Korçë, taksisti merret peng dhe rrihet
Agron Perlati është mashtruar në periferi të qytetit dhe më pas është rrahur. Rëndë në koma në Spitalin Ushtarak
KORÇË- Një taksist është marrë peng dhe është plagosur rëndë nga dy të rinj grabitës në qytetin e Korçës.
Shoferi 60- vjeçar ka përfunduar në koma dhe është duke luftuar me vdekjen në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit. Ngjarja ka mbetur pa autor, ndërsa policia ka shoqëruar plot 10 persona, ndonëse nuk ka mbërritur ende tek protagonistët e ngjarjes.
Agron Perlati, 60-vjeçar, me profesion taksist ka mbetur peng i një mashtrimi të dy të rinjve të cilët kanë kërkuar prej tij një shërbim taksi, por në fakt kanë pasur si qëllim të grabisin mjetin dhe të gjitha të hollat që ai kishte me vete.
Ngjarja, sipas burimeve të policisë lokale, ka ndodhur gjatë orëve të vona të mbrëmjes së kaluar në periferi të qytetit. Dy të rinj i kanë kërkuar taksistit t'i çonte ata në lagjen 4 të qytetit. Sapo mjeti është nisur ata e kanë larguar burrin nga drejtimi i makinës duke e dhunuar fizikisht, ndërsa pas dhunës barbare të ushtruar mbi të, e kanë hedhur jashtë makinës në afërsi të unazës së qytetit.
Perlati në gjendje të rëndë është gjetur nga disa banorë të zonës, teksa është transportuar me urgjencë për në spitalin e Korçës. Policia lokale ka marrë menjëherë njoftim për ngjarjen, ndërsa është vënë në kërkim të autorëve të saj ende të paidentifikuar. Në gjendje kome taksisti është transportuar drejt Spitalit Ushtarak të kryeqytetit pas ndihmës së parë mjekësore që ka marrë në spitalin rajonal të Korçës.
Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë lokale, mësohet se mjeti i të plagosurit është gjetur i braktisur në afërsi të unazës së qytetit, ndërsa nga ai janë grabitur kasetofoni por dhe disa sende të tjera personale të taksistit.
Për sa iu përket emrave të autorëve të ngjarjes, policia ende nuk ka bërë të mundur identifikimin e tyre, ndërkohë që ka shoqëruar disa persona të moshës së re në komisariatin e Korçës.
Nga hetimet paraprake të grupit të punës rezulton se autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë janë dy të rinj adoleshentë, por nuk është bërë i mundur arrestimi i tyre. Grabitjet në Korçë janë kthyer në një fenomen që merr përmasa çdo ditë.
Policia lokale raporton në bazë të denoncimeve të qytetarëve vjedhje të përditshme kryesisht të banesave por edhe vjedhjet e kalimtarëve në rrugë. Vetëm në muajin e fundit janë regjistruar 12 vjedhje nga të cilat shtatë janë banesa dhe të tjerat janë lokale si dhe dy persona.