E Shtunë, 31 Tetor 2026

'Tesis' filmi i regjisorit spanjoll

Takohu me Amenabarin


Takimi i kësaj të premte me kinemanë spanjolle do të jetë me filmin "TESIS", me të cilin regjisori Alejandro Amenábar debutoi në vitin 1996. Filmi është prodhuar nga një tjetër regjisor i kinemasë spanjolle, José Luis Cuerda, i cili shfaqet shkurtimisht në film në rolin e një profesori universiteti.


Me një sukses të dukshëm të kritikës dhe publikut, ky film shënjoi fillimin e karrierës së këtij regjisori të famshëm ndërkombëtar sidomos me filmat "Me detin brenda" (rol kryesor Javier Bardem) dhe "Të tjerët" (rol kryesor Nikol Kidman).


Protagonistja e tij, Anxhela, një studente e shkencave audiovizuale, teza e së cilës trajton temën e kinemasë së përgjakshme dhe të dhunshme, përfshihet aksidentalisht me një grup i cili brenda universitetit të saj, merret me filmimin dhe shpërndarjen e kasetave "snuff" (degjenerimi i kinemasë së përgjakshme).


Amenábar eksperimenton me suspensën, një zhanër jo shumë i përhapur ndërmjet regjisorëve të kinemasë spanjolle. Dhe ja arrin të përcjellë një dozë të mirë tensioni.


"Tesis" shfaqet në Akademinë e Filmit dhe Multimedias "Marubi", në orën 19:00, në versionin origjinal me titra në anglisht.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›