E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si mbreti i Spartës, bëja dashuri me gruan



Ekskluzive / “Autobiografia”

“Autobiografinë” e profesor Sotir Papahristo, gazeta “standard” e boton ekskluzivisht për herë të parë, të plotë dhe që është krejt e panjohur për publikun. Papahristo është njeriu, që ka përjetuar kohën dhe botën e tij të brendshme shpirtërore me të gjitha ndjesitë që i ka sjellë jeta - dashurinë për gruan, të cilësuar të rrallë nga vetë ai, dhembshurinë dhe ngazëllimin për fëmijët; përgjegjshmërinë dhe dëshminë e qytetarit për atmosferën e kohës ku jetoi - prej vitit 1882-1968. Duke siguruar të drejtat e trashëguara nga familja e tij, ky botim i panjohur vjen me rastin e përkthimit të veprës monumentale të Tuqididit “Lufta e Peloponezit”, që përkthyesi e kishte lënë amanet në të gjallë që të botohej i plotë, pa censurë - siç iu rekomandua në diktaturë

(vijon nga numri i djeshëm)

Periudha V (1992-1939)

a) 1922-1925

Pas mbylljes së shkollave greke dhe ikjes së Mitropolitit Jakov, doli problemi i profesorëve të gjimnazit grek (Pangjion Gjimnasion) ata që ishin të huaj (jo shqiptarë) shkuan në Greqi, ne shqiptarët në mbledhjet e shpeshta vendosëm të gjithë pothuaj të qëndrojmë dhe t’i shërbejmë shtetit të ri shqiptar. Ky vendim ka qenë deri diku edhe pjellë e këshillave dhe instruksioneve që na jepte tërthorazi Dhimogjerondia e Mitropolisë. Kontribuoi dhe shpresa se regjimi i ri ishte i përkohshëm dhe se Greqia së shpejti do të kthehej në Korçë e në Epirin e Veriut. Nga fundi i vitit 1921 (20 dhjetor) u fejova me Evdhoksinë M. Mano, bijën e një familjeje nga më të shquarat e Korçës. Më 30 janar të vitit 1922 u martuam. Dora më dridhet, lotët nuk i mbaj dot, kur kujtoja ato ditë të gëzuara dhe i krahasoj me helmin që më pushtoi shpirtin tim nga tragjedia që ndodhi pas 44 vjetëve (8 gusht 1965). Kaluam një jetë familjare me harmoni e dashuri të pashembullt. Zoti nga fali tre fëmijë; dy vajza dhe një djalë. Peripecitë e ndryshme që na ndodhën gjatë gjysmë shekulli pothuaj nuk na e pakësuan dashurinë dhe adhurimin që kishim njëri për tjetrin. Përkundrazi, na lidhi më ngushtë dhe kështu të bashkuar si një trup u bëmë ballë mjerimeve të jetës. Ka qenë një dashuri e jashtëzakonshme, një amor i vërtetë. Thonë se me martesën bie dashuria e parë; ndër ne jo; vazhdoi e tërë gjatë vjetëve. Për një mbret të Spartës thoshin se bënte dashuri me të shoqen. Gjë e rrallë, porse ndër ne ndodhi kjo. Një largim i shkurtër na bënte të çmendur...

Në korrik të vitit 1922 në kongresin arsimor që u bë në Tiranë, u ftuam Spiro Konda dhe unë nga profesorët e gjimnazit grek, nga të tjerët asnjë nuk u thirr. Në fund të kongresit që zgjati pothuaj një muaj, u emëruan Konda drejtor i shkollës femërore shqipe dhe unë kryeinspektor i shkollave të Prefekturës së Korçës. Të tjerëve profesorë mjerisht nuk iu dha ndonjë detyrë në liceun franko-shqiptar që sapo ishte çelur po vetëm në shkollat fillore. Natyrisht këta nuk pranuan dhe shkuan në Follorinë ku u emëruan në gjimnazin e atjeshëm. Unë si kryeinspektor zura vendin e Dh. Hajvarit, ish-tregtar vogëlsirash.

Ky pas një muaji nga data e emërimit shkoi në Tiranë dhe atje me miq rregulloi të kthehet në detyrën që kishte pasur; mua m’u dha titulli i inspektorit të parë, dhe më duhej të shërbeja nën të. Natyrisht u preka moralisht dhe vendos të shkoj në Greqi, por me njërën anë lotët e gruas sime që s’deshi të ndahej nga vëllezërit (të cilëve ua kisha dhënë fjalën se nuk do të largohesha nga Korça) dhe nga ana tjetër këshillat e disa miqve dhe personaliteteve shqiptare (që më siguronin se së shpejti do ta gjeja të drejtën) më detyruan të qëndroj, si inspektor i parë.

Fati deshi që të mos largohesha nga Shqipëri, ku do të zhvilloja një veprimtari të shumanshme (pedagogjike, didaktike, letrare e tjera).

Si inspektor vizitova shkollat e qytetit. Personeli për tokë, pa asnjë dije pedagogjike e didaktike, i rekrutuar nga meshkuj e femra, që kishin mbaruar vetëm një shkollë fillore. U dëshpërova, si të bëja? Kërkova rregullore që të caktonte detyrat e inspektorit. S’kishte fare. Atëherë iu drejtova ndërgjegjes; kjo më udhëzoi ç’të bëja. Së pari duhej përmirësuar personeli, sa ishte e mundur, pedagogjikisht e didaktikisht.

Duhej të bëhesha mësues i mësuesve. Për këtë qëllim fillova një seri të gjatë konferencash pedagogjike dhe mësimesh shembullore, mbi tërë lëndët që mësoheshin në shkollat fillore. I mblidhja për ditë tërë arsimtarët e qytetit në një sallë të madhe, unë isha mësues, ata ishin nxënës. Veç kësaj, në çdo shkollë pas çdo inspektimi, në tërë klasat, bënin mbledhje, bëja kritikën dhe pas një bisede të lirë shënoheshin në një regjistër të posaçëm të shkollës parimet didaktike që duheshin ndjekur në çdo mësim. Duke parë se masat disiplinore që përdoreshin, nuk ishin aspak pedagogjike mbajta një sërë konferencash mbi qeverisin e fëmijëve në shkollë. Këto konferenca i botonte edhe gazeta “Shqipëri i Amerikës”, drejtor i së cilës m’i kërkoi me këmbëngulje (konferencat dhe mësimet shembullore pasi i ripunova dhe i plotësova, i botova më vonë në libra të veçantë me titullin “Qeverimi i fëmijëve në shkollë” dhe “Mësime shembullore për lëndët që mësohen në shkollat fillore dhe të mesme”. Siç munda të konstatoj, si konferencat ashtu edhe mësimet, sollën një dobi të madhe në arsimtarët, të paktën ndër ata që kishin zell dhe dëshirë për të kryer sa më mirë detyrën e tyre të shenjtë.

Opinioni publik i priti me gëzim këto konferenca dhe përpjekjet e mia për të përmirësuar gjendjen e arsimit. Po vetëm ata që vetë s’punojnë, por edhe të tjerët nuk i lënë të punojnë, i ndezi nakari dhe ambicia - dy të këqija që do të ekzistojnë sa të jetë bota, siç thotë Tuqididi - kundër meje. Ua mbushnin mendjen disa arsimtarëve të protestonin, bile të bënin, edhe grevë dhe të kërkonin nga ministria pushimin e Inspektorit, të Drejtorit të shkollës femërore, dhe të disa ish-mësuesve në shkollat greke, duke e vënë si pretekst, se ishin grekomanë, dhe s’kishin ndjenja shqiptare. Për mua bile thoshin se punoja me zell, për të fshehur ndjenjat filogreke. Po këta - kur s’kisha filluar aktivitetin tim - nuk e kishin për turp të thoshin poshtë e lart, se s’punon, mbasi nuk ja do zemra! Si të bëja? Të punoja keq, të mos punoja keq. Vuajtja shpirtërisht për një kohë. Por në fund vendosa t’i bindem zërit të ndërgjegjes, të këtij udhëheqësi të vyer. Iu përvesha punës më me shumë zell, s’mora parasysh se ç’do të thoshte ajo klikë e keqe dhe pseudopatriote. E drejta triumfoi; u imponova, i çarmatosa zemërliqtë.

Jo vetëm, por edhe një nga organizatorët e grevës, duke u larguar nga Korça, këshilloi shokët e tij të më çmojnë, se “është njeri me vlerë”. Një tjetër arsimtar, pohoi më vonë se “inspektor si ky as ka ardhur, as ka për të ardhur”. Për fat të mirë ministër Arsimi u ndodh R. Mitrovica, i cili jo vetëm i kërcënoi grevistët me pushim, por edhe mua më mbushi me lëvdata në një letër, që më dërgoi personalisht; çmonte punën time dhe premtonte se do të kthehesha së shpejti në ofiqin e kryeinspektorit, gjë që u bë pas një kohe të shkurtër. Në mes kokëçarjeve dhe lodhjeve më ndodhi një gëzim familjar. Zoti na fali vajzë, fëmijën e parë, që unë i vura emrin Meri (Maria). Më 28 nëntor 1922 gruaja ime e dashur lindi vajzën, pasi u mundua mjaft. Gëzimi ynë nuk përshkruhet. Dëshiroja të kisha fëmijë, por më tepër dëshironte gruaja ime e adhuruar. Ky gëzim më shtoi entuziazmin dhe zellin për të kryer detyrën time. Nuk u kufizova vetëm në veprimtarinë thjesht arsimore, u mora edhe me vepra që kishin për qëllim zhvillimin e jetës shoqërore të qytetit. Kështu nëpër gazetat e asaj kohe “Shqiptari i Amerikës” dhe “Gazeta e Korçës”, botova artikuj të gjatë mbi dobitë e gjimnastikës dhe të atletizmit, dhe të atletizmit, mbi nevojën e themelimit të një fushe sportive, ndikimin që ushtron muzika mbi shpirtin dhe karakterin e njeriut dhe mbi nevojën e një orkestre simfonike; paralelisht s’pushoja së botuari studime mbi probleme të përgjithshme mësimore, si p.sh., mbi sistemimin shkollor në Shqipëri, mbi lartësinë e kulturës klasike e tjera. Në mes të kësaj veprimtarie një lajm gazmor më erdhi nga Tirana; Ministria në fillim të janarit 1923 përsëri më emëroi kryeinspektor në vend të Dh. Haviarit, i cili u emërua në zyrat e financës. Kështu triumfoi e drejta, dhe puna ime intensive e mori shpërblimin e merituar.

(vijon nesër)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›