Si mund të rrëzohet Saliu me editoriale
Nga Genci Burimi
Provokimi i Prof. Rexhep Qosjes ndaj Edi Ramës për humbje kohe me serinë e editorialeve kundra Berishës duket se e bëri efektin e vet. Kryesocialisti u ndje i detyruar ti përgjigjet publicistit nga Kosova. Pavarësisht se ku qëndron e vërteta, ky është një moment kyç i jetës demokratike ne Shqipëri dhe si i tillë duhet mbërthyer e analizuar. Aty përpëlitet ndoshta e ardhmja e të bërit opozitë në këtë vend.
Të shkruarit, higjienë e domosdoshme për politikanët
Janë kaq te rrallë politikanët që shkruajnë në Shqipëri, sa do të ishte mëkat te përçmoheshin iniciativa si kjo e Edi Ramës që ka veshur kostumin e reporterit. Kush merr mundimin të shkruajë, pa dyshim që lexon dhe anasjelltas. Historia e qytetërimeve është para së gjithash histori shkronjash. Këto të vërteta fare elementare, klasa politike në Shqipëri ka tendencë ti injorojë në përfitim të një të bëri politikë më artizanale. Ku në një kafe luksoze, ku në një miting, në një mbledhje partie, apo në një studio televizioni, politikanët tanë nuk kanë kohë më të shkruajnë. Por a kanë shkruajtur ndonjë herë? Një libër për ta do të ishte maja e Olimpit, por të paktën një artikull! Asgjë! Paradoks për një klasë politike e cila që nga udhëheqësi i një partie të vogël si ajo socialdemokrate e deri tek kreu i qeverisë, shumica janë shkolluar jashtë vendit me rezultate aspak mediokre. Kur bisedon privatisht me Sali Berishën, personazhi nuk është ajo karikaturë që has në disa media. I pashtershëm mbi leximet që e kanë impresionuar, ai mund të të qëmtojë gjatë mbi sfera nga një ekstrem në tjetrin, që nga intriga e një prej romaneve të Dan Brown e deri tek mendimi filozofik i një Ronald Regan! Por për të lexuar opinionin e vetë Berishës me distancën e duhur mbi mbarëvajtjen e gjërave në vend duhet ndoshta të presësh që ai të dalë në pension siç u pa me Mejdanin. E njëjta vërejtje për Mojsiun, Topin,Topallin, Majkon, Metën, Nanon, Islamin e sa të tjerë. Emra që ndoshta u ngjallin alergji disa shqiptarëve , por duam apo sduam, janë ata që na drejtojnë apo që kanë qenë janë figurat më të larta të institucioneve shqiptare. Si e tillë politika i detyrohet të paktën moralisht tu transmetojë me shkrim shqiptarëve vizonin e saj, mbresat, dëshmitë, opinionet e saja intime apo publike. Përjashtim bëjnë një Preç Zogaj apo Spartak Ngjela që ende e mbajnë majën e lapsin të mprehur pasi për ta shkrimi është si furça e dhëmbëve, një higjiene e përditshme. Veçse ata nuk kanë më asnjë fuqi ekzekutive për të ndryshuar kursin e gjërave sipas ideve që japin me shkrim. Përjashtim ne traditën e të shkruarit ka bërë dhe një Neritan Ceka, megjithëse botimet e tija janë të specializuara mbi arkeologjinë. Paçka, është gjithmonë një gur më shumë në letrat shqipe, e gur mbi gur bëhen mure si ato Bylisit, Butrintit apo Apolonisë që Ceka i tregon me aq pasion. I falënderuar nga bashkëkombësit qoftë!
Kjo shterpësi epistolare e klasës sonë politike shfaqet si e pashoq në Europë ku shkrimi mbetet një nga format e privilegjuara të komunikimit të politikanëve, të paktën të atyre që pretendojnë të jenë në plan të parë. I shkruajnë vetë librat në perëndim, apo jua shkruajnë « negrët », pak rëndësi ka, një politikan nuk mund ta neglizhojë kollaj këtë lidhje kërthizore me popullin apo elektoratin që përbën shkrimi personal. Nga pikëpamja formale smund pra veçse ta duartrokasim iniciativën e Edi Ramës. Për më tepër, dhe ky është një kompliment i sinqertë, ai ka talent te dukshëm në artikulimin e ideve dhe të fjalëve shqip.
Por, a i interesojnë njeriu ato që shkruan Edi Rama? Ishte ky pak a shumë thelbi i debatit hapur nga Qosja, i cili pret me padurim rrëzimin e pushtetit të Berishës dhe jo humbje kohe me hartimet e nxënësit Rama. Le të hymë në këtë debat.
Një politikan shkruan për të treguar rrugën
Ka një keqkuptim na duket midis Ramës dhe Qosjes. Sqarimi i kësaj pike përbën një nyje gordiane për ti dhënë më brumë luftës opozitare në Shqipëri. Qosja është vetë shkrimtar, dhe e di fare mirë se kur shkruan, nuk është detyrimisht me qëllimin për të rrëzuar dikë. Shkruajmë për të qenë më në mirë me veten dhe për të krijuar një dialog të heshtur me atë që të lexon në atë fushë që autori dëshiron. Ky do të kishte qenë argumenti vetë-mbrojtës më i thjeshti për Edi Ramën. Por kryesocialisti, në përgjigjen e tij ndaj atyre që e kritikojnë pse shkruan editoriale, ka zgjedhur një tjetër motiv duke e angazhuar veten në një rrugë me kontradikta të pazgjidhshme. « Pse të mos debatojmë mbi ide të shprehura në këto shkrime, po të humbasim kohë kot me komente për faktin pse unë shkruaj editoriale?», pyet kështu në formë sfide kryetari i partisë socialiste në një tjetër editorial të tijin.
I kërkojmë ndjesë: por për çfarë idesh e ka fjalën? Çfarë alternative ne fushën ekonomike, sociale, të arsimit, të drejtësisë,të institucioneve e deri tek politika e jashtme shpalos ne shkrimet e tija kryetari i partisë socialiste në mënyrë që të debatohet me të siç bën ftesë ai? Le të marrim dy editoriale të Ramës si shembull, megjithëse shumica janë të të njëjtit lloj. Në njërin syresh krahasohej pak a shumë Berisha me Kadafin. Pse jo nëse i duket ashtu. Por, a duhet harxhuar kohë për të debatuar me atë që pritet të jetë kryeministri i nesërm i Shqipërisë në lidhje se me kë ngjan kryeministri i sotëm? Në shumë kafene të Shqipërisë tema të këtij lloji i gjen nga mëngjesi në darkë, dhe opinioni i Edi Rames nuk sjell asnjë kontribut të veçantë. Ai vetëm sa përkëdhel sedrat e atyre të cilëve qeverisja aktuale u shkakton alergji. Kryetari i një opozite duhet të ngrihet më lart se këto debate dhe të tregojë rrugën me propozime konkrete si duhet të dalë Shqipëria nga mllefet e jo si të zhytet më shumë në to. Në një editorial tjetër, Rama ftonte Berishën për debat duke I kujtuar njëkohësisht dhjetë pikat e ultimatumit të PS-së për zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri. Në pamje të parë dukej sikur kishte në atë shkrim propozime më konkrete, por në fakt kryesocialisti i qëndron besnik politikës politikane: «unë jam gati për debat por atij tjetrit sia mban». Janë shkrime që bëjnë efekte disa orë, mbase disa ditë por më pas gjithçka harrohet pasi nuk ka taban. Ndër 10 pikat e paraqitura nga PS-ja, sikur të bëhet një sondazh, rrallë do të gjesh një shqiptar që do të jetë në gjendje të përmend të paktën një prej tyre. Aty nuk ka asgjë konkrete që të zgjidhë hallet e ditës. Demi duhet kapur nga brirët. U duhet treguar shqiptarëve se çfarë do të jetë e aftë të bëjë Partia Socialiste kur të jetë në pushtet, në mënyrë që të provokohet tek ata një vote adezioni në përmasa ku smund të vidhet dot.
Programi, programi, dhe vetëm programi
Të kritikosh borxhin që po krijon qeverisja e Berishës është mirë, por më mirë do të ishte të tregoje se çfarë modeli ekonomik do të vërë në zbatim PS-ja në pushtet që ekonomia e vendit të funksionojë pa borxhe. Ti kundërvihesh guvernatorit te BSH-së për nivelin qesharak të rritjes ekonomike në vend është një refleks i bukur, por të japësh strategjinë e PS-së sesi të arrihet në nivelet e Kinës, do të ishte edhe më simpatike. Të kërkosh uljen e TVSH-së në një sërë produktesh ushqimore dhe ilaçesh është iniciativë populiste e lavdërueshme, por të propozosh burimin fiskal alternativ që do të kompensonte qindarkë më qindarkë humbjen për arkën e shtetit do të ishte dhe më e pëlqyeshme akoma. Pse jo të taksohen rëndë të gjithë pronarët e xhipa-ve e makinave luksoze që harxhojnë në një mbushje serbatori sa harxhon një pensionist për ilaçet e një tremujori?
Vjen një moment që PS-ja duhet të zbresë nga tribuna ku vetëm kritikon, e të ndeshet në arenën e gladiatorëve me qeverinë program kundra programi. Të kritikosh vjedhjen e zgjedhjeve nga Ristani është mirë, por më mirë do të ishte propozimi i një formule që PS-së i duket se garanton paanshmërinë e KQZ-së. Të kritikosh pushtetin përse nuk i dorëzon hetuesisë vrasësit e 21 janarit është një e drejtë absolute, por më mirë do të ishte një propozim si t