Kryeministri: Legalizimet, sipas vërejtjeve të Topit
Nisin negociatat PD-PR për të rishqyrtuar nga e para ligjin e legalizimeve. Ministri i Punëve publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, dhe kreu i ALUIZNI-t, Shaban Memia, do të negociojnë me republikanët dhe do të marrin parasysh kritikat e Presidentit Bamir Topi lidhur me ligjin e legalizimeve të banesave informale. Kryeministri Berisha tha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike se dekreti i Presidentit për kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të ligjit "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 ‘Për legalizimin, urbanizimin, dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", është i domosdoshëm të shqyrtohet nga Kuvendi. Kryeministri theksoi se në ligj do të pasqyrohen si vërejtjet e Presidentit ashtu edhe objeksionet e Partisë Republikane. "Është e domosdoshme që ky dekret të studiohet dhe duhet të punohet si për pasqyrimin e vërejtjeve të Presidentit në ligj, si dhe objeksioneve të Partisë Republikane, e cila ka qenë iniciatore e kërkesës për mosdekretimin e ligjit", u shpreh Kryeministri Berisha.