E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëbora mbulon Shqipërinë, të gjitha akset rrugore të kalueshme

Situata paraqitet e normalizuar. Në ndihmë të komuniteteve të banorëve në Mirditë ka ardhur kompania Bechtel-Enksa për zhbllokimin e akseve rrugore të bllokuara nga dëbora si në zonën e Fanit, Majë Malthit a gjetkë. E njëjta ndihmë po jepet edhe në Kukës, Tropojë, Mirditë dhe Elbasan Dëbora e dendur ka mbuluar dje shumicën e veriut të Shqipërisë, si dhe zonat malore në lindje e juglindje. Dëbora i ka kaluar 50 cm në disa zona të thella, ndërkohë që sinoptikanët kanë parashikuar reshje dëbore edhe gjatë gjithë natës së mbrëmshme. Situata paraqitet normale, përveç disa akseve rrugore që paraqesin vështirësi kalimi. Situata në veri të vendit pas vështirësive të krijuara një ditë parë si pasojë e reshjeve dhe erës së fortë është drejt normalizimit të plotë gjatë ditës së djeshme. Stuhia e shiut në formë cikloni e shoqëruar me erëra të forta, e cila nuk ka pushuar përgjatë gjithë natës, në zona veriore dhe verilindore të vendit ka vazhduar me reshje të dendura dëbore që kanë arritur trashësi të konsiderueshme në shumë zona. Kjo ka bërë që të ketë probleme në disa akse rrugore nacionale dhe rurale, ku trashësia e dëborës së rënë e ka kaluar 50 cm. Probleme janë shkaktuar në qarkullin rrugor si dhe furnizimin me energji elektrike. KUKES "Aktualisht në Kukës janë të kalueshme të gjitha akset kryesore rrugore, ndërsa edhe gjatë ditës së djeshme në disa segmente të aksit Kukës-Qafë Mali po vazhdohet të hidhet kripë për shkak të shtresës së akullit të krijuar gjatë orëve të natës", tha Drejtori rajonal i Mirëmbajtjes së Rrugëve, Rushit Gashi. Sipas tij, për mbajtjen nën kontroll të akseve rrugore Morin-Kukës- Qafë Mali, Kukës - Shishtavec, Kukës - Krumë dhe Kukës- Draj Rec, gjatë ditës së djeshme janë angazhuar 5 mjete borëpastruese, ndërsa edhe sot vazhdon punën një prej tyre në drejtimin Kukës - Draj Rec, ku edhe trashësia e akullit është më e madhe. "Kemi edhe mjete të tjera në dispozicion për të përballuar situatat, që mund të krijohen gjatë dimrit, por gjatë ditës së djeshme aq ishte e nevojshme të nxirreshin në punë për të mbajtur nën kontroll situatën e për të mos lejuar bllokimin e akseve kryesore rrugore", theksoi Gashi. Ndërkohë, është normalizuar edhe furnizimi me energji elektrike që ishte ndërprerë për disa orë gjatë ditës së djeshme si pasojë e erërave të forta. "Aktualisht të gjitha zonat e rrethit furnizohen me energji elektrike, ndërsa ndërprerjet janë për shkak të kufizimeve që kryhen si zakonisht", pohpojnë burime zyrtare të agjencisë rajonale të KESH-it. Një ditë më parë rrethi i Kukësit u përfshi nga erëra të forta, reshje shiu e dëbore, trashësia e së cilës në zonat e mbi 1000 metra mbi nivelin e detit arriti mbi 20 centimetra, duke shkaktuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve në akset rrugore. Ndërkohë, në akset rrugore vazhdojnë kontrollet e përforcuara të strukturave të policisë që nuk lejojnë lëvizjen e mjeteve pa zinxhirë, kryesisht për shkak të shtresave të akullit të krijuara në rrugë. TROPOJE Edhe në Tropojë qarkullimi i mjeteve në të gjitha akset kryesore rrugore të rrethit të Tropojës është normalizuar gjatë ditës sotme, për shkak të masave të marra për zhbllokimin e tyre nga reshjet e dëbores që ranë ditën e djeshme. "Për këtë qëllim gjatë ditës së djeshme kanë punuar 3 mjete të ndërmarrjes rrugore, që kanë bërë të mundur mbajtjen hapur të aksit rrugor Fierzë - Bajram Curri - Qafë Morinë, Bajram Curri - Kam Tropojë e Bajram Curri - Qafë Mali", tha nënprefekti i qarkut, Syl Smajlaj. Sipas tij, aktualisht nuk kemi zona të izoluara nga reshjet e dëborës së një dite më parë. Rrethi i Tropojës u përfshi ditën e djeshme nga reshje dëbore e erëra të fuqishme, që shkaktuan dëmtimin e rrjetit elektrik në shumë zona, si dhe ndërprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm të konsumatorëve. "Edhe pse është arritur që ujësjellësi të furnizohet me energji elektrike, nga erërat e forta të mëngjesit të një dite më parë është dëmtuar edhe tubacioni kryesor, ku vazhdojnë punimet për riparimin e tij duke shfrytëzuar edhe motin e mirë të ditës së djeshme", nënvizoi Smajlaj duke shtuar se parashikohet që i gjithë procesi i riparimit të defekteve të përfundojë brenda ditës së djeshme. "Sot kemi mbledhur edhe shtabin e emergjencës së rrethit me synimin e koordinimit të punëve për të bërë të mundur furnizimin e banorëve të qytetit e të fshatrave përreth tij me ujë të pijshëm, atje ku situata është më problematike", tha Smajlaj. MIRDITE Më se gjysma e fshatrave dhe qendrave të banuara të Mirditës është mbuluar nga dëbora, ku dendësia më e madhe e rënies së saj është shënuar në zonën e Fanit, Sielitës, Kacinarit dhe Oroshit. Në shumë fshatra të këtyre zonave është ndërprerë plotësisht energjia elektrike dhe është vështirësuar komunikimi rrugor. Burimet nga filiali elektrik bëjnë të ditur se erërat e forta dhe reshjet e dendura kanë dëmtuar shtylla të shumta të tensionit të mesëm, duke lënë pa dritë thuajse gjysmën e Mirditës, ndërsa janë ngritur grupe riparimesh të emergjencës që po punojnë në terren. Probleme janë shfaqur në shkolla, kopshte e çerdhe, ku për arsye tenderimesh të vonuara, ende nuk janë siguruar drutë e zjarrit për ngrohje. Sa i përket akseve rrugore, në ndihmë të komuniteteve ka ardhur kompania Bechtel-Enga për zhbllokimin e akseve rrugore të bllokuara nga dëbora si në zonën e Fanit, Majë Malthit a gjetkë. Disa makina borëpastruese po punojnë për të mbajtur të hapur aksin rrugor në Qafë Benë e Qafën e Malit nga ku kalojnë dhe automjete të Kosovës. ELBASAN Në qarkun e Elbasanit reshjet e shumta të shiut të shoqëruara me dëborë në zonat malore nuk kanë shkaktuar probleme serioze por megjithatë situata në disa zona të veçanta ka qenë problematike. Gjatë fundjavës shqetësime janë shfaqur në qarkullimin automobilistik në dy segmente të rëndësishme të rrugës kombëtare që lidhin kryeqytetin me rajonin e Shqipërisë Juglindore. Sipas burimeve zyrtare të policisë nga rënia e reshjeve të dëborës kalimi i Qafë Kërrabës dhe i Qafë Thanës ka qenë i vështirë edhe pse trashësia e dëborës ka qenë e vogël. Megjithatë gatishmëria e mjeteve borëpastrues ka garantuar qarkullimin normal të të gjitha llojeve të automjeteve. Edhe pas ndërprerjes së rënies së reshjeve probleme ka patur në vendin e quajtur Kthesat e Murrashit në aksin e rrugës kombëtare Librazhd Elbasan ku herë pas herë ka rrëshqitje të masive me inerte nga shpatet e pambrojtura me rrjeta të kodrave që ndodhen përgjatë gjithë rrugës automobilistike. Ndërkohë që nga vërshimi i shtratit të Shkumbinit në qytetin e Librazhdit janë dëmtuar pjesërisht tri prita lumore. Nëse dëmtimi i tyre do të vazhdojë një lagje e re e ndërtuar përgjatë rrjedhës së këtij lumi rrezikohet seriozisht. Nga ana e strukturave të pushtetit vendor janë marrë të gjitha masat për të shmangur situatat kritike që mund të shkaktojë moti i cili është përkeqësuar së tepërmi dhe që po shoqërohet me reshje të dendura shiu e dëbore. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›