E Diel, 1 Nëntor 2026

Si konkurrojnë në universitetet tona të shkolluarit jashtë vendit

Të rinjtë që e kanë kryer shkollën e mesme jashtë vendit por që duan të vazhdojnë studimet e larta në Shqipëri, detyrohen t‘u nënshtrohen provimeve të lëndëve me zgjedhje njëlloj si bashkëmoshatarët e tyre në vend. Ata duhet të kalojnë edhe nëpër filtrin e verifikimit të dokumentacionit të shkollës së mesme dhe notave të marra në vendin ku i kanë kryer këto studime.

Për t‘iu dhënë një shans për të kandiduar për në universitetet publike shqiptare këtij kontingjenti të rinjsh, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, ka firmosur disa ditë më parë një udhëzim të posaçëm. Në këtë dokument përcaktohen kriteret e ekuivalentimit dhe regjistrimit në maturën shtetërore 2009 të shtetasve shqiptarë që e kanë kryer shkollën e mesme jashtë shtetit.

"Shtetasit shqiptarë që kanë kryer shkollën e mesme jashtë shtetit dhe kanë një diplomë të barasvlershme me Dëftesën e Pjekurisë të Republikës së Shqipërisë kanë të drejtë të vazhdojnë studimet në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë", thuhet në udhëzimin e datës 9 mars 2009. Aty saktësohet edhe detyrimi i dhënies së dy provimeve me zgjedhje si një kusht i patjetërsueshëm. "Shtetasit shqiptarë, që kanë kryer shkollën e mesme jashtë shtetit për t‘u pranuar në institucionet e arsimit të lartë publik duhet të japin provimet e lëndëve me zgjedhje", thuhet në udhëzimin e ministrit Beja.

Nga ana tjetër, aty shpjegohet qartë edhe fakti se "shtetasit shqiptarë, që do të japin provimet e lëndëve me zgjedhje, paraqesin për ekuivalentim në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (Drejtoria e Kurrikulës dhe Monitorim, Vlerësimit) deri më 15 prill 2009 disa dokumente. Është e domosdoshme paraqitja e kërkesës me shkrim për të vazhduar studimet e larta në institucionet e arsimit të lartë publik. Por natyrisht nuk duhet të mungojnë dëftesat origjinale me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara. Mes dokumenteve që do të paraqiten në MASH duhet të jetë edhe fotokopja e noterizuar e pasaportës/letërnjoftimit ose certifikatës së lindjes me fotografi.

Pas dorëzimit të kësaj dosjeje të kërkuar nga të interesuarit, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës ngrihet komisioni i posaçëm për ekuivalentimin e dokumentacionit të shtetasve shqiptarë që kanë kryer shkollat e mesme jashtë shtetit dhe që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta në institucionet e arsimit të lartë publik. Në udhëzim, ministri i Arsimit shpjegon se komisioni i posaçëm, pasi njeh vlefshmërinë e dëftesës shkollore të shtetasve shqiptarë që kanë kryer shkollën e mesme jashtë shtetit, ndjek disa hapa të mëtejshme. Komisioni bën përllogaritjen e notës mesatare të viteve të shkollimit dhe të notave të provimeve të detyruara D1 dhe D2 ose, në mungesë të këtyre të fundit, të notave përkatëse të këtyre lëndëve. Ai përcjell zyrtarisht rezultatet e mësipërme në Komisionin e Maturës Shtetërore pranë Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore, ku shtetasi ka vendbanimin, brenda datës 30 prill 2009. Më pas, Komisioni i Maturës Shtetërore pranë Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore cakton shkollën ku shtetasi do të kryejë provimet me zgjedhje dhe do të plotësojë formularët A1 dhe A2. Po ky komision përcjell pranë shkollave përkatëse notat që ka përcaktuar Komisioni i Posaçëm. Më tej ai dorëzon zyrtarisht dhe në formë elektronike në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) formularët A1 të plotësuar nga shtetasit dhe përmbledhësen e të dhënave të shtetasve sipas tabelës T, brenda datës 5 maj 2009. Formularët A2 duhet të plotësohen nga të gjithë të interesuarit brenda datës 30 qershor 2009 dhe dorëzohen në Komisionin Shkollor të Maturës Shtetërore.

Ndërkohë që në udhëzim përfshihen edhe kategoritë e veçanta. Aty thuhet shprehimisht se "shtetasit shqiptarë, që duan të vazhdojnë studimet vetëm në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në Universitetin ‘Luigj Gurakuqi‘ të Shkodrës, mund të konkurrojnë në këto institucione të arsimit të lartë publik pa qenë të detyruar të japin provimet e lëndëve me zgjedhje". Nga ky detyrim janë përjashtuar edhe të gjithë maturantët e gjimnazeve dhe shkollave të mesme shqiptare pas konfliktit të krijuar një vit më parë për këtë çështje.

Ky udhëzim ka marrë menjëherë fuqi ligjore.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›