E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krejt e kotë

Udhëheqësit e Kosovës refuzojnë në Londër versionin e rishikuar të planit gjashtëpikësh

Liderët kosovarë kanë hedhur poshtë një version të ndryshuar të planit prej 6 pikash të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Dokumenti iu prezantua presidentit Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi në Londër nga vetë shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanieri. Sipas të përditshmes “Express”, ndryshimet në plan nuk ishin thelbësore, një arsye kjo e fortë që pala kosovare ta refuzonte dokumentin e ri. Takimi mes liderëve dhe shefit të UNMIK-ut u konfirmua nga zëdhënësi i misionit të OKB-së në Kosovë, Russel Geekie, i cili foli për një takim të shkurtër mes zyrtarëve. “Mund të konfirmoj që Zanieri është takuar shkurtimisht me liderët politikë të Kosovës në Londër, por nuk ka pasur diskutime”, tha ai. Ndryshimet në dokumentin gjashtëpikësh janë rezultat i takimeve të zyrtarit amerikan të Shtetit, Daniel Frid, me zyrtarë të OKB-së në Gjenevë, në përpjekje për ta bërë të pranueshëm për palën kosovare. Burime ndërkombëtare konfirmuan për gazetën, se një gjë e tillë u vendos në takimin e mbajtur në Gjenevë mes ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Frid dhe shefit të Departamentit të OKB-së për Operacione Paqeruajtëse (DPKO), Alen Lë Rua, si dhe shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zanieri. Frid, i cili ka udhëtuar në Gjenevë pas dy ditë bisedimesh me liderët kosovarë, ka deklaruar në Prishtinë se qëndrimet kosovare duhet të merren parasysh sa i përket planit gjashtëpikësh dhe zbarkimit të EULEX-it. Diplomati amerikan bisedoi me zyrtarë të OKB-së, pasi mori platformën e zyrtarëve kosovarë të përmbledhur në katër pika, që hedh poshtë planin aktual të Ban Ki Munit. Sipas “Express”, pas takimit të tij me zyrtarë të OKB-së, Zanieri është udhëzuar të takojë sa më parë krerët politikë të Kosovës, për t’u prezantuar një version të ri të planit gjashtëpikësh. Meqenëse liderët kosovarë ndodhen në Londër për një vizitë dyditore, Zanieri është detyruar të udhëtojë të mërkurën pasdite nga Zvicra në kryeqytetin britanik. Por edhe versioni i ri i gjashtëpikësisht u refuzua nga liderët kosovarë, pasi ai bie sërish ndesh me sovranitetin e Kosovës. Sejdiu përsëriti para nisjes në Londër, se Misioni i BE-së duhet të ketë mandat në përputhje me planin e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Kosovës. “EULEX-i nuk do të ketë kuptim tjetër, nëse nuk shtrihet në gjithë territorin e Kosovës. Për ne është ky vizion dhe në këtë vizion do të ecim”, tha ai në aeroportin e Prishtinës. Ndërkaq, për Beogradin, bisedimet mbi EULEX-in tashmë kanë përfunduar dhe pritet vetëm vendimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që do të mblidhet javën e ardhshëm. Pala serbe është mëse e kënaqur me planin gjashtëpikësh të Ban Ki Munit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›