Si do të zhvillohet programi i kualifikimit të drejtuesve
Trajnimi do të zhvillohet në tri forma, kurse vlerësimi do të bëhet sipas provimeve të moduleve përkatëse
Para se të marrë pjesë në provimin përfundimtar të kualifikimit, që do të jetë vendimtar edhe për emërimin si drejtues, arsimtarët që do të konkurrojnë për një vend të tillë pune duhet t’i nënshtrohen programeve të kualifikimit të drejtuesve. Programi i kualifikimit të drejtuesit synon të pajisë pjesëmarrësit me dijet, shprehitë dhe kompetencat e nevojshme për të ushtruar detyrën e drejtuesit sipas parimeve dhe praktikave më të suksesshme bashkëkohore. “Programi i kualifikimit të drejtuesve përbëhet nga disa module me kreditet përkatëse. Një kredit fitohet kur punonjësi arsimor plotëson afërisht 25 orë punë për një modul, nga të cilat 5-6 orë janë trajnim, ndërsa orët e tjera janë punë individuale ose në grup për përgatitje prezantimi projekti, eseje, studime, zbatime në shkollë etj.) Parimet kryesore të trajnimit të kandidatëve për drejtues janë: agjenci të ndryshme trajnuese konkurrojnë për programin e kualifikimit të drejtuesve ose për module të veçanta të tij; komiteti i akreditimit të trajnimit akrediton programin ose module të veçanta të tij; kandidatët për drejtues përzgjedhin agjencinë trajnuese me të cilën do të zhvillojnë trajnimet për programin e kualifikimit në tërësi ose për module të veçanta të tij. Përsa i përket formave të trajnimit, këto të fundit do të zhvillohen në tri forma, që janë: “Trajnimi tradicional”, kur trajneri zhvillon seanca trajnuese drejtpërdrejt me të trajnuarit; trajnimi “On-line dhe i kombinuar me konsultime”, kur agjencia trajnuese e vendos përmbajtjen e moduleve në faqe interneti dhe ofron konsultime për punonjësit arsimorë; trajnimi “Vetëm on-line”, kur agjencia trajnuese e vendos përmbajtjen e moduleve në një faqe interneti. Lidhur me certifikimin e kandidatit për modulin, në rregullore thuhet: “Kandidatët për drejtues i nënshtrohen provimeve të veçanta për çdo modul të programit të kualifikimit. Provimet zhvillohen nga agjencia përkatëse trajnuese. Provimi për një modul është me shkrim. Agjencia trajnuese pajis kandidatin fitues në provimin e një moduli me certifikatën e cila përmban numrin e krediteve, rezultatin e kandidatit në provim dhe të dhëna për modulin”. Vlerësimi i kandidatit në provimin e modulit do të bëhet sipas disa kritereve të përcaktuara. Kështu, në vlerësimin me pikë të një kandidati për një modul agjencia trajnuese llogarit: vlerësimin me pikë të portofolit; vlerësimi me pikë i testit. Për çdo modul, secili kandidat përgatit portofolin, i cili përbëhet nga detyra tematike, raste studimore, projekte, ese etj. sipas pikëve nga agjencia trajnuese. Kjo e fundit vlerëson portofolin me 20% të pikëve të modulit. Testi për një modul përmban njohuri teorike dhe zbatime praktike të këtyre njohurive. Njohuritë teorike të testit vlerësohen me 40% të pikëve të modulit dhe ato për zbatime praktike me 40% të pikëve të modulit. Vlerësimi i kandidatit është me pesë shkallë: A; B; C; D; E, që i korrespondon vlerësimit me fjalë: “Shkëlqyeshëm”, “Shumë mirë”, “Mirë”, “Mjaftueshëm”, “Dobët”. Kandidati me vlerësimin E (“Dobët”) nuk e fiton modulin përkatës. Kandidati ka të drejtë të rihyjë në provimin e një moduli vetëm kur është vlerësuar me E (“dobët”).