Si ta shijojnë verën të veshura bukur femrat e shëndetshme
Merita TOÇILA
Nuk është gjithmonë e lehtë të gjeni një veshje të përshtatshme për çdo moment të ditës dhe akoma më shumë, të mbuloni difektet në shëndet. Fatmirësisht sot është shtuar gama e prodhimeve të gatshme për të gjitha masat e trupave duke paraqitur veshje tendencë dhe mjaft të rehatshme për të gjitha rrethanat; ditë të zakonshme, zyrë, plazh, mbrëmje. Çfarë lloj veshjeje duhet për ju këtë verë?
Luk i thjeshtë për ditë të zakonshme
Në një ditë të zakonshme përdorni veshje të thjeshta për t`u ndierë sa më rehat. Gjatë ditës duhet të jeni të lehta për të rendur në qytet që të mbaroni të gjitha punët. Kushtojini kujdes më tepër aksesorëve, si çantës, këpucëve, bizhuve për të tërhequr vëmendjen te fytyra, duart ose këmbët. Një tjetër rregull i artë, përdorni jo më shumë se tre ngjyra, vetëm nëse doni të krijoni një stil original. Tunika e gjatë është veshja çelës e sezonit që do t`ju nxjerrë në pah një siluetë tepër të pastër sidomos kur të keni një rrip të shtrënguar lehtas nën bel. Përdorni gjithashtu pëlhurat fluide për më shumë lirshmëri në lëvizje dhe hapje në jaka. Në këtë pikpamje një fund i drejtë më tepër i gjatë se i gjerë me një ngjyrë të errët me një tegel vertikal në prerjen qendrore e zgjat siluetën. Materiali xhins është ndër materialet më të mira për zvogëluar gjerësitë.
Një luk shik për në zyrë
Të shëndoshat duhet t’u kushtojnë vëmendje aksesorëve të masave të mëdha gjithashtu dhe takave të larta ose të mesme për të zgjatur siluetën. Një zgjedhje shumë e mirë për rrjedhojë janë çantat e zeza të kombinuara me këpucë mjaft elegante, byzylykë që bien në sy menjëherë përkundër ngjyrës së këmishës. Pantallonat e zeza mirë është të përdoren me prerje klasike një model tipik për veshjet e zyrës; të prera drejt dhe me pala të vogla në pjesën qendrore të qemerit, të realizuara me material fluid. Ngjyra e këmishës të detyron të ngulësh vështrimin në pjesën e sipërme të trupit dhe duhet zgjedhur në një gjatësi që të mbulojë vithet. Forma e mëngëve të saj, të prera drejt dhe shumë shkurt i bën të duken më fin krahët tuaj. Kujdes të mos zgjidhni një pëlhurë me shkëlqim, këtë ruajeni për aksesorët, sepse satini e zgjeron volumin tuaj.
Po në plazh?
Eshtë gjithmonë momenti më i vështirë por pa panik, ka edhe këtu mënyra për t`u dukur bukur. Në lukun e plazhit luani me motivet. Për rrumbullakësinë tuaj zgjidhni rroba banjo trup, të zeza ose një ngjyrë të errët me rripa të gjerë dhe me një cilësi shumë të mirë në material streç, për t`iu mbledhur kilet e tepërta. Dizenjimet në linja ovale dhe vertikale e theksojnë dhe e zgjatin siluetën. Aksesorët duhet të respektojnë staturën; kapele me borde të gjerë dhe një shportë e madhe për të qenë në një linjë me porporcionet dhe harmoninë e trupit e tuaj. Kështu mund të kënaqeni në banjat e diellit.
Fustan të zi për në mbrëmje
Nuk ka verë të gëzuar pa mbrëmje shik dhe të veshur mirë. Për të qenë më e bukura e mbrëmjes, asgjë nuk duhet më shumë sesa një fustan i thjeshtë i zi, klasik por shumë elegant të cilit ju do t`i shtoni një ton me ngjyrë me disa aksesorë, një shall të lehtë për të mbuluar supet, të vini në dukje vathët dhe një çantë të vogël dore. Një prerje ideale për siluetat rrumbullake është një fustan i zi me një prerje të drejtë, me jakë të thjeshtë dhe pala duke vënë në pah shpinën për ta nxjerrë më fine pjesën e sipërme. Forma e trapezit në fund të fustanit me copë të palosur më dysh maskon rrumbullakësinë. Forma e mëngëve është mjaft efikase për t`i treguar më finë krahët. Aksesorët në ngjyra të forta janë të detyruar për t`ju dhënë një stil të veçantë. Në rast të kundërt ju do të kaloni pa u vënë re dhe kjo do t`ju bëjë të ndiheni keq duke dashur të fshiheni. Guxoni gjithashtu të artat dhe të argjendtat për këpucët tuaja që janë tendenca e sezonit dhe mbi të gjitha luani me aksesorët. Shalli është një aksesor i domosdoshëm në veshjet e të shëndoshave për të ndihmuar siluetën duke krijuar linjën vertikale.
26 Korrik 2008