E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri norvegjez: Jam i impresionuar, asnjë vend evropian nuk ka pasur një rritje ekonomike më të lartë se Shqipëria

15-11-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha promovon në Norvegji lehtësitë për investime të huaja, veçanërisht në energjetikë. Forumi Ekonomik mes dy vendeve mblodhi mbi 50 kompani, të cilat shfaqën interes për të investuar në disa sektorë
Berisha-Stoltenberg: “Dy vendet tona, marrëdhënia shumë të mira dypalëshe”

“Ne kemi parë një performancë ekonomike jashtëzakonisht të mirë, të bazuar në rritjen ekonomike. Vështirë se ndonjë vend tjetër në Evropë ka pasur rritje ekonomike më lartë dhe më të fortë se Shqipëria”.
Kështu u shpreh dje kryeministri norvegjez, Jens Stoltenberg në takimin e zhvilluar në Oslo me kryeministrin shqiptar, Sali Berisha. Berisha pati një drekë pune me homologun e tij, Stoltenberg. Kryeministri norvegjez vlerësoi progresin ekonomik të Shqipërisë, duke e cilësuar atë një shembull për vendet e Evropës, të cilat s’arritën të kenë rritjen ekonomike të vendit të vogël ballkanik.
“Ne jemi dy vende që kemi marrëdhënie shumë të mira bilaterale. Ne shqyrtuam mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit, veçanërisht, në fushën e energjisë, në sektorin hidro-energjtik ku kompanitë norvegjeze dhe një kompani e quajtur Statkraft po marrin pjesë në zhvillimin e një projekti të madh të hidrocentraleve në Shqipëri, në Devoll. Gjithashtu, diskutuam potencialin e zhvillimit të bashkëpunimit në të gjitha format e energjisë, të energjisë se gjelbër, energjisë diellore, por, gjithashtu, edhe gazit, projektit Trans Adriatik Pipeline (TAP), i cili është në plan për të kaluar përmes Shqipërisë”, u shpreh kryeministri norvegjez, Stoltenberg.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha e cilësoi vizitën e tij në Mbretërinë e Norvegjisë, si të frytshme në aspektin ekonomik, pasi pati mundësinë të prezantonte potencialet ekonomike të Shqipërisë, për investitorët e huaj.
“Patëm rastin të ulemi e të flasim për mundësitë reale të vendeve tona dhe për të forcuar bashkëpunimin. Pa dyshim çështja më madhore ishte energjia. Dy ndër kompanitë më të mëdha norvegjeze në fushën e energjisë, Statkraft dhe Statoil, janë të përfshira thellësisht në punën në Shqipëri. Edhe kompani të tjera po punojnë. Kryeministri më siguroi që do të mbështesë plotësisht investitorët dhe kompanitë norvegjeze që do të investojnë në Shqipëri në fushën e energjisë, si dhe të fuqizojmë bashkëpunimin në këtë fushë kaq nevralgjike, siç është energjia. Folëm, gjithashtu, për investimet në turizëm”, u shpreh Berisha.
Kryeministri informoi se kompanitë norvegjeze shfaqën interes për të investuar në fushën e energjisë.
“Norvegjia është lideri i Evropës në energjinë ujore, është lider në botë në ndërtimin e hidrocentraleve në të katër anët e planetit. Ndërmarrja kryesore e tyre energjetike është me investimin e saj në Shqipëri, në projektin më të madh të Shqipërisë, aktualisht edhe të Evropës, kaskadën e Devollit. Interesi ynë i madh është që kompani të tjera norvegjeze të  marrin pjesë në ndërtimin e hidrocentraleve në vendin tonë, me të cilat Shqipëria është e vendosur të ecë drejt një të ardhmeje jeshile, drejt një zhvillimi jeshil të saj. Unë e konsideroj një sukses të plotë këtë Workshop që u organizua këtu me kompani të shumta norvegjeze të fushës së energjisë dhe ndihem shumë i inkurajuar nga interesi i tyre, interes i cili ka filluar që dje në mbrëmje gjatë darkës që patëm, ku shumë prej tyre kanë treguar një interes të madh për kaskadat e Matit, lumenjve të Librazhdit, por edhe për kaskada të tjera. Sikundër, biseda që pata me kompaninë Statkraft, lidhur me hidrocentralin e Banjës, ishte jashtëzakonisht e rëndësishme. Statkraft hap tenderët për punimet civile në janarin që vjen, ndërkohë që ka përfunduar të gjitha studimet. Në takim diskutuam për ndërtimin e rrugës së re që lidh rrethin e Gramshit dhe i garantova që qeveria miraton së shpejt projektplanin e ndërtimit të kësaj rruge në KKRRSH dhe se është e vendosur që menjëherë të fillojnë punimet, në mënyrë që qytetarët e Gramshit të kenë një rrugë të re panoramike, ndër më të bukurat, buzë liqenit. Ishte një interes shumë i madh i kompanive norvegjeze, por e vërteta është se këto interesa tashmë janë ekzistuese në Shqipëri, pasi janë një seri lumenjsh në të cilat shumë kompani norvegjeze po funksionojnë. E rëndësishme është se aty kishte dhe shumë bankierë mjaft të interesuar për të financuar këto projekte”, u shpreh kryeministri Berisha.
I shoqëruar nga një delegacion me përfaqësues të bizneseve shqiptare që operojnë kryesisht në fushën e energjetikës dhe Teknologjisë së Informacionit, Berisha mori pjesë në Forumin Ekonomik Shqipëri – Norvegji, në fokus të të cilit ishte forcimi i bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e energjisë dhe Teknologjisë së Informacionit e Komunikimit.
Pjesëmarrës në këtë Forum ishin rreth 50 kompani nga të dy vendet, si dhe kompani të mëdha norvegjeze që kanë investuar apo synojnë të investojnë në Shqipëri, si Statkraft, Statoil, Hydroplan Green World, Pasco Energy, Wstcon Technology, Accenture, GIEK etj.
Në fjalën e tij, kryeministri bëri një ekspoze të zhvillimeve ekonomike në Shqipëri, reformave ekonomike e fiskale të ndërmarra nga qeveria shqiptare, si dhe u ndal, veçanërisht, në potencialet e mëdha që ofron Shqipëria dhe klimën tepër të favorshme për investimet në vend. Kryeministri Berisha ftoi sipërmarrësit norvegjezë të investojnë në Shqipëri, duke i garantuar se çdo projekt i tyre në vendin tonë do të jetë një histori suksesi për ta.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›