ISHP: “Kushtet në shkollat e Tiranës, larg standardeve të OBSH-së”
Situata higjienë-sanitare në disa shkolla të kryeqytetit, janë larg standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Sipas një sondazhi të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik gjatë vitit 2007-2008, në 88 për qind të klasave në disa shkolla të Tiranës, niveli i zhurmave është mbi vlerat standarde të OBSH-së (vlera standarde është 35 dB). Qëllimi i këtij sondazhi është vlerësimi i situatës higjienë–sanitare të mjediseve të brendshme në institucione dhe ndikimi i tyre në shëndet. Sondazhi është realizuar në disa shkolla të lagjes nr.10 (Njësia bashkiake Nr.3 dhe Nr.4) dhe është bazuar në matjen e treguesve mikroklimate, tregues fizike, mikrobiologjik të ajrit dhe tregues shëndetësor si zhurma (brenda në klasën bosh dhe jashtë në varësi të distancës nga rruga), ndriçimi natyral dhe artificial në varësi dhe të kohës që zhvillohet mësimi, temperatura (e brendshme dhe e jashtme), lagështia relative (e brendshme dhe e jashtme), në shpejtësinë e lëvizjes se ajrit (e brendshme dhe e jashtme), shkallën e kontaminimit të ajrit nga ana mikrobiologjike. Nga sondazhi ka rezultuar se në 64 përqind të klasave, koeficienti i ndriçimit (tregues i ndriçimit natyral) është nën vlerat standarde të OBSH (vlera standarte është 1/6-1/7). Në 88 për qind të klasave ekziston mbipopullimi, ku vlera normë e sipërfaqes së klasës për një nxënës është 1.5 m²-2m², ndërsa në 67 për qind të klasave vlera e lagështisë relative është mbi vlerat standarde të OBSH (vlera standarde është 40 për qind-60 për qind). Vlerat norme të lagështirës relative janë të lidhura me vlerat norme të temperaturës së brendshme, ku në temperaturë 18º-20º lagështia relative është 40-60 për qind. Impakti shëndetësor është vlerësuar nga grumbullimi i të dhënave nëpërmjet një pyetësori. Ai u bazua në disa tregues si simptomat respiratore, simptomat alergjike, vlerësimin e gjendjes social-ekonomike të familjes së fëmijës nëpërmjet anketimit të prindërve të fëmijëve, stilit të jetës së prindërve të tyre dhe mjedisit, ku fëmija banon, etj. Kohëzgjatja e sondazhit ishte 1 vit, ndërsa matjet e treguesve u realizuan në 3 stinët e vitit. Godinat, ku përfshihen institucionet e arsimit shkollor, konsiderohen mjedise jetese me hapësira të kufizuara, të cilat mund të ushtrojnë ndikimin e tyre në shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve.
26 Korrik 2008