E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si po na e shkatërrojnë personalitetin?

15-11-2011 / Nga Fahri Xharra

“Një zinxhir është aq i fortë sa hallka e tij më e dobët”

Ideja e personalitetit është shumë e ndërthurur, është e përcjellë nga idetë e shekullit që ajo po kalon ku ende sot është vështirë të gjendet një koncept i përafërt i shkollave dhe qëndrimeve të ndryshme. Njësia e personalitetit vjen nga mundësia e organizimit të vetëdijës si barazpeshë e tij. Etimologjia e emrit na mundëson që të kuptojmë domethënien: Personna, term latin i rrjedhur nga gjuha etruske që do të thotë: maska e teatrit antik grek që ishte ndërfytyra ndërmes aktorit, rolit të tij dhe publikut. Sot ideja e përgjithshme që rrjedh nga vizionet e ndryshme të personalitetit është që ai është bashkësia e sjelljeve që e ndërtojnë një person dhe duke pasur parasysh përhershmërinë dhe vazhdimësinë e mënyrave të veprimit dhe reagimit, origjinalitetit dhe specificitetit dhe mënyra e saj për të qenë. Si po e ndërtojmë personalitetin tonë? Çka përgjigjemi në pyetjen se kush jemi? “Në shikim të parë parafytyra (imazhi)për vetveten nuk është një shprehje e thjeshtë: ajo krijohet duke kaluar nëpër përvojat tona, sukseset dhe dështimet tona, gjykimi i të tjerëve për veprimin dhe sjelljen tonë; në këtë mënyrë çdonjëri i fut në mbamendje një mori informatash për vetveten” (P.Warr,1987; Puna. Papunësia dhe shëndeti mendor. Claredon Press, Oxford). Ndërtimi i personalitetit duke u identifikuar nëpërmjet rrethit dhe reagimeve të mjedisit; ndryshimi i parafytyrës (i imazhit) duke iu falënderuar roleve të cilat i ofrojnë shkollat, aktivitetet familjare dhe argëtimi; mandej gjatë rritjes në moshën e pjekurisë për të dalluar vetveten me një personalitet më origjinal dhe më të thellë. Me rritje dhe pjekje zhvillohen aftësitë e zhvillimit duke u bazuar në atë se çka jemi të aftë të bëjmë e ndërkohë të krahasohemi me të tjerët dhe të çmojmë aftësitë e mundësitë tona për të gjykuar për vetveten. Si ndikojnë në personalitetin tonë: pamundësitë për punësim, rritja e çmimeve, zvogëlimi apo mospasja e të ardhurave, pasiguria në ushqim, frika për të nesërmen, pasiguria në ballafaqim me jetën. Kush është shkaktarë i personalitetit tonë të ndrydhur?: Çka është: dëshira për t’u futur në vetvete, ikja nga takimi me të tjerët, humbja e shpresave për një shkollë të mirë, për një martesë të lumtur ose për një jetë si i ka hije (Lombardo Foschi: The European origins of Personality, 2002).
Kush jam unë? Çka mësova? Çka po mësoj? Të rinjtë tanë që rrinë me një kafe para vetes e i humbin orët e mësimit në kafene, çfarë është personaliteti i tyre? Çdo dalje prej shtëpisë e mbyt personalitetin tonë edhe ashtu të shprishur. Ballafaqimet (sfidimet) janë teste të ndryshme natyrore që e vënë në sprovë personalitetin tonë. Sa jemi të aftë me atë që po mësojmë, me atë që po shohim e lexojmë të ballafaqohemi me ardhmërinë tonë. Në rastet e pasigurisë njeriu kërkon mbështetje, në raste të kërcënimit njeriu lyp shpëtim. Sa është e aftë e çka po bën shoqëria jonë në mirëmbajtjen e personalitetit tonë? Si ta pengojmë personalitetin  tonë që të mos na stërkeqet. Kush është i plotfuqishëm në këtë rast? Arsyetimet se jetojmë në kohën e ekonomisë së tregut, nuk do të thotë të kemi shkollën pa disiplinë, qytetarin e papërgjegjshëm dhe pushtetarin e korruptuar. Studimi i personalitetit është një degë që zhvillohet vazhdimisht dhe shumë me përparësi në ditët e sotme; Po si ndryshon personaliteti në boten e mospunës? Si ndihemi dhe si bëhemi kur jemi të aftë për punë e nuk kemi ku të punojmë? Po si ndryshon personaliteti ne botën e mosmësimit? Po si ndihemi kur në shkollë shkojmë e mësojmë shumëpak apo hiç? Njohja aktuale e personalitetit (Raymon Catell, Personality) duhet të japë përgjigje të shumta si: për cilat vendime është e dobishme të njihet personalitetit në jetën e punës? Në cilat përmasa, personaliteti është stabil gjatë jetës? A ka personalitete “të forta” dhe “të dobëta”? Cili është roli i trashëgimisë në personalitetin tonë? Sa janë të nevojshme nevojat personale? C.G Jung në librin “Dialektika ime dhe te pavetëdijshmit” thotë: “Personaliteti nuk është vetëm ndikimi që ushtrohet nga një individ e i cili të le të kuptosh për një personalitet shumë të fortë. Personaliteti është ndërtimi kompleks, i vetëm i shkakut në përbërësit e tij të ndryshëm. Personaliteti nuk është ndonjë ideal që individi i jep vetes këtë apo atë imazh që do të thotë që kërkojmë të kultivojmë personalitetin. “Personaliteti është një strukturë shumë komplekse. Për të thjeshtësuar e kuptuar, ajo është si një kokë qepe që është e përbërë nga shumë shtresa njëra pas tjetrës. Shtresa e parë është ajo e Unit social. Identiteti personal nuk është dhënë si një e bëme, si një etiketë, të cilën duhet vetëm ta lexosh. Ajo e ka një dinamikë. Ajo merr pjesë në vetëdijen tonë personale. Jeta është një evolucion shpirtëror konstant e cila na sjell një pjekuri. Vetëdija mund të rritet dhe të zgjerohet dhe duhet lënë unin e vjetër. Koha prodhon ndryshime në mënyrë të vazhdueshme. Sajimin e Personalitetit e bëjmë për të njohur të ardhmen tonë, që ndryshon në funksion të pasurive që i kemi në vetvete. Formimi i personalitetit tonë do të thotë ta njohim dhe dominojmë të ardhshmen tonë. (Hansen Michel, Psikologjia e personalitetit). Ne kërkojmë ta sajojmë atë me qëllim të përmirësimit të tij. Ne i njohim pikat tona të forta, pikat tona të dobëta, ne jemi ata që jemi në vetëdijen tonë e ne përpiqemi që ta formojmë personalitetin tonë. Identiteti i  “UNË”-it, strukturohet në marrëdhënie të vetë trupit. Në pyetjen se “kush jam unë?”. Uni, në të vërtetë është një Ego Cogito (unë mendoj se unë jam) është i prodhuar nga të menduarit (Descart, matematikan francez). Ne mundohemi që së pari të japim një shenjë që na dërgon drejt trupit. Ne themi “unë” duke shenjuar dhe treguar nga trupi ynë. Identifikimi i parë i vetëdijes është në vetë trupin si një fytyrë e vetes. Trupi është ai që paraqitet, i cili shihet nga të tjerët. Për t`u treguar, për t`u parë dhe njohur nga dikush. Por, për më tutje në jetë a mjafton vetëm kjo? Si duket tani për tani duhet të kënaqemi vetëm me atë që ekzistojmë. A hiç më tepër a?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›