E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, apartamente luksi dalin në shitje

Kriza financiare që ka përfshirë vendin, ka nxjerrë në shitje një sasi të jashtëzakonshme dyqanesh, biznesesh dhe apartamentesh luksoze, ndonëse çmimet për këto lloj pronash nuk kanë dhënë asnjë shenjë uljeje, bëjnë të ditur burime nga tregu i pronave të paluajtshme.

"Zyrat e shit-blerjeve të pronave të paluajtshme janë përmbytur nga kërkesat për të shitur apartamente superluksoze apo dyqane nga më të shtrenjtat", tha një agjente. "Më parë, prona të tilla nuk shiteshin me reklamime nëpër stenda, apo me njoftime gazetash, por nevoja për likuiditet të shpejtë i ka bindur shitësit të kërkojnë blerës direkt në rrugë", tha ajo.

Kurrë më parë në Tiranë nuk qenë reklamuar kaq shumë prona luksi njëkohësisht. Për shitje janë nxjerrë apartamente në qendër që kishin vite që nuk qenë në shitje. Dyqane për të cilat kërkohet gjysmë milioni euro, apo edhe një milion euro, janë nxjerrë në shitje. Apartamente me sipërfaqe mbi 100 metra katrorë dhe që kushtojnë 1500-200 euro për metër katror. Asnjëherë më parë në Tiranë nuk ka pasur kaq shumë prona luksoze në shitje në të njëjtën kohë.

Çmime jashtë realitetit

Nxjerrja në reklamim e apartamenteve super të shtrenjta të Tiranës vjen pasi përpjekjet për të gjetur blerës në rrugë të tjera kanë dështuar, thonë ekspertët. Shumë kompani të shitblerjes së pronave po përpiqen t‘i bindin njerëzit se çmimet së paku në qendër të Tiranës nuk kanë rënë dhe nuk ka gjasa të bien.

Për dyqanet luksoze të nxjerra në shitje, çmimet janë jashtë realitetit, dhe nuk pasqyrojnë një normë kthimi të logjikshme nga investimi. "Kjo është hera e parë që biznese të gatshme, si kafene apo restorante, dalin në shitje në numër të konsiderueshëm. Si shitësit, ashtu edhe blerësit janë pa eksperiencë në këto lloj shitjesh", tha një agjente pronash të paluajtshme.

Rezistencë me çmime

Shoqata e Ndërtuesve beson se kriza e çmimeve që ka përfshirë pronat e paluajtshme në periferi të kryeqytetit apo apartamentet në plazhin e Durrësit, nuk do të përfshijë edhe qendrën e Tiranës. "Në zonën brenda Unazës, apo në Selitë, çmimet do të rezistojnë", komentojnë ata. Deri më sot, së paku në dukje, çmimet kanë rezistuar, por kjo jo për shkak të shitjeve. Apartamentet luksoze që janë nxjerrë në shitje nuk janë ndërtime të reja. Ato janë rihedhur në treg për herë të dytë apo të tretë dhe shitësit nuk kanë ndër mend t‘i shesin për çmime më të ulëta nga ato të blerjes.

Kriza mbërrin te qendrat tregtare

Kriza financiare globale ka detyruar disa kompani që programonin hapjen e qendrave të reja tregtare në vend të pezullojnë planet e investimeve deri në një kohë të dytë. Në Shqipëri ka aktualisht mbi 140 mijë metra katrorë sipërfaqe tregtare në ndërtim. Disa prej projekteve thjesht janë shtyrë në pritje të përmirësimit të ekonomisë botërore. Ekspertët e pronave të paluajtshme thonë se shitjet me pakicë në veshje, elektroshtëpiake apo mallra të tjera jashtë grupit të ushqimeve, varen veçanërisht nga remitancat dhe për pasojë pritet të vuajnë këtë vit. Remitancat pritet të ulen në 2009-ën nga 11.5% e PBB-së, në 9.5% sipas parashikimit të FMN-së, gjë që do të thotë se afërsisht 200 milionë euro më pak do të jenë të disponueshme për konsumatorët shqiptarë. Agjentët e pronave të paluajtshme thonë se shumë dyqane kanë filluar sakaq të rinegociojnë qiratë dhe se çmimet kanë tendencë të bien.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›