Zhilla: “Panairi gjerman 2009” zgjoi interesa për të investuar në Shqipëri
Panairi i parë i biznesit gjerman arriti të krijojë bindje pozitive për hyrje të shumë bizneseve të reja në vend dhe të bëhet shtysë për organizime të këtij aktiviteti edhe në të ardhmen, thanë përfaqësues të Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë. “Interesimi sidomos i atyre bizneseve që duan të investojnë në Shqipëri ishte i madh”, - thotë Oliver Rohrbach, ekspert i integruar i Bashkimit të Ekspertëve Gjermanë (CIM) pranë Unionit të Dhomave të Tregtisë. “Përfaqësues të kompanive të mëdha gjermane në fushën e energjetikës dhe ndërtimit gjetën partnere dhe mbi të gjitha mjedis të përshtatshëm për të investuar në këtë vend”, - shton ai. Ky panair, që ishte i pari i këtij lloji në vendin tonë, i organizuar nga Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, u mbajt nga datat 23 deri më 25 prill, në mjediset e Pallatit të Kongreseve. Sipas organizatorëve, në të morën pjesë 40 kompani të fushave të ndryshme, përfaqësues të industrisë së makinave, ndërtimit, mjekësisë, farmaceutikës, ushqimore, këpucëve etj.
I realizuar brenda një kohe të shkurtër, organizimi i këtij panairi kërkoi dhe gjeti mbështetjen e Ambasadës Gjermane në Tiranë, Dhomës Gjermane të Tregtisë (DIHA) dhe Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës. Ideja e panairit tërhoqi jo vetëm ato kompani që tashmë kanë përfaqësuesit dhe prodhimet e tyre në tregun vendas, por dhe shumë të tjera që kërkojnë të hyjnë në të, në fushën e veshjeve, pijeve, farmaceutikës dhe të ndërtimit. “Shumë kompani shqiptare që tregtojnë prodhime gjermane treguan një mentalitet krejt ndryshe në këtë panair, gati befasues”, - thotë Rorhbach. “Gjetja e formave të zgjuara të marketingut për prodhimet e tyre krijoji një përshtypje mjaft të këndshme për një mjedis shumë tërheqës për investitorët gjermanë”, - shton ai.
Ishte ky mjedis i krijuar që çoi në këmbënguljen e bizneseve gjermane për të organizuar një tjetër aktivitet të këtij lloji, madje një pjesë janë prej atyre që nuk morën pjesë në panair. “Kjo krizë botërore po përbën edhe një arsye më shumë për të rritur bashkëpunimin midis bizneseve”, - thotë Ilir Zhilla, president i Unionit të Dhomave të Tregtisë. “Berlini është vetëm dy orë larg nga Tirana”, - shton ai. Midis vendeve të BE-së, Gjermania është partneri i tretë tregtar i Shqipërisë, por mbështetja dhe bashkëpunimi ekonomik 20-vjeçar midis vendeve ka qenë shumë më i madh. Financimet gjermane në dhjetëra projekte zhvillimi janë mbi 800 milionë euro, duke bërë kështu që për frymë popullsie kjo të jetë ndihma më e madhe gjermane, dhënë një shteti tjetër në botë.