënave të të ardhurave të kompanive celulare me afërsisht 1.2 për qind krahasuar me peshën në numrin e përdoruesve që është afërsisht 10 për qind”, - theksohet në analizën e ekspertëve.

Përdoruesit

Rritja e ndjeshme e numrit të përdoruesve celularë vazhdon të jetë në kontrast me rritjen e vogël të numrit të përdoruesve të telefonisë fikse, që në fund të vitit 2008 vlerësohet të jenë vetëm 325 mijë. Referuar INSTAT-it për numrin e popullsisë si dhe të dhënave për tregun e telefonisë së lëvizshme dhe asaj fikse 2003-2008 janë përllogaritur vlerat e penetrimit të telefonisë së lëvizshme dhe telefonisë fikse. Në fund të vitit 2008 penetrimi i telefonisë së lëvizshme është 92 për qind, kurse ai i telefonisë fikse është 10 për qind.

Konsultimi

Analiza e tregut celular është një dokument për konsultim publik. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare miratoi bashkë me procedurën për publikim, dokumentin “Analizë e tregut celular, tregjet me shumicë të terminimit, tregu me pakicë i shërbimeve celulare dhe tregu me shumicë i akses/origjinimit: Konsultim Publik”. Procedura e konsultimit publik për dokumentin e analizës së tregut si dhe detyrimeve të propozuara për FNT, të cilat janë pjesë e dokumentit të analizës, të kryhet për 60 ditë nga data 17 korrik 2009 deri më 15 shtator 2009. AKEP-ja vendosi që të njoftohen palët e interesuara, përfshirë Autoritetin e Konkurrencës për këtë vendim dhe publikimin e dokumentit, duke i ftuar të gjithë të interesuarit për të dhënë komente.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›