PLUS konfirmon gatishmërinë për ofrimin e shërbimit
Operatori më i ri celular në Shqipëri, PLUS, deklaroi dje përmbushjen e afatit të caktuar nga Autorizimi Individual për ofrimin e shërbimit celular në Republikën e Shqipërisë. Moni Buchnik, Drejtor Ekzekutiv i PLUS, deklaron se një prej objektivave më të rëndësishëm u arrit me sukses: më 5 korrik u realizua telefonata e parë në rrjetin e PLUS. Gjatë aktit të inspektimit të ndërmarrë nga AKEP para pak ditësh, anëtarët e grupit të inspektimit patën mundësinë të realizojnë telefonatën e parë në rrjetin e PLUS. Për shkak të mospërfundimit të marrëveshjeve të interkonjeksionit, telefonatat u realizuan brenda rrjetit të PLUS. Me anë të kësaj deklarate, Buchnik konfirmon që PLUS është i angazhuar në përmbushjen e objektivave të biznesit për t’u bërë shumë shpejt operatori i preferuar i shqiptarëve dhe njëkohësisht, duke kontribuar në zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe kryesisht në sektorin e telekomunikacionit. Ne si PLUS, tha ai, jemi të vetëdijshëm për sfidat e tregut, i cili po bëhet gjithnjë e më konkurrues. Thelbi i biznesit tonë bazohet te nevojat e konsumatorëve tanë, te teknologjia më e përparuar, si dhe te besimi, angazhimi dhe ekspertiza profesionale e skuadrës së PLUS. Tri ditë më parë, grupi i AKEP inspektoi fushën e veprimit të biznesit tonë: centralin e rrjetit, stacionet bazë, planifikimin dhe realizimin e rrjetit të transmetimit, sistemet e tarifimit dhe sisteme të tjera, zyrat dhe pajisjet teknike të instaluara tashmë, si edhe zyrat qendrore të kompanisë. Jemi të kënaqur të deklarojmë se PLUS përmbushi kërkesat e Autorizimit Individual, duke vërtetuar në të njëjtën kohë se cilësia është në fokusin tonë. Në Aktin e Inspektimit të AKEP-it, Nr. prot 2539/1 citohet: Bazuar në Vendimin e Këshillit Drejtues, rezulton së PLUS (Mobile 4 al sha) është në kushtet e përmbushjes së detyrimeve për Fazën 0. është një fakt tashmë, deklaroi Buchnik, që industria e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri po troket në dyert e një ere të re: 3G dhe shërbimet e portabilitetit të numrit do t’u ofrohen klientëve së shpejti dhe ne jemi të përgatitur për t’iu shërbyer më së miri nevojave të tyre. Kompania beson se AKEP do t’i ndjekë dhe do t’u përgjigjet këtyre zhvillimeve, për t’i bërë këto shërbime sa më të përballueshme dhe në përfitim të konsumatorëve.
#