Drejtorët e shkollave, zbardhen kushtet e licencimit
Kriteret që duhen për të kandiduar për drejtues. MASH: Të gjitha shpenzimet për certifikimin e drejtuesve do të mbulohen nga vetë kandidatët, ndërsa afati i vlefshmërisë së certifikatës së një drejtuesi është 8 vjet që nga data e marrjes së saj
Nis zyrtarisht gara për t’u emëruar drejtues në një nga institucionet e arsimit parauniversitar, duke filluar që nga kopshti e deri në gjimnaz. Ministria i Arsimit ka miratuar tashmë rregulloren e kualifikimit të drejtuesve të institucioneve arsimore, në të cilën janë përcaktuar të gjitha procedurat e kualifikimit të drejtuesve (drejtor, nëndrejtor) të institucioneve arsimore publike dhe ato private. Nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm, datë 22.11.2010 “Për kualifikimin e drejtuesve të institucioneve parashkollore dhe shkollave”, Ministria e Arsimit udhëzon që, duke filluar nga viti shkollor 2010-2011, të zhvillohen procedurat e kualifikimit të drejtuesve të institucioneve parashkollore dhe shkollave publike dhe ato private, në përputhje me rregulloren e kualifikimit të drejtuesve të institucioneve shkollore dhe parashkollore. Deri më tani, këtij procesi parashikohet t’i nënshtrohen gati 3 mijë drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar, pasi, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Arsimit, bëhet e ditur se në vend numërohen 2 mijë drejtorë shkollash, ndërsa pjesa tjetër, pra 1 mijë, janë nëndrejtorë. Ndërsa për të bërë një ndarje midis drejtuesve të çerdheve e kopshteve me ata të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, MASH ka vendosur që certifikatat e drejtuesit të jenë dy llojesh: certifikata e drejtuesit për institucionet parashkollore dhe certifikata e drejtuesit për institucionet e arsimit bazë dhe ato të arsimit të mesëm (gjimnazi, shkollat profesionale dhe social-kulturore). Ndërkaq, në rregullore janë përcaktuar edhe raste të veçanta për kandidatët që do të lejohen të hyjnë në provimin e kualifikimit pa marrë pjesë në trajnime, nëse dëshirojnë. Kështu, do të lejohen të hyjnë në provimin e kualifikimit pa marrë pjesë në trajnime: personat që kanë kryer studime universitare të ciklit të dytë ose të tretë në fushën e drejtimit, administrimit dhe menaxhimit të arsimit në shkolla të larta të akredituara; personat që ushtrojnë detyrën e drejtorit të institucionit arsimor të paktën 5 vite të plota shkollore të njëpasnjëshme deri në datën e nxjerrjes së udhëzimit të ministrit për kualifikimin e drejtuesve (datë 22.11.2010); personat që kanë ushtruar detyrën e drejtorit të institucionit arsimor për të paktën 10 vite të plota shkollore jo të njëpasnjëshme deri në datën e nxjerrjes së udhëzimit të ministrit për kualifikimin e drejtuesve. Ndërsa lidhur me kriteret që duhen për të kandiduar për drejtues, në rregullore është përcaktuar që “aplikon për të fituar certifikatën e drejtuesit personi që: ka kryer studime universitare të ciklit të dytë ose të tretë në fushën e drejtimit, administrimit dhe menaxhimit të arsimit; ose ka marrë diplomën e mësuesit sipas kritereve të nivelit përkatës të arsimit, ka të paktën kategorinë e tretë të kualifikimit të mësuesve dhe në provimin e kualifikimit të mësuesve është vlerësuar të paktën ‘Mir뒔. Gjithashtu, personat të cilët aplikojnë për certifikatën e drejtuesit nuk duhet të jenë në proces administrativ ose penal dhe duhet të paraqesin dy rekomandime pozitive nga eprorë të drejtpërdrejtë me të cilët kanë punuar gjatë pesë viteve të fundit. Aktualisht, Ministria e Arsimit është duke pritur që drejtuesit aktualë të shkollave dhe më gjerë të marrin masat e nevojshme për këtë proces, në mënyrë që ata të jenë të përgatitur për provimin e kualifikimit, në bazë të rezultateve të të cilit do të pajisen ose jo me certifikatën e drejtuesit. Sipas rregullores, provimi i kualifikimit të drejtuesve zhvillohet mbas një viti të hyrjes në fuqi të rregullores së kualifikimit të drejtuesve, pra në muajin nëntor të këtij vitit. Provimi i kualifikimit do të zhvillohet një herë në vit, në datën e caktuar me udhëzim të ministrit të Arsimit. Një kandidat e fiton certifikatën e kualifikimit të drejtuesit kur është fitues në provimin përfundimtar të kualifikimit të drejtuesve. Lidhur me emërimin në detyrë të drejtuesit, në rregullore thuhet se “e ndërpresin ushtrimin e detyrës së drejtuesit, nëse nuk aplikojnë për këtë detyrë: kandidatët, të cilët nuk fitojnë provimin e një moduli që zhvillohet nga agjencia trajnuese; kandidatët që nuk fitojnë provimin e kualifikimit të drejtuesve; drejtuesit, të cilët nuk regjistrohen për trajnime kur u është ofruar mundësia për t’u trajnuar për programin e kualifikimit të drejtuesve; vazhdojnë ta ushtrojnë detyrën e drejtuesit ose mund të aplikojnë për këtë detyrë personat që ende nuk u është ofruar mundësia për t’u trajnuar për programin e kualifikimit të drejtuesve”. Në fund të rregullores përcaktohet se të gjitha shpenzimet për certifikimin e drejtuesve mbulohen nga vetë kandidatët, ndërsa afati i vlefshmërisë së certifikatës së një drejtuesi është 8 vjet që nga data e marrjes së saj. Drejtuesi mund ta rinovojë certifikatën duke iu nënshtruar provimeve për disa module, të cilat përcaktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit.