E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjete të reja për të shmangur gabimet e vjetra

28-10-2011 / Nga Olli Rehn (La Stampa)

Në një klimë të pasigurisë politike dhe trazirave të tregjeve që në eurozonë duket se janë të pashmangshme, java e shkuar shpërfaqi një fashë kthjelltësie në qiellin e ngrysur. Patëm një përfundim pozitiv të ujdive njëvjeçare në lidhje me gjashtë propozimet legjislative të Komisionit Evropian që riformësojnë qeverisjen ekonomike evropiane, e veçanërisht atë të eurozonës. Kur vetëm pas pak kohësh këto akte ligjore të hyjnë në fuqi, BE-ja mund të ketë në pronësi mjete të qendrueshme për të shmangur përsëritjen e gabimeve të së shkuarës. Falë mjeteve të tilla, ne do të jemi në gjendje të mbikëqyrim financat publike të shteteve anëtare- veçanërisht nivelin e tyre të borxheve ? në një mënyrë me të kujdesshme dhe më të rreptë se dikur. Ndër të tjera, kjo qasje parasheh edhe një kontroll të bashkërenduar të politikave ekonomike dhe të bilanceve qysh në gjashtëmujorin e parë të çdo viti, përpara se i parlamentet e shteteve anëtare të përshtasin legjislacionin përkatës. Për më tepër, bilancet duhet të jenë të strukturuara dhe të shpalosen në rrafsh të përbashkët, në të njëjtën gjatësi vale me praktikat më të mira ndërkombëtare, në mënyrë të tillë që përpunimi i rezultateve të jetë sa më transparent, si për qytetarët ashtu edhe për qeveritarët. Nga marrja në shqyrtim e krizës që po kalojmë kemi nxjerrë mësime të vyera. Kështu, do t?i kushtojmë kujdes madhor vendeve ku politikat e bilanceve kanë vënë në rrezik stabilitetin, rritjen ekonomike dhe vendet e punës, si në vendet e tyre ashtu edhe në pjesën tjetër të Evropës. Do të shmangin të gjitha mundësitë e shfaqjes në të ardhme të një krize në sektorin e financave publike, si ajo që doli në pah në Greqi. Në të njëjtën kohë, do të bëjmë kujdes për gjendjen makroekonomike të secilit prej vendeve anëtare, si dhe do t’i kushtojmë vëmendje të posaçme shenjave të para të çekuilibrave financiarë që mund të minojnë aftësitë garuese dhe kërcënojnë stabilitetin afatgjatë ekonomik. Më konkretisht, sapo të vëmë re simptomat e para të një tronditjeje në sektorin e pasurive të patundshme, shenja të dobësisë në sektorin bankar, të çekulibrave të fluksit të këmbimeve apo investimeve, do të na duhet të veprojmë në mënyrë të shpejtë e të prerë për të dhënë ndihmën e nevojshme për gjetjen e zgjidhjeve të problemeve në rrafsh nacional, e aq më tepër kur këto trazira shtrihen edhe në plan evropian. Në këtë mënyrë mund të shmangim tronditje të tilla si ato që u vërejtën në Irlandë apo Spanjë. Nëse masat parandaluese nuk do të jenë të mjaftueshme dhe shtetet anëtare nuk do të respektojnë detyrimet që lindin nga vënia në zbatim e legjislacionit të ri, ne duhet të shfaqemi të aftë për t’u dhënë zgjidhje këtyre situatave me afate të përcaktuar kohore, si në rastin e problemeve që mund të shquhen te bilancet, ashtu edhe ato të shpërpjesëtimeve makroekonomikë. Nëse këto vende nuk do t’u vënë veshin këshillave dhe paralajmërimeve tona në këto drejtime, ne do të propozojmë vendosje sanksionesh të ashpra financiare që do të zbatohen në mënyrë të atypëratyshme, në rast se propozimi i ofruar nga Komisioni Evropian nuk do të hidhet poshtë nga shumica e shteteve anëtare të eurozonës. Qeveritë që do të përpiqen të shtrembërojnë të dhënat duke tjetërsuar statistikat, do të bëhen objekt i masave të rrepta. Gjithçka do të bëjë udhë në mënyrën më demokratike dhe transparente, dhe kjo falë Parlamentit Evropian që ka luajtur një rol përcaktues e të dobishëm në këto marrëveshje. Seancat e debateve nuk do të mbahen më me dyer të mbyllura dhe ministrat nuk do të munden më të shprehen në mënyrë të dykuptimtë në lidhje me gabimet e kryera nga kolegët e tyre. Kur papërgjegjshmëritë apo shkujdesjet e qeverisë X vënë në rrezik kursimet e qytetarëve të vendit Y, këtyre të fundit - përmes përfaqësuesve të tyre në parlamentin evropian - u lind e drejta t’i kërkojnë llogari qeverisë X për mënyrat e administrimit financiar. Kjo është një çështje që lidhet drejtpërsëdrejti me barazinë, në një Bashkim që mbështetet te solidariteti dhe bashkëndarja e sovranitetit. Cilat do të jenë pasojat e kësaj mënyrë të re të qeverisjes ekonomike? Epo, paketa e re gjashtë akteve ligjore nuk është ilaçi që shëron njëherazi të gjitha sëmundjet. Kjo paketë u tërheq vëmendjen shteteve anëtare të përkushtohen në periudhë afatgjatë - e shkruar qartë por shpesh e shpërfillur - tamam ashtu siç thuhet fjalëpërfjalshëm në Traktatin e BE-së: “Të vlerësohen politikat ekonomike si çështje të interesit të përbashkët”. Këto rregulla të reja i detyrojnë qeveritë që të përballen me përgjegjësitë që i lidhin me përkatësinë e tyre në bashkësinë evropiane në rrafsh ekonomik e monetar; me qëllim që të ndërveprojnë përmes një politike të kujdesshme të bilanceve, e shkoqitur për të dhënë fryte në afatgjatësi dhe jo vetëm për të korrur frytet e fushatës së zgjedhjeve të radhës; që të bëjnë mjaft kujdes për stabilitetin ekonomik, për rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe cilësisë së vendeve të punës, si dhe t?i peshojnë përgjegjësitë e tyre evropiane ashtu siç veprojnë edhe me detyrimet e tyre karshi qytetarëve të vendit që i përkasin.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›