E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si i thonë krizë në gjuhën e nënës?

Megjithëse fushata zgjedhore ka ndezur motorët, zhurma e tyre nuk arrin të mbysë rënkimin e familjeve që po shtypen nën peshën e krizës. Midis tyre, gratë janë ato që po e pësojnë më shumë për shkak të numrit të madh të punonjëseve femra në industritë që janë prekur nga kriza. E bashkë me to edhe fëmijët.
Duhet të ishte koha për të bërë planet e pushimeve verore, por Sonila nuk e ka mendjen aty. E revoltuar, punonjësja e medias që ka vetëm 4 vite pune të shënuara në librezë edhe pse ka punuar që kur ka mbaruar shkollën më 1999, tregon momentin kur i thanë se do të largohej nga puna për arsye të krizës financiare. “Ishte data 29 dhe më thanë që mund të qëndroja deri në fund të muajit. Fillova të qesh, sepse nuk dija ç’të bëja më”. Sonila ishte e përgatitur, sepse rrogën e fundit e kishte marrë me 26 ditë vonesë. Iu kujtuan fjalët në punë nën zë: kë do heqin, kush do rrijë. Po nuk mund të rrinte pa ia bërë pyetjen: pse mua? Midis dy vetave,- personi tjetër ishte djalë, kishin zgjedhur atë.
Kështu pyeti edhe 4 vjet më parë kur e larguan nga puna në një tjetër televizion, fill pas lindjes së djalit (para katër vitesh, bota filloi të dridhej nga ethet e krizës). “Ata e dinin që unë kisha nevojë për punë, sidomos pasi isha shtuar me një fëmijë tjetër dhe nevojat u rritën.” Pasi djali mbushi 40 ditë, u paraqit në punë për të rifilluar programet e saj, por i thanë se për momentin nuk kishin hapësirë. Do ta lajmëronin vetë. Dhe lajmërimi nuk erdhi për 3 muaj. Ndërkohë u desh lindja e djalit për të kuptuar që stacioni ku punonte prej 6 vitesh ia kish ndërprerë pagesën e siguracioneve pa lajmëruar, ndaj ajo nuk mund të përfitonte pagese për leje lindjeje (ligji kërkon të jesh në marrëdhënie pune 1 vit të siguruar që ta përfitosh lejen e paguar).
Është mesi i majit dhe Sonila do t’ia fillojë nga e para edhe pse është e lodhur, por dy fëmijët njëri 8 dhe tjetri 5 vjeç nuk i lënë zgjedhje. Është dhe kredia për t’u paguar. Bashkëshorti i saj, edhe ai punon në televizion, por me mbylljen e sezonit, rroga e tij përgjysmohet deri në tetor. “Cilësia e jetës sigurisht që bie,- tregon 37 vjeçarja, “do ta mendojmë dy herë nëse fëmijët do t’i vazhdojnë kurset e pikturës dhe baletit, pushimet do shtrëngohemi t’i bëjmë më të shkurtra, por edhe raporti me fëmijët ndryshon. Një mami e stresuar, që nuk i del llogaria në fund të muajit, ka më pak durim për pyetjet e fëmijëve që rriten, më shumë përgjigje të nevrikosura”.
Sonila është vetëm një nga 86 personat që janë larguar nga puna në sektorin e medias në Tiranë për shkak të krizës financiare. Vala e fundit e shkurtimeve përfshiu 30 vetë njëherësh në një stacion të njohur privat me motivacionin e qartë: S’ka para. Më shumë se një herë Unioni i Gazetarëve ka bërë thirrje që shteti të ndërhyjë për të venë rregull në këtë industri ku rrogat e papaguara po bëhen rutinë në mbi 85 për qind të operatorëve mediatikë në vend. Sipas të dhënave të Unionit, 58 për qind e gazetarëve janë gra dhe vajza.
Jorgani që nuk del
86 persona janë një pikë uji krahasuar me 10 mijë vetë që kanë humbur punën nga rreth 130 ndërmarrje të mbyllura plotësisht, përkohësisht ose që kanë ndryshuar destinacion ose kanë diversifikuar kontraktorët si pasojë e krizës. “Shumica, sigurisht janë gra dhe vajza,- na pohon Bardhi Sejdarasi, Drejtor i Përgjithshëm i ‘BiznesAlbania’, një organizatë jofitimprurëse, e cila grupon sipërmarrje shqiptare me qëllim promovimin dhe lobimin për to. Sejdarasi thotë se kontratat janë individuale me punëdhënësit dhe nuk ka kontrata kolektive. Megjithëse Sejdarasi thotë se parashikimet janë optimiste duke folur për një rigjallërim të sektorit të fasonëve që ka dhe numrin më të madh të punonjësve (afro 80 mijë sipas një studimi të Fondacionit Soros në 2010) në kërkim të tregjeve të reja, sërish ende nuk janë kapur ritmet e vitit 2008 kur filloi kriza.
Mirëpo parashikimet nuk hahen. Mira që punon në një rrobaqepësi në Maliq, është njoftuar të qëndrojë në shtëpi për një periudhë të pacaktuar pas pagës së parë që mori. Mira ka punuar në disa firma greke së fundmi, por ato nuk paguanin. Kjo e fundit që gjeti, paguante, por pas muajit të parë e ndërpreu prodhimin. Ndërkohë ka dy fëmijë, njërin nga të cilët në Tiranë që ndjek një shkollë muzike. Vetë i duhet të bëjë një terapi mjekësore për dhimbjen e mesit që kushton shumë para. Mira banon në fshat dhe ka një ekonomi bujqësore modeste, por për shtetin ajo nuk quhet e papunë. Sociologia Ermira Danaj vë në dukje se përveç faktit që në Shqipëri pjesëmarrja e grave në tregun e punës është më e ulët se e burrave, shumica e tyre janë të punësuara në bujqësi ku të ardhurat janë shumë më të ulëta dhe ku shumë prej tyre nuk janë të siguruara, si dhe një numër i madh i tyre janë shtëpiake, që do të thotë pa të ardhura fare dhe pa asnjë sigurim, gjë që i vendos ato në një situatë varësie të plotë. “Varfëria nuk është thjesht sasia e të ardhurave, është dhe pamundësia e lirisë së veprimit që vjen si pasojë e lodhjes, e abuzimit, e dhunës, e shtypjes dhe e mungesës së burimeve”, thekson Danaj. Një fjali që të kujton shprehjen e Gandit se varfëria është forma më e keqe e dhunës.
Krizë mbi krizë
Sonila dhe Mira mund të ngushëllohen me faktin se të paktën kanë nga një njeri përkrah që do t’i ndihmojë të kapërcejnë këtë situatë të vështirë, ndërsa nënat e divorcuara ose ato beqare janë fare të vetme përballë krizës. Një studim i Open Data Albania për vitin 2012 tregon se janë 12 315 gra të detyruara të mbajnë një familje në mungesë të bashkëshortit që trajtohen me ndihmë ekonomike për shkak të pamjaftueshmërisë së të ardhurave të familjes. Grupi i familjeve me një grua kryefamiljare që përfiton ndihmë ekonomike është 12.5 % e totalit të familjeve me të ardhura të pamjaftueshme. Vlera e ndihmës për këtë kategori është 8.03 % të të gjithë ndihmës ekonomike në vend. Ndërkohë, familjet rome marrin vetëm 1.37 % të totalit të ndihmës ekonomike në vend për vitin 2012.
Dhe gjasat janë që divorcet e bashkë me to nënat e vetme me fëmijë do të shtohen. Në 5 muajt e fundit, në Tiranë janë ndarë 980 çifte dhe ndër shkaqet përmenden dhe problemet ekonomike. “Rritja e numrit të divorceve, në pjesën më të madhe të rasteve, shoqërohet edhe me rritjen e numrit të nënave të divorcuara, të cilave u lihen fëmijët për rritje dhe edukim”, thotë Aurela Anastasi, juriste e njohur dhe drejtore ekzekutive e Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare.
“Një problem i dukshëm në rastet e divorcit është pamundësia ekonomike e nënave të divorcuara që të përballojnë shpenzimet e jetesës së bashku me fëmijët e tyre. Kjo edhe për faktin se, ka shumë raste që detyrimi ushqimor nuk ekzekutohet në mënyrë vullnetare nga ish-bashkëshortët”, vazhdon Anastasi.
“Ndërkohë, ekzekutimi i detyrueshëm bëhet shpeshherë jo efektiv ose i pamundur. Kjo ndodh veçanërisht, për shkak se ish-bashkëshorti është i papunë, është punësuar në tregun joformal të punës dhe nuk deklaron punën e tij, ose është në emigracion. Në të gjitha këto raste Zyrat e Përmbarimit e kanë të pamundur të vjelin në mënyrë të detyrueshme detyrimin ushqimor për fëmijët. Ka edhe ndonjë rast kur këto të fundit tregohen të paafta dhe të

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›