Si po rrënohet arsimi i lartë shqiptar
Por, ç’ndodhi realisht te ne në epokën postkomuniste? Fillimisht, në emër të progresit u vu re një shtim i paparë, por, për mendimin tim, fiktiv i numrit të kuadrove me tituj e grada shkencore, si dhe i të diplomuarve të shkollave të larta, gjë që erdhi si pasojë e liberalizimit të pakufizuar të normave e të kontrollit, duke e shpërdoruar kështu lirinë e fituar. Vetëkuptohet, niveli i zhvillimit të çdo vendi nuk mund të ketë si tregues absolut numrin e akademikëve, profesorëve apo doktorëve, as edhe të inxhinierëve, mjekëve apo agronomëve që ai ka, por cilësinë e tyre, e cila ka si tregues të saj nivelin e zhvillimit dhe përparimit të vendit! U vu re gjithashtu një eksplozion i vërtetë universitetesh, fakultetesh e degësh të reja, në Tiranë e në rrethe publike e private me kohë të plotë e të pjesshme, të krijuara si me urdhrin e peshkut, me infrastrukturë, bazë laboratorike, biblioteka e fonde në dispozicion, jo rrallë nën minimumin e domosdoshëm, me pedagogë të improvizuar, një tendencë marramendëse për shtimin fiktiv të kapacitetit të tyre, pa verifikuar më parë as mundësitë e universiteteve, por sidomos as edhe nevojat e tregut të punës që kontrollohet nga biznesi, i cili duhet të jetë mbështetësi kryesor i tyre. Ra në sy gjithashtu tendenca donkishoteske që, edhe në të njëjtin qytet, si Tirana për shembull, të ekzistojnë sa më shumë universitete me administrata të plota e të pavarura nga njëra-tjetra, që brenda një universiteti të ekzistojnë sa më shumë fakultete, në një kohë kur në botën e qytetëruar ndodh e kundërta. Le të hedhim sytë e të shohim se ç’ndodh në universitetet e komshinjve tanë, si në Selanik apo Bari, ku numri i studentëve nuk është më i vogël nga ai që kemi ne dhe do të konstatojmë se në të njëjtin universitet përmblidhen të gjitha fakultetet, që nga ai i inxhinierisë deri tek ai i bujqësisë, mjekësisë, shkencave të natyrës, ekonomisë, jurisprudencës, gjuhësisë etj., dhe të mos matemi e të imitojmë në strukturë e organizim universitetet amerikane, angleze, franceze apo gjermane, sepse nuk na përshtaten as si traditë dhe as si madhësi e potencial ekonomik i shteteve që i kanë. Lind pyetja, a ka patur mundësi financiare Shqipëria ta suportonte një ngarkesë të tillë? Për ata që e njohin arsimin, besoj se nuk duhet të jetë i panjohur fakti se studime serioze të kryera në vende si Danimarka, Kroacia, Hungaria, Izraeli etj., prej kohësh kanë arritur në konkluzionin se është vështirë që një shtet i nivelit të tyre të mbështesë më shumë se një universitet për një milion banorë. Kështu, për shembull, Holanda me 15, 8 milionë banorë ka vetëm 12 universitete, kur Shqipëria me pothuajse 4 milionë ka 26 universitete, nga të cilat 12 publike dhe 14 private. Dhe kjo duket se do të vazhdojë, pasi dëgjojmë premtime të tjera që bëhen për të hapur universitete edhe në ato pak qytete që nuk e kanë akoma një të tillë. Për mendimin tim, të gjitha këto kanë si shkak të përbashkët kurajën pa limit të atyre që marrin vendime për të arritur me çdo kusht disa parametra që i ka bota e zhvilluar. Ata, duke mos mundur të vënë dorë mbi problematikën kryesore që preokupon vendin, si papunësinë, energjitikën, nivelin e jetesës etj., treguesit e të cilave nuk arrihen me fjalë e vendime, por me punë vetëmohuese dhe fonde, atakojnë arsimin, treguesit e të cilit mund të arrihen lehtë në mënyrë fiktive, por që janë me pasoja katastrofike për të ardhmen.
Në këtë kontekst u zhvilluan para pak kohe te ne edhe zgjedhjet universitare, ecuria dhe rezultatet e të cilave nuk japin në të gjitha rastet garancinë e një ndryshimi të sigurt pozitiv. Në fakt, vazhdoi më se dy vjet, me një ritëm kreshendo, përpjekja e pretendentëve për të siguruar një vend drejtues në skakierën universitare, njëlloj sikur të ishim në zgjedhje politike, dukuri, e cila nuk vihet re kurrsesi në universitetet evropiane. Nuk konstatohet atje një dëshirë e tillë e ethshme për t’u bërë rektor apo dekan, përkundrazi, këto poste nuk preferohen, pasi të hanë kohë dhe nuk të japin asnjë supremaci ndaj të tjerëve. Interesi i profesorëve atje qëndron në departament (dikur katedër), aty ku bëhet puna shkencore e formohen studentët, masterat dhe doktorantët, me pak fjalë, te njësia bazë e universitetit. Atje profesorët konkurrojnë dhe marrin drejtimin e departamentit, detyrë e cila nuk akordohet si efekt i një votimi formal, ku të papriturat mund të jenë nga më anormalet, por si rezultat i vlerësimit real të nivelit shkencor dhe pedagogjik të kandidatit. Klasa e drejtuesve të departamenteve zgjedh pastaj nga radhët e saj rektorin (respektivisht dekanin), për një periudhë sa më të shkurtër, i cili vazhdon ta ruajë postin e tij si drejtues departamenti. Duke u marrë me anën organizative dhe të kontrollit të punës në universitet, rektori (respektivisht dekani) nuk ndërhyn kurrë në anën e brendisë së procesit mësimor, kërkimit shkencor dhe kualifikimit, të cilat janë atribute ekskluzive të departamenteve. Kështu, departamenti bëhet me të vërtetë njësia bazë e punës në universitet, ku rrihet mendimi i vërtetë shkencor e merren vendime me rëndësi, gjë të cilën në Shqipëri nuk e kemi realizuar asnjëherë. Dhe në mënyrë të natyrshme të lindin pyetjet: Po te ne përse nuk veprohet kështu? Përse gjithë këto tam-tame për të ashtuquajturat “zgjedhje universitare”? A mos vallë nuk kuptohet që, kështu siç veprojmë ne, i kthejmë ato në “zgjedhje politike”, duke nxitur lobingjet me baza nga më të ndryshmet? Përse duhet të marrin pjesë në zgjedhjen e rektorit apo dekanit anëtarët e trupit pedagogjik, akoma të pakualifikuar, personeli ndihmës dhe masivisht studentët, kur dihet që për pragmatizëm shumica e tyre do të preferonin në këto poste në vend të një profesori shkencëtar, kërkues dhe intransigjent, një profesor tjetër babaxhan e liberal që mbyll një sy e bën ndere? Vallë, nuk e dimë se një profesor i mirë, që e meriton me të vërtetë këtë titull, vlen sa dhjetëra me tituj të pamerituar, pavarësisht nga mosha, seksi, kombësia, performanca fizike, elokuenca e raca? Në rregulloret e zgjedhjeve ka edhe absurditete të tilla si ai i rregullores së zgjedhjeve të fundit, ku një profesori që kishte akoma për të punuar më pak se 4 vjet nga ç’parashikon ligji për të dalë në pension, nuk i lejohej të kandidonte as për autoritete dhe as për organe drejtuese në universitet, në një kohë që shumica e tyre bartin mbi supe jo vetëm nivelin më të mirë të formimit universitar dhe të përvojës didaktike e shkencore, por edhe përvojën e gjerë të prodhimit e të jetës, pa të cilat formimi teorik do të ishte i pazbatueshëm e për pasojë pa vlerë. Bota e qytetëruar për profesorët me vlerë e përvojë, të cilët nuk është lehtë të formohen, kur mbushin moshën e pensionit, zbaton një “status” të veçantë e dinjitoz, të miratuar nga shteti, duke iu dhënë mundësinë të punojnë, derisa të mundin dhe të jenë të nevojshëm për universitetin apo prodhimin. A nuk e imagjinojnë ata që bëjnë rregulloret se në këtë mënyrë në senatet, këshillat e fakulteteve e ato të departamenteve, sot mungon fjala e urtë e profesorëve me përvojë mësimore dhe praktike, mungon gjykimi i tyre kompetent, serioz dhe i rreptë si për mësimin, ashtu edhe për kërkimin shkencor, pa të cilat gabimet, shpeshherë fatale, do të jenë të paevitueshme? I papranueshëm është gjithashtu servilizmi dhe dorëzimi pa kushte i shumicës së drejtuesve të lartë të të gjitha rangjeve e fushave ndaj çdo autoriteti apo ideje që vjen nga jashtë, gjë që konkretizohet me fakte të shumta, të cilat i shikojmë në realitet ose i gjejmë të shkruara në rregullore, vendime e udhëzime siç është rasti i përparësisë që iu dha çdokujt që ka mbrojtur doktoraturën jashtë shtetit për të konkurruar për postin e dekanit, edhe pse ky vend normalisht duhet të pretendohet nga një pedagog që ka titullin profesor, duke i bërë kështu një zhvlerësim të bujshëm shkollës së lartë dhe sistemit të kualifikimit pasuniversitar shqiptar. Të vjen çudi se si mund të veprohet kështu, kur dihet që në Perëndim praktika e mbrojtjes së doktoraturave është një rutinë e standardizuar, gjatë së cilës kandidatët angazhohen edhe në procesin mësimor si asistent-pedagogë kryesisht për mësimet praktike dhe ushtrimet si mjet për të ngritur përgatitjen e tyre teorike në fushën përkatëse. Dhe mendoj se është pikërisht ky fakt që në shumicën e rasteve shfrytëzohet prej doktorëve të diplomuar jashtë, kur ata kërkojnë të bëhen këtu as. profesorë ose profesorë, duke shkruar në dokumentet e tyre se “kemi dhënë mësim në universitetet evropiane”. Po përse këta doktorë shkencash nuk marrin edhe titullin profesor atje në Perëndim dhe të fitojnë atje drejtimin e një katedre, instituti apo departamenti, të fitojnë atje një përvojë të mirë si të tillë e pastaj të kthehen për t’ia dhuruar atë vendit të tyre? Përgjigjja nuk është vështirë të gjendet, këta doktorë apo mastera janë të mirë për në Shqipëri, por jo për në Perëndim, atje duhet të punojnë me modesti fort e gjatë, para se të pretendojnë për ndonjë titull apo post të rëndësishëm. Me gjithë këto, në Perëndim, mbrojtja e doktoraturës nuk është çelësi i artë që të lejon të hapësh çdo derë, siç ndodh në Shqipëri. Atje një kandidat doktoraturën mund ta mbrojë qoftë fill mbas mbarimit të shkollës së lartë ose edhe më vonë, por pedagog i kësaj shkolle menjëherë mbas mbrojtjes së disertacionit në asnjë rast nuk mund të bëhet. Në mënyrë të veçantë për profesionet aplikative nuk mund të bëhesh pedagog i shkollës së lartë apo punonjës shkencor, nëse përveç doktoraturës nuk ke edhe një stazh të caktuar prodhimi, gjatë të cilit të kesh ushtruar zanatin. Dikur, para 1990, “shkolla e keqe e asaj periudhe” duket se e mbante parasysh këtë praktikë evropiane, ndërsa shkolla e sotme që pretendon aq shumë as e çan kokën për diçka të tillë.
Dhe këtyre universiteteve që kanë probleme të panumërta, që marrin nga shteti vetëm rrogat e pedagogëve dhe pak shpenzime kancelarie e për mirëmbajtje godinash, pa bërë fjalë për fonde për laboratorë, ekonomi didaktike, fonde për literaturë etj., këtyre universiteteve që nuk janë në gjendje të botojnë as 25% të librave, për të cilat ka nevojë procesi mësimor, pasi s’ka fonde për të paguar as shtypshkronjën dhe as autorët, këtyre universiteteve që për mangësi financiare i kanë çuar në absurd praktikat mësimore në terren, iu ngarkohet të kryejnë edhe kërkimin shkencor! Në këto kushte, në mënyrë të logjikshme të lindin pyetjet: A po shkon kështu drejt Evropës arsimi i lartë shqiptar? Kujt mund t’i duhet produkti i tij i bollshëm e mediokër, i cili më shumë pengon se sa sjell zhvillim? Sigurisht, për këto pyetje, po të duash, nuk është vështirë të përgjigjesh.
Autori është pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës