E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si joshte Enver Hoxha

Italiani, Aldo Renato Terrusi i ka dorëzuar zyrtarisht Arkivit Qendror të Shtetit një libër të autografuar nga Enver Hoxha. Llibri është një album me pamjet më të bukura të Parisit. Ky libër i ishte dhuruar znj. Aurelia Poselli, nënës së z. Terrusi, në 21.08.1930 nga Enver Hoxha në shenjë simpatie dhe miqësie gjatë viteve që jetonin në Gjirokastër. Autografi i shkruar nga dora e Hoxhës është “ Në kujtim të miqësisë studenti i Mjekësisë, Gjrokastër”. Drejtorja e arkivit, Nevila Nika tha se ky libhër do të ruhet në fondin e ish-diktatorit Hoxha.
“Ky është libri origjinal që Enver Hoxha i ka dhuruar mamasë time ne vitin 1930. Mendoj se ka dashur të bëj një dhuratë në formë simpatie”, thotë ai.
Libri përfaqëson për familjen Terrusi fillin e padukshëm që e ka lidhur gjatë gjithë kësaj periudhe me Shqipërinë. Dhurimi i tij Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, për më tepër në këtë vit festimesh për 100 Vjetorin e Pavarësisë, simbolizon vlerësimin e rëndësishëm të kujtesës, ku disa dokumente mbeten në kujtesën kolektive dhe shërbejnë si paralajmërim për të rinjtë në mënyrë që diktaturat mos përsëriten asnjëherë.
Refuzimi i Aurelias për të vazhduar miqësinë me të si edhe martesa e saj me z. Giuseppe Terrusi, drejtor i bankës italo-shqiptare në Vlorë, sipas Aldos, shkaktoi tragjedinë familjare në vitet në vazhdim. Hoxha u hakmor ndaj familjes Terrusi duke burgosur të atin pa asnjë akuzë të qenësishme fillimisht në Vlorë e më pas në burgun e Burrelit ku edhe ndërroi jetë në vitin 1952.
Aldo Renato Terrusi u lind në Vlorë në 1945. Në vitin 1949 pas shumë përpjekjesh munden të riatdhesohen në Itali së bashku me nënën. Rikthehet në Shqipëri për herë të parë mbas 44 vjetësh, në vitin 1993, i shoqëruar nga daja i tij Giacomo Poselli ish portier i Kombëtares fituese e Ballkaniadës të 1946 për të kërkuar të shkuarën e familjes së tij dhe për të gjetur eshtrat e të atit të cilat deri më sot nuk i ka riatdhesuar. Aldo rrëfen odisenë e familjes në librin e tij ‘’Rikthim në vendin e shqiponjave’’, libër i botuar nga Besa dhe që së shpejti pritet të përkthehet në shqip nga Instituti i Krimeve të Komunizmit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›