E Diel, 1 Nëntor 2026

Si e zbulova “Shekspirin” në familjen mbretërore të shqiptarëve

Autori i Lajmit: red.
Më 1938, Shqipëria ishte një monarki e pavarur nën mbretin Zog, i pari dhe i fundit në dinastinë e tij, emri i vërtetë i të cilit qe Ahmet Bej Zogu. Me origjinë nga një fis geg i Matit, ai qe rritur në Kostandinopojë e në Vjenë. Pushtetin e kish marrë me para dhe mercenarë të drejtuar nga oficerë rusë të bardhë, të cilët ia kishte dhënë Beogradi. Ambicia për të ishte një sëmundje ngjitëse. Një ndër kunetërit e tij, Ceno Bej Kryeziu, i cili kish qenë ambasador, së pari në Beograd e më pas në Pragë, pat përgatitur një grusht shteti kundër tij. Sipas rrëfimeve konfidenciale që më bëri një funksionar i oborrit mbretëror, Zogu bëri për vete një njeri që ishte qitës i mirë, pa punë dhe gojëmbyllur. Kështu ndodhi që, më 1927 në Pragë, një student poliglot i quajtur Agjah Bebi, i "mbathur" mirë me tri kupa alkooli, qëlloi mbi Ceno Beun, ndërkohë që ky i fundit ishte duke ngrënë në një restorant. Pas kësaj, policia e arrestoi me lehtësi vrasësin i cili qe më tepër një nishanlli i klasit të parë se sa konspirator. Zogu, i frikësuar nga dalja e sekretit ngarkoi një tjetër njeri më të zot i cili e vrau Agjah Bebin mu në mes të Gjykatës së Pragës, duke u zhdukur pastaj pa lënë gjurmë. Por vrasësi i vrasësit, pasi kish gjetur strehë mirë e bukur në Jugosllavi, nisi të pijë e të flasë ca si tepër. Nga Tirana, kryeqytet i Shqipërisë, u nis një tjetër emisar, i cili e eliminoi atë pa vonesë. Për fat të keq, unë s munda të marr vesh se cili qe më tej, fati i vrasësit të vrasësit ...
Në ballon e fundit mbretërore të dhënë nga mbreti Zog, pata rastin të vallëzoj me motrat e tij, përfshirë edhe të venë e Ceno Bej Kryeziut. Ato kishin veshur rroba të hijshme, të zbukuruara me ar. Mbreti, kish fare pak kohë që ish martuar dhe trashëgimtari i tij direkt qe akoma i biri i Ceno Beut, princ Tati, që sapo kish mbushur gjashtëmbëdhjetë vjeç. Zogu tregonte ndaj tij një dashuri të veçantë dhe Tati dukej se e adhuronte të ungjin pa masë. Megjithatë, për vetë moshën që kish arritur, ai ishte shndërruar si çdo shqiptar i ndershëm, skllav i rregullave të Kanunit dhe pëshpëritjeve të miqve të të atit, të cilët i kujtonin se duhej të ish i gatshëm në marrjen e gjakut. Por, meqenëse nuk ekzistonte asnjë provë për të fajësuar për këtë gjë Zogun, hamendjet nuk mund të merreshin në konsideratë.
Si e njoha intrigën e familjes mbretërore dhe vrasjet “hamletiane”
Te Shekspiri, në muret e kështjellës së Elseneurit, Hamletit iu shfaq fantazma e të atit, duke i nxjerrë atij në shesh të vërtetën. Vila modeste rozë e Zogut nuk kishte as bedena e as spektër, por Hamleti në "vendin e shqiponjave" luhej krejt ndryshe. Princ Tati dukej gjithmonë e më i dalldisur nga thirrjet e Kanunit të Lekë Dukagjinit: “Gjakmarrja, domethënë akti për të venë në vend nderin, nuk duhej të ngatërrohej me vrasjen. Është pikërisht kjo që nxit hakmarrjen". Kësisoj, princi i vogël ishte privuar nga mbajtja e armëve të zjarrit, edhe pse ai i adhuronte ato si gjithë shqiptarët. Lumturisht, për Tatin por dhe për vetë Zogun, drama u ndërpre pikërisht para aktit të saj të fundit…

Ju tregoj zakonet e shqiptarëve dhe legjendat e tyre

Në Shqipëri pashë mjaft zakone të çuditshme. Në Veri, në fiset e Mirditës, për një vajzë konsiderohej turp t u fliste meshkujve të cilët s bënin pjesë në familjen e saj. Për të falënderuar me mirësjellje një zonjë, thuhej: "Të lumshin duart!" e ajo përgjigjej me fjalët: "Të lumtë goja, të faleminderit!". Në Spitalin e Tiranës, tridhjetë përqind e pacientëve ishin të plagosur me plumba pushke ose thika. Nëpër fshatra, legjendat pagane dhe perënditë e ferrit ishin të shumta. Sipas miteve të tyre, divat qenë gjigantë të botës së nëndheshme, që hanin mish njeriu. Ata ishin të lartë sa pishat dhe kishin një mjekër të gjatë që u varej gjer te gjunjët. Të pistë si derrat e të mbushur plot morra, ata përdhunonin gra e vajza të pafajshme. Një fis cigan adhuronte Zotin, por e thërriste atë me emrin Djall. Duke lëshuar britma e ulërima, ca dervishë shponin faqet me shtiza, pa u dalë pikë gjaku. Kur vdiste ndonjë grua, varrin ia hapnin më thellë se burrat, sepse mëkatet e saj ishin më të mëdha. Të vdekurve u lidhnin këmbët e duart, u mbyllnin sytë dhe gojën e njerëzit u bënin roje për tërë natën me qirinj të ndezur. Mbi kufomën e të vdekurit, duhej të kapërcente një mace në mënyrë që shpirti i tij, mbasi të ish endur për dyzet ditë nëpër shtëpi, të mund të fluturonte e të dilte prej saj me trajtat e një fluture. Në çastin e varrimit, të vdekurit i futej një monedhë në gojë, për të paguar borxhet e botës tjetër. Nëse një burrë binte nga kali, ishte e këshillueshme të derdhte përdhe një kupë mjaltë, për të mënjanuar kështu shpirtrat e këqij. Antidota më e mirë kundër magjive ishte një përzierje plumbi e shkrirë, pështymë lejlekësh dhe gjak të marrë nga dy vëllezër të vrarë. Me të, të sëmurët lyenin plagët, duke shqiptuar fjalët: "U bëftë ujë e kripë!". Si ilaç kundër tifos, përdorej stomaku i bretkosës përzier me sheqer, i cili ngrohej në zjarr e pastaj vendosej mbi kokën e të sëmurit...

Jeta primitive përtej legatave
Tirana vinte erë balte, qoftesh e kafeje të pjekur
Tirana ishte një fshat i rritur shumë shpejt, plot me shtëpiza dhe minare të vogla. Të vetmet ndërtesa luksoze qenë një hotel italian dhe parlamenti, si edhe një ish-klub ushtarak në hyrjen e të cilit qe vendosur një shpallje ku shkruhej "Zotërinjtë deputetë janë të lutur të dorëzojnë armët në garderobë". Në periferi të qytetit, në një lagjje me shtëpi moderne, jetonin diplomatët. Ndërsa nëpër rrugët gjithmonë të përbaltura, shiheshin fare pak automobila e shumë gomarë ...
Lumturisht, në këtë mjedis fshatar, u njoha me një austriake kuqalashe, të butë dhe të ëmbël, e cila quhej Zerlinë. Ajo ndodhej në Tiranë së bashku me një grup hungarezësh. Kishte dëshirë të më fliste për sukseset që kishte arritur në jetë, gjë e cila vërtet më çudiste, për faktin se qe ende mjaft e re në moshë. Shpesh më tregonte: "Në Paris kam pasur sukses të madh. Në Vjenë, simpatizues të shumtë vraponin pas meje, duke thirrur "la rozza, la rozza". Në Lucernë u njoha me një djalosh anglez mjaft të këndshëm. Ishte shumë i bukur" ... Austriakja u bë për mua një shoqe mjaft zbavitëse, në mes të viskozitetit të baltës shqiptare.
E ndërtuar nga turqit në shekullin XVII, të cilët i vunë emrin e fitores së tyre në Teheran, Tirana është e rrethuar nga të tri anët me male, majat e të cilëve në dimër mbushen me dëborë. Jeta, me përjashtim të hotelit dhe legatave, aty ishte tërësisht primitive. Në atë që mund të quhej restorant, ”menyja” kryesore qe mish i pjekur me oriz. Qyteti tundej nga pëllitjet e gomerëve dhe thirrjet e hoxhallarëve që ftonin besimtarët për lutje. Ngado që të ktheheshe, hundët të mbusheshin me aromën e baltës, qofteve të skuqura me piper dhe kafesë turke.
Përveç lojës së bixhozit, të cilët shqiptarët e adhurojnë aq shumë, saqë e kanë të ndaluar ta luajnë haptas, përveçse disa ditë para Vitit të Ri, në qytet nuk ekziston asnjë zbavitje tjetër. Thuhej se e vetmja zbavitje për Zogun dhe familjen e tij mbretërore, ishin shfaqjet e tri filmave për çdo ditë.
Gjatë një udhëtimi me autobus në Vlorë, m u desh të pres për orë të tëra në një fshat të akullt që rrihej keqas nga era. Një turmë njerëzish qe mbledhur rreth një fatkeqi që përpëlitej nga ethet shtrirë sa gjerë-gjatë mbi baltën e ftohtë, ndërkohë që fare pranë tij, ca fëmijë luanin me një top leckash. I përkulur mbi fatkeqin, një burrë i mbante kokën në duar, duke ia tundur fort. Pas pak, burri pushoi së përpëlituri dhe vdiq. Askush nuk tha një gjysmë fjale. Fëmijët vazhduan lojën, ndërsa turma u shpërnda, duke e lënë kufomën në vend ...

BOX
“Rasputini” i Shqipërisë, plaku që provonte i pari gjellët për Zogun
Zogu ishte një mbret absolut. Ai i kishte thënë një diplomati të huaj: "Mos humbisni kohën me ministrat e mi. Ata janë kot. Nëse dëshironi ndonjë gjë, hajdeni direkt e tek unë". Por prapa tij, shumë njerëz në hije, luftonin për pushtet. Gjenerali Zef Sereqi, i quajtur ndryshe Sefa, ish proitalian. Abdurrahman Mati, me prejardhje nga i njëjti fis me mbretin - për të cilin pëshpëritej se ishte babai i tij i vërtetë - kish si detyrë të provonte gjellët që i shtroheshin Zogut, për t i dalë para çdo tentative helmimi. Atë e quanin ndryshe edhe "Rasputini i Shqipërisë". Sereqi, rivali më i madh i tij, thoshte: "Kur plaku Abdurahman të vdesë, duhen marrë masa që të varroset sa më thellë". Një italian, Giovanni Giro, i cili kish marrë pjesë në marshimin mbi Romë krah Musolinit, qe armik i Abdurahmanit dhe mik për kokë i Sereqit. Ky rufjan simpatik, nuk e njihte Amerikën dhe amerikanët, veçse prej filmave me gang¬sterë të Hollivudit. Më kish ftuar disa herë në shtëpi, duke më vënë para një shishe xhin, të cilin e pinte duke bërë ca gjeste që ai besonte se ishin të modës në vendin tim ...
(Vazhdon nesër)
Ky lajm është publikuar: 01/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›