E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet 164.5 kg drogë në liqenin e Shkodrës, arrestohen dy të rinj



Tentonin kalimin me varkë, pikasen nga patrullat e policisë

Pranga dy kushërinjve, Kristian dhe Florian Ramaj

Po tentonin që të kalonin 164.5 kg me anë të një varke në liqenin e Shkodrës, por kanë rënë në prangat e policisë. Uniformat blu arrestuan dje kushërinjtë Kristian dhe Florian Ramaj, të cilët ishin edhe transportuesit e lëndës narkotike. Ata po përpiqeshin që të shfrytëzonin orët e vona të natës, për të kaluar drogën në anën tjetër të bregut të liqenit, por janë parë nga patrullat e përbashkëta të policisë së Malit të Zi dhe të Shqipërisë. Menjëherë ata janë drejtuar tek varka e dy të rinjve, ku pas kontrollit të kryer është zbuluar edhe sasia e drogës. Të dy të rinjtë janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës. Sipas burimeve policore, rreth orës 00:30 të së hënës, në liqenin e Shkodrës është parë një varkë e cila po drejtohej drejt bregut malazez. Menjëherë patrullat e përbashkëta të policisë kanë organizuar veprimet dhe janë drejtuar për tek mjeti lundrues. Punonjësit e Pikës Kufitare të Hanit të Hotit kanë parë se varka drejtohej nga dy persona. Skafi i Policisë Kufitare është vënë në ndjekje të mjetit dhe pas disa minutash ata kanë bllokuar varkën, ku brenda saj gjendej një person. Në flagrancë u ndalua 21-vjeçari Flori Ramaj nga Goshaj i Malësisë së Madhe. Punonjësit e patrullës kanë parë se në varkë kishte të vendosura disa qeska, ku brenda tyre gjendej drogë e llojit kanabis sativa.

Sipas burimeve nga policia, personi tjetër i cili ndodhej në varkë kishte mundur që të largohej duke dalë në tokë. Megjithatë, pas hetimeve të kryera u arrit që të zbulohej emri i tij, ku në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Shkodrës është bërë i mundur ndalimi i tij rreth 2 orë më pas. Në prangat e uniformave blu ra Kristian Ramaj, 18 vjeç, i cili ishte edhe kushëri i 21-vjeçarit të ndaluar më parë. Policia sekuestroi edhe lëndën narkotike prej 164.5 kg, së bashku me mjetin që ka shërbyer për transportimin e tij deri në breg të liqenit. Sipas hetimeve paraprake, rezulton se droga do të transportohej në Malin e Zi, për të vazhduar më pas rrugën e saj drejt tregjeve të vendeve të Bashkimit Evropian. Sipas burimeve nga policia, dyshohet se të përfshirë në këtë trafik janë edhe persona të tjerë. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre. dy të rinjtë e arrestuar janë shoqëruar në qeli, në pritje për të dalë përpara drejtësisë shqiptare. Ata akuzohen për konsumimin e veprës penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›