E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si na vjen fundi!



Në sallën e errët të teatrit do të na kujtohet një frazë e autorit Samuel Beckett, ku thotë: “Fundi është në fillim dhe ne akoma vazhdojmë. Kohë s’ka patur dhe koha mbaroi”. “Fundi i lojës”, është vepra prej nga është shkëputur ky diktat i autorit të teatrit absurd, e cila nesër në mbrëmje vjen në formën e një shfaqjeje. Ka guxuar regjisori i ri, Elis Mataj të konkretizojë këtë vepër në Teatrin Kombëtar, e para që do të shënojë kryet e repertorit të tij si regjisor i ardhshëm

Jeta nuk është vetëm një segment, me një fillim dhe një fund... ndoshta të largët. Shumë nga ne, fundi i këtij segmenti nuk është i pranueshëm, në një formë apo në një tjetër gjendet metoda e shmangies. Në sallën e errët të teatrit do të na kujtohet një frazë e autorit Samuel Beckett, ku thotë: “Fundi është në fillim dhe ne akoma vazhdojmë. Kohë s’ka patur dhe koha mbaroi”. “Fundi i lojës”, është vepra prej nga është shkëputur ky diktat i autorit të teatrit absurd, e cila nesër në mbrëmje vjen në formën e një shfaqjeje. Ka guxuar regjisori i ri, Elis Mataj të konkretizojë këtë vepër në Teatrin Kombëtar, e para që do të shënojë kryet e repertorit të tij si regjisor i ardhshëm. Në këtë shfaqje do të luajnë aktorët Florand Veizi, Edmond Hafizademi, Sulejman Lokaj, Xhulieta Veizi. Në një intervistë, regjisori i ri Mataj flet mbi emocionet që po përjeton vetëm një ditë nga përcjellja e shfaqjes së tij të parë, atë çka e ka nxitur të riun të shfletoj faqet e absurditetit, apo dilemën e pritshmërisë së shfaqjes.

Të shtunën do të vini premierë shfaqjen tuaj të parë në Teatrin Kombëtar. ǒmund të na thoni rreth kësaj shfaqjeje?

Shfaqja që do të vë në këtë fundjavë titullohet “Fundi i Lojës”, vepër e Samuel Beckett, e cila i përket teatrit absurd. Ngjarja zhvillohet diku, e cila nuk ka asnjë lloj përcaktimi as në kohë, as në vend. Diçka është e qartë dhe e dukshme që katër personazhe zgjasin ekzistencën e tyre me gjëra të pakuptimta, të kota dhe në mënyrë rutine. Qëllimi i këtyre veprimeve vjen thjeshtë për të vonuar fundin e pashmangshëm. Personazhi kryesorë është Hamm, një i verbër dhe i paralizuar. Në vepër luan edhe Clov, i cili është i destinuar të mos ulët as edhe një herë, duke qenë se është djali i adoptuar i familjarëve. Po ashtu janë edhe dy prindërit e Hamm, Nagg dhe Nell, ku që të dy qëndrojnë në një kazan plehrash. Pra, janë një familje që Beckett i tregon në kushte mizerable dhe të pamundura për njerëzimin. Vepra ka një temë ekzistencialiste, nga vetë autori, i cili tregon fundin e pashmangshëm të njerëzimit, ose të ekzistencës sonë. Nga ana tjetër, ne mundohemi që ta shtyjmë me veprime të ndryshme, produkte të shumëllojshme të fantazisë, vetëm e vetëm që të tregojmë se fundi është i largët. Por, dihet se pavarësisht përpjekjeve, tentativa nga më të ndryshmet, fundi është i pashmangshëm. Në analizën që i kemi bërë pjesës kemi dashur të përfshijmë disa idetë tona, më tepër për një sistem që është në dekompozim e sipër. Mënyra e këtij sistemi për t’i rezistuar sa më shumë fundit të pashmangshëm është e njëjta gjë si në temën e ekzistencializmit. E mbi të gjitha, është e nënkuptuar, fundi do të vijë...

Në një analizë që i keni bërë veprës, thatë që keni përfshirë edhe disa ide të reja, tuajat në këtë vepër. Për çfarë idesh është fjala konkretisht? Cilat janë ato?

Për të mos e bërë shumë demoralizuese për publikun, u munduam që të merrnim një simbol tjetër dhe ta bashkëngjitim në vepër. Por, gjithsesi ideja mbetet e njëjta. Pra, fundi gjithmonë është dhe do të jetë i paevitueshëm, për gjithçka, si për njerëzimin ashtu edhe për çdo lloj sistemi të dekompozueshëm. Edhe për ne po ashtu, u pa nevojshme për ta bërë shfaqjen sa më të kuptueshme edhe për spektatorin në sallë. Ishte një zgjidhje edhe për ne organizatorët e veprës.

Samuell Becket një autor që i përket veprave filozofike më së shumti. Pse kjo vepër, pra “Fundi i Lojës”?

Këtë vepër kam shumë kohë që e kam lexuar, e rilexuar si dhe kam dashur ta vë në skenë, por pamundësia dhe elementë të tjera burokratike nuk më kanë lejuar. Është një vepër që përmban pak a shumë të njëjtën ide, që kam edhe unë, ose mënyra e të menduarit mbi diçka që është e pashmangshme. Mënyra e shkrimit të këtij autori është vërtet prej një gjeniu për këtë lloj teatri.

Çfarë ndikimi mund të ketë vepra e Beckett, në këtë rast shfaqja juaj, tek spektaori?

Arsyeja ime, ose e çdo regjisori që trajton një vepër të tillë, filozofike është vetëm që publiku në momentin që e shikon, e ndjen të “zhytet” thellë në mendime. Nuk është e rëndësishme shumë që ai të kuptojë temën, apo idenë e asaj çka dua të tregoj unë, si regjisor. Dihet, që çdo kush ka individualitetin e tij dhe mënyrën e të kuptuarit po ashtu në mënyrën e tij. Kështu, nëse spektatori sapo del nga salla e tetarit duke menduar për shfaqjen se çfarë ka dashur të përcillet, apo çfarë ai vetë ka kuptuar nga ajo vepër, në këtë moment është arritur qëllimi im. Publiku përballë këtyre veprash duhet të tregojë se ka qenë prezent në atë shfaqje duke i dhënë një impakt ajo pjesëmarrje.

Cili është koncepti juaj regjisorial, në këtë vepër?

Koncepti im regjisorial nuk lëviz shumë nga ai i autorit. Ka qenë thjeshtë përshtatja në vendin tonë, mentalitetin që kemi ne në Shqipëri për tu afruar më shumë me njerëzit. Është një temë që ka pasur dhe ka një publik shumë elitar. Në këtë rast, unë kam dashur që vepra t’i serviret publikut në një mënyrë shumë të thjeshtë që të mos duket as si një teatër absurd. Por gjithçka vjen në mënyrë shumë realiste që ajo të kuptohet. Ky ka qenë synimi im final.

Ndërkohë ju na treguar se dy prej aktorëve do të paraqiten në një kazan plehrash mbi skenë. Çfarë simbolizon ky detaj ?

Kazani i plehrave në skenë simbolizon ciklin e sistemit të dekompozuar, siç folëm edhe më lart. Në këtë rast ne kalojmë pak edhe nga personazhet. Në qoftë se jeta dy personazheve janë vendosur në një kazan plehrash do të thotë se janë vendosur nga dikush tjetër. Janë vendosur nga aktori kryesorë që është i biri i tyre. Ai është i verbër dhe i paralizuar ka premisat që të shndërrohet dhe vetë ai si prindërit e tij, aktual. Pretendohet që babi i tij ka qenë si Hamm, ndërkohë që autori Beckett luan me lojën e cikluar të ngjarjeve. Pra, nuk ka një fillim dhe një fund, por çdo gjë përsëritet. Ata personazhe tregojnë se në çfarë marrëdhëniesh kanë qenë me prindërit e tij dhe si janë në ato momente.

Çfarë ka aktuale në këtë shfaqje?

Shfaqja ka diçka aktuale për publikun kur të jepet në fundjavë. Jeta nuk është vetëm të lindësh dhe të merresh me gjëra të pakuptimta thjeshtë sa për të kaluar, e përcjellë ditët e shënuara. Të duket e bukur edhe me rutinën, e gjëra të kota që nuk njohin perspektivën e së ardhmes. Jeta duhet të shfrytëzuar për ndërmarrje më madhore, sepse kur njeriu ndodhet në prag të vdekjes të mendojë se ka bërë diçka të vlefshme për këtë ekzistencë që ka pasur. Të ndjej gjithkush se arsyet që e pasura në jetë, të jenë realizuar, ose thjeshtë përpjekja për ti arritur ato. Edhe mundimi për të bërë diçka është një arritje me vete.

Para se të fillonim intervistën po më shprehje shqetësimin e gjetjes së aktorëve në një vepër si kjo e Becket, me pikëpamje filozofike. Si e keni zgjidhur këtë element kyç të shfaqjes?

Problemi i aktorëve është shumë i madh, në momentin e përzgjedhjes së tyre për një vepër të caktuar. Unë jam munduar që të gjej aktorë jo vetëm profesional, por edhe të zgjuar sepse ajo vepër kërkon një përshtatje, një mënyrë të të kuptuarit nga ana e aktorit. Kjo vepër është bazuar më tepër në analizë se sa në mizanskenë. Kështu unë jam munduar që të gjej aktorët që në bazë të analizës që bëja unë, të ishin edhe ato vetë prezent për të kuptuar gjithçka që do të zhvillohej. Aktorët i përzgjodha në bazë të njohjes. Regjisori është i kujdesshëm që në çdo shfaqje të jetë i pranishëm. I ndjek të gjitha veprat, bashkë me mënyrën aktoreske të dhe aftësitë e tyre në skenë. Veç kësaj, me njërin prej aktorëve kam punuar edhe më parë për një shfaqje tjetër (e cila për disa shkaqe nuk u shfaq), dhe i kam evidentuar aftësitë e tij në skenë. Është fjala për aktorin që luan rolin kryesorë. Po ashtu edhe aktorët e tjerë i kam parë ë shfaqje të ndryshme.

Si ndiheni para shfaqjes, ajo nesër vihet në skenë?

Ndihem shumë i emocionuar, pasi është edhe shfaqja ime e parë nga ana profesionale, pra jashtë shkollës, të cilën e kam përfunduar para pesë vitesh. Po ashtu të vësh një shfaqje në Teatrin Kombëtar ka një domethënie shumë të madhe, sidomos për ne të rinjtë. Jam edhe në pak në dilemë, për shkak të vështirësisë së pjesës që do të vihet, apo edhe lidhja me publikun, e impakti tek ata. Shpresoj që gjithçka të shkojëmirë.

I keni parë shfaqjet e tjera konkurruese?

Po, i kam parë të gjitha.

Si të janë dukur? A i keni parë ato më tepër me syrin e kritikës për të përfituar nga gabimet e tyre?

Në fakt, ato kanë qenë të gjitha vepra të autorëve të famshëm, dhe të gjitha realiste, e si rrjedhim nuk mund të bëja dot një krahasim me shfaqjen që do të vej unë. Ajo është shumë filozofike. Nuk ishte e nevojshme t’i shikoja me syrin e kritikës, pasi të gjithë i njoh si regjisor, pasi kemi qenë bashkë në shkollë. Nuk i kam parë me sy kritik, megjithëse kam evidentuar nga ana profesionale, jo ideologjike anë të mira, dhe të këqija, probleme të vogla. Mbi të gjitha regjisorët janë të përgatitur, ashtu si edhe aktorët. Në një kompeticioni e mira është që të ketë performanca të mira, për tu dalluar edhe vlerat e gjithë secilit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›