E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia e Ballës: Berisha më tha se do të më vriste



Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla ka treguar me detaje të gjitha rrethanat që çuan në konfliktin dhe përplasjen me kryeministrin Berisha. Deputeti Balla dëshmon se jo vetëm është fyer nga Berisha, por edhe është kërcënuar me jetë prej tij.
“Berisha filloi të bërtiste edhe më shumë duke më thënë: "Ti nuk shkel më i gjallë në këtë Parlament. Unë do të të vras”, dëshmon deputeti Balla. Deputeti i Partisë Socialiste ka shpërndarë dje një deklaratë dëshmuese, ku tregon se çfarë ndodhi dy netë më parë në sallën e parlamentit. “Më duhet t'ju sqaroj se në vlerësimin tim sulmi i Berishës ishte i parashikuar dhe parapërgatitur. Në momentin që Kryetarja më dha fjalën dhe unë fillova të flisja, Berisha ka dalë me shpejtësi nga Dhoma e Topallit dhe hyri me nxitim në sallë. Në këtë moment unë e kisha mbaruar parantezën time lidhur me mundësinë e emërimit të vajzës së Godos në pozicionin e Ministres së Shëndetësisë. “Kryeministri ka një arësye pse iu desh të largohej sonte nga seanca, sepse i ka plasur konflikti në shtëpi. Meqenëse vajza e Godos po bëhet Ministre e Shëndetësisë, atëherë edhe vajza e tij tani mund të bëhet Ministre apo edhe Kryeministre", ka qenë deklarata ime në Kuvend. Më pas fillova të lexoj fjalimin tim për buxhetin.
Në këtë moment dëgjoja nga prapa që Berisha kishte hyrë në sallë dhe po më bërtiste nga prapa: "Po nëna jote, gruja jote, motra jote ku janë?. Në Bordello i ike. Ti ke çuar njerëzit e tu në bordello (këtë e përsëriti disa herë).
Më pas shumë deputetë të PD-së u drejtuan drejt foltores. Berisha filloi të bërtiste edhe më shume duke më thënë: "Ti nuk shkel më i gjallë në këtë Parlament. Unë do të të vras." Në këtë kohë edhe Topalli filloi të bërtiste me të madhe "Kapeni për zhelesh atë vagabond dhe nxirreni jashtë. Ai nuk shkel më në këtë Parlament".
Jepet urdhëri për largimin e kamerave nga salla. Menjëherë pas kësaj, deputetët e PD-së bëhen edhe më agresivë, thyen kordonin e gardistëve dhe u orvatën të më godisnin.
Jozefina urdhëroi oficerët e Gardës jo të më mbronin, por të më merrnin e të më nxirrnin jashtë. Në këtë moment vendosëm si deputetë të largohemi të gjithë nga salla”, përfundon deklarata dëshmuese e deputetit të PS-së Taulant Balla.

Dialogu Balla-Berisha

Balla: “Kryeministri ka një arësye pse iu desh të largohej sonte nga seanca, sepse i ka plasur konflikti në shtëpi. Meqenëse vajza e Godos po bëhet Ministre e Shëndetësisë, atëherë edhe vajza e tij tani mund të bëhet Ministre apo edhe Kryeministre”.

Berisha: "Po nëna jote, gruja jote, motra jote ku janë? Në bordello i ke. Ti ke çuar njerëzit e tu në bordello”

Berisha: “Ti nuk shkel më i gjallë në këtë Parlament. Unë do të të vras”.
Topalli: “Kapeni për zhelesh atë vagabond dhe nxirreni jashtë. Ai nuk shkel më në këtë Parlament”

23 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›