Shkodër, lumi Buna vërshon drejt qytetit
Autori i Lajmit: RedaksiaGjatë natës të së hënës, duke gdhirë mëngjesi i së martës në qytetin e Shkodrës niveli i ujit nëpër rrugë është rritur edhe me disa centimetra të tjerë. Në lagjen Xhabije dhe në zonën e banuar të quajtur Livadhet thellësia shkon nga 35 centimetra deri në gjysmë metri. Ndërsa, në zonën e banuar që ndodhet fare pranë liqenit thellësia është shumë më e madhe se kaq. Grumbullimi i ujit në këto zona ka ndodhur për shkak të zgjerimit të liqenit, por edhe nga bllokimi i kolektorëve shkarkues të ujërave të larta. Kanalizimet nuk funksionojnë më për shkak të rritjes së nivelit të liqenit të Shkodrës dhe përveç kësaj janë bllokuar edhe kanalizimet e ujërave të zeza. Qarkullimi në disa pjesë të qytetit është rënduar. Ndërkohë që ka nisur puna për të pastruar disa zona me anë të pompave të ujit në zonën e Xhabijes si dhe në Dobrac, ku ndodhen edhe depozitat e ujësjellësit.
Rritja e nivelit të Bunës
Si pasojë e rritjes së nivelit të ujit në Bunë, uji në disa lagje periferike ka arritur nga gjysmë metri deri në 1 metër dhe tendenca është në rritje. Në lagjen Xhabije dhe lagjet periferike të Kirasit, Ajasëm, uji ka marrë "pushtetin" tashmë. Në hyrje të Shkodrës, aty ku ndodhet dhe ura e Bunës, uji vazhdon të jetë prezent në të dy anët e urës. Si nga ana e Shkodrës, ashtu dhe ana tjetër e urës që të çon për në Shirokë e Zogaj, uji është në nivele të larta. Për të hipur në urë makinat kalojnë më parë një pellg të madh me ujë, ndërsa lumi është fryrë, aq sa niveli i tij ka arritur gati rrafsh me urën. Duke parë situatën kritike, përtej urës së Bunës policia vendosi ndalimin e qarkullimit të mjeteve të vogla në drejtim të Shirokës dhe Zogajt, pasi uji ka vërshuar në aks dhe për mjetet e vogla ka rrezik tu shuhen motorët. Reshjet e shiut, të cilat e kanë shtuar nivelin e ujërave në lumin Bunë dhe në liqenin e Shkodrës, kanë sjellë edhe përmbytjen e lagjes se Kirasit, 4 km larg Shkodrës, që njihet si zona e Ndërmarrjes zooteknike.
Lëvizja me varka
Në këtë lagje gjenden banesa e shtëpi, ku niveli i ujit ka kaluar një metër lartësi. Ndërkaq, banorët, të cilët kanë vendosur që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, i realizojnë nevojat e përditshme nëpërmjet lëvizjes me lundra e varka. Ministria e Brendshme u shpreh se, "gjatë gjithë ditës së djeshme strukturat e angazhuara për zbatimin e detyrave të caktuara nga Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile në zonat e prekura nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës kanë vijuar operacionet për shpërndarjen e ushqimeve e ndihmave, si dhe operacionet për evakuimin e banorëve dhe bagëtive dhe për përforcimin e argjinaturave".
Ky lajm është publikuar: 13/01/2010