Ulen temperaturat, shkollat e kryeqytetit pa ngrohje
Nxënësit e shkollave të kryeqytetit vazhdojnë të përballen çdo ditë me mungesën e ngrohjes në klasa. Ndonëse shumë prej tyre kanë të instaluar sistemin e kaldajës, në shumicën e kohës ajo nuk funksionon, pasi ato nuk furnizohen me naftë. Një problem të tillë, që prej muajit dhjetor, ka shkolla 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit”. Drejtoresha e kësaj shkolle, Eliada Sado, thotë se ka bërë disa herë kërkesa për furnizim pranë strukturave të Bashkisë së Tiranës, por nuk marrë asnjë përgjigje zyrtare. “Ka sistem ngrohje me kaldajë, i kemi rënë mbrapa ç’është e vërteta, në rregullimin e problemeve që kanë pasur në funksionim. Ne nuk marrim furnizim rregullisht me naftë. Për sivjet unë kam marrë vetëm një furnizim 800 litra në mes të dhjetorit. Unë i kam njoftuar, i kam dërguar dhe shkresë zyrtare dhe mesazh se isha shumë, shumë e revoltuar kur dëgjova -6 temperatura”, - shprehet drejtoresha e shkollës “Lidhja e Prizrenit”. E ndërsa meteorologët parashikojnë mot të kthjellët, por me temperatura të ulëta, e vetmja zgjidhje për nxënësit, jo vetëm të kësaj shkolle, janë të vishen trashë, ndërkohë që edhe ngrohja herë pas herë me ndonjë reflektor, tolerohet vetëm për nxënësit e klasave të para. “Klasat e para i kanë toleruar mësueset të vënë ngrohës, megjithatë, dhe atë me frikë, sepse kur kam qenë në shkollë tjetër, kur vija ngrohës, më merrte flakë shkolla. Këtu gjithmonë me rezerva u kam thënë mësuesve”, - vijon Sado. I njëjti problem për mungesën e sistemit të ngrohjes në Tiranë është konstatuar dhe në shkollat e mesme, ndërkohë që edhe në godinat e universiteteve ajo mungon. Sipas meteorologëve, moti i kthjellët, por i ftohtë, do të mbizotërojë në territorin e vendit deri ditën e premte. Meteorologët thonë se reshjet e shiut do të rikthehen sërish, por ato nuk do të jenë të një intensiteti të lartë, ndërkohë që situata sinoptike do të shoqërohet edhe nga reshje dëbore, sasia e të cilave në këtë fillim jave ka qenë e lartë.