E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimet e gazetarit amerikan për Shqipërinë e Zogut

Autori i Lajmit: red.
Shkrimi i mëposhtëm, i nxjerrë nga libri i tij me kujtime "Në vorbullat e historisë", ku ndër të tjera C. Sulzberger përshkruan edhe mbresat e tij si gazetar i shtypit amerikan në Tiranë. Libri lexohet me kërshëri, ngaqë në të, në mënyrë të paanshme dhe realiste, autori paraqet një tablo të Shqipërisë zogiste në prag të pushtimit fashist, detaje dhe hollësi nga jeta e trupit të atëhershëm diplomatik në Tiranë si edhe mbresa nga intimitetet e oborrit të ish - mbretit Zog ...

Do të kishte qenë më e goditur sikur Shekspiri, në vend të "Natës së mbretërve", t i kish vendosur ngjarjet që zhvillohen te "Hamleti", në Iliri. Sepse, në fakt, Iliria antike është Shqipëria dhe, ndërsa unë mbërrita në këtë vend në fund të vitit 1938, aty po luhej akti i fundit i një "Hamleti" veshur me kostum operete. Shqipëria është një vend malor i vogël, strukur buzë Adriatikut, mes Jugosllavisë dhe Greqisë. Shekuj luftërash kanë bërë që banorët e saj të përzihen me sllavët, grekët, turqit dhe latinët, por dy grupet kryesore të popullsisë, toskët në jug dhe gegët në veri, kanë mundur të mbijetojnë. Këta të fundit formojnë të ashtuquajturat klane malësorësh. Të dobët e me fytyrë të prerë si të Zogut, ata janë të shquar për mikpritjen e lakminë, por edhe për preferencën ndaj vjedhjeve, në vend të dëshirës për punë. Gegët janë jashtëzakonisht të sjellshëm. Të paktën në atë kohë, kur ata ndiqnin disa ligje të komplikuara, të cilat ishin kodifikuar qysh në shekullin XIII prej një njeriu mjaft të ditur me emrin Lekë e që përcaktonin ndër të tjera edhe rregullat e gjakmarrjes: "Kur një prej burrave të fisit vritej, njerëzit e tij më të afërt hakmerreshin duke vrarë gjakësin. Ky i fundit mund ta kalonte natën nën strehën e armikut të tij i cili, të nesërmen në mëngjes, e lejonte atë të shkonte gjer në një distancë të caktuar, para se të hidhej e ta përndiqte për ta vrarë". Por, në rregullat e gjakmarrjes ekzistonin edhe shumë dispozita të dorës së dytë, si përshembull: "Ishte e ndaluar e nuk mund të godisje mbi qenin e ndokujt, për sa kohë që nuk ishte gdhirë e syri nuk mund të shquante një fije bari nën këmbë" ...
Bektashizmi, feja e krijuar në Shqipëri nga shkrirja e myslimanizmit me krishterimin
Gjuha shqipe nuk ngjan me asnjë tjetër, edhe pse ajo bën pjesë në familjen e gjuhëve indo-evropiane. Pretendohet se ajo rrjedh nga gjuha që flisnin ilirët e vjetër, mbretëresha e të cilëve arriti ta ndalë për shumë kohë furinë e legjioneve e galerave romake. Këtë gjuhë, vetë shqiptarët e quajnë "shqip", për vetë faktin se ata janë "shqiptarë" apo ndryshe "bij të shqipes". Duke parë, kreun e një fisi malësorësh të nisur drejt pazarit hipur mbi gomar, të ndjekur pas nga gra që ecin në këmbë të ngarkuara me arka e rraqe të tjera, kuptohej menjëherë origjina e këtij emërtimi. Bjondë, të hollë e të bukur, shumë prej tyre dukej sikur sapo kishin dalë nga Dhoma e Lordëve. Gratë e tyre ishin të bukura nga mosha e pjekurisë e gjer sa arrinin rreth njëzet e katër vjet. Por punët e rënda i jepnin fund shpejt kësaj bukurie, sepse detyra e tyre ishte vetëm të punonin, ndërkohë që burrat i mbronin dhe i përkushtoheshin gjuetisë ndaj kafshëve e midis njëri -tjetrit.
Të ndjekur ngà Shqipëria më 1912, turqit lanë prapa tyre një kaos fisesh dhe besimesh fetare. Ortodoksët në jug, një pakicë katolikësh në veri dhe në qendër myslimanët, ndër të cilët bën pjesë edhe një sekt i fuqishëm dhe pak i njohur, bektashinjtë ( një "vëllazëri" fetare me prejardhje nga trupat e jeniçerëve të cilat përbëheshin nga të rinj të krishterë të kthyer në fenë islame ). Të udhëhequr nga shpirti ambicioz i bektashinjve, jeniçerët u bënë një forcë revolucionare aq e fuqishme, sa që sulltanët u shtrënguan ta shpërbëjnë. Më pas, bektashinjtë u syrgjynosën në Shqipëri, ku edhe jetojnë në manastiret e tyre të quajtura "teqè". Unë vizitova njërën prej tyre, atë të kryetarit të bektashinjve, "Babait të Madh", Myrtezait që ndodhej në Krujë, në qytezën- kështjellë të mbretit të shquar Skënderbè, për të cilin pasi vdiq thanë: "Bota nuk do të njohë kurrë një luan të tillë".
Babai ishte një plak i hijshëm syçpues, duar plot kallo e me një mjekër gri në formë lopate. Në brezin e tij ngjyrë gjaku që i qarkonte dollomanen, ai mbante një zbukurim mistik prej kristali. Sekti i tyre, më tha ai, ishte themeluar në shekullin XIII nga një njeri i shenjtë, Haxhi Bektash Beli. Tolerantë, ata pinin alkool, hanin mish derri dhe mbanin marrëdhënie miqësore me fetë e tjera. Ai më recitoi, teksa qemë duke pirë raki, një nga poemat e tij e më pas, më tha: “Askush nuk e ka marrë vesh kurrë misterin tim: Unë jam vetë vëllai i Haxhi Bektash Belit ...”

Pantallonat e shqiptarëve tregonin varfërinë
Shqipëria më krijoi përshtypjen e një vendi marramendës. Drita, shkëlqimi dhe hijeshia e njerëzve të saj të veshur me një lloj "pantallonash" të bardha e të ngushta, shoqëruar me një "xhaketë" të zezë e të shkurtër - kjo e fundit në shenjë zije për vdekjen e Skënderbeut- fshihnin në vetvete varfërinë e madhe të jetës së tyre. Hekurudha në këtë vend nuk ekziston, ka vetëm ca rrugë të cilat unë i përshkova hipur mbi kalë, në këmbë, me autobus, me veturë. Rastet që m u dhanë për të fluturuar me avion, u bënë të mundura falë aeroplanit të konsullit të përgjithshëm të Italisë, një koloneli që merrej me përzgjedhjen e terreneve për uljen e avionëve, gjë që do të pasohej më vonë me pushtimin i cili s do të vononte të ndodhte.

Dy fjalë për autorin
Kush është Cyrus Sulzberger, i cilësuar nga Hoxha si armik i betuar i Shqipërisë

Cyrus Sulzberger lindi në Nju Jork më 1912. Studimet universitare i përfundoi në Harvard. Punoi në shumë gazeta para se të lidhej ngushtë me "New York Times" me detyrën e shefit të rubrikës “Të dërguar të posaçëm”, që nga viti 1944 e gjer më 1954. Më pas, ai u bë botuesi dhe kryeredaktori i saj duke e vazhduar veprimtarinë gazetareske me botimin e tri shkrimeve në javë, jo vetëm për “New York Times”, por edhe për “International Herald Tribun” e shumë gazeta të tjera prestigjioze, në vende të ndryshme të botës.

Kur, në një nga mbrëmjet e fundit të vitit 1989, Televizioni Shtetëror transmetoi kronikën e pritjes së gazetarit dhe politologut të shquar amerikan Cyrus Sulzberger nga shefi i komunistëve shqiptarë Ramiz Alia, ngjarja shkaktoi jo vetëm "habi", por edhe një "choc" të vërtetë. Mjaft nga veteranët, komunistët dhe drejtuesit e lartë të Partisë e cilësuan këtë gjest jo vetëm "lajthitje" politike, por edhe një veprim të qëllimtë kundër mësimeve të shokut Enver Hoxha, i cili në librin e tij "Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë" e kish cilësuar gazetarin Sulzberger, armik të betuar të Shqipërisë Socialiste si edhe një nga agjentët më të regjur të CIA-s amerikane e të lnteligence Service anglez.
Nuk i dimë hollësitë e këtij takimi të bujshëm. Cili qe motivi, çfarë u tha e përse u bisedua ? Dimë vetëm se, C. Sulzberger po shkelte përsëri në Shqipëri pas 50 vjetësh e se, ndofta ky kthim në "vendin e shqiponjave" nuk qe bërë thjesht vetëm për motive "nostalgjie". Por një gjë ishte më se e vërtetë: "Vorbullat e historisë" e kishin sjellë sërishmi këtë gazetar të kalibrit botëror në Shqipëri, nga ku qe larguar një ditë prilli të vitit 1939, para se në vend të hynin pushtuesit fashistë italianë e ku, pas ngjarjeve të "luftës së ftohtë", besohej se nuk do të vinte këmbë kurrë. Në vazhdën e një karriere të shkëlqyer, më shumë se çdo koleg i tij gazetar në botë, C. Sulzberger ka qenë dëshmitar i ngjarjeve historike më kulmore të shekullit të kaluar. Ishte njeriu që takoi e bisedoi nga afër me figurat më madhore të politikës ndërkombëtare te asaj kohe. Dëshmitar i rrallë i Luftës II Botërore dhe i ndarjes së fitores nga dy superfuqitë, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik, i copëtimit të Gjermanisë në dy shtete, i angazhimit amerikan në Indokinë dhe i dhjetëra ngjarjeve të tjera të rëndësishme, C. Sulzberger takoi e njohu nga afër mbretër, presidentë, burra shtetesh, gjeneralë e diplomatë. Personalitete të cilët për atë kohë, për një gazetar sado prestigjioz që të ishte, ishte e vështirë t u afroheshe, të tillë si: Çurçilli, De Gol, Tito, Franko, Aizenauher, Hrushov, Naser etj. Publicisti Vasil Qesari ka përzgjedhur këto rrëfime të marrë nga libri i tij “Në vorbullat e historisë”.
Ky lajm është publikuar: 01/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›