E Shtunë, 31 Tetor 2026

S'i prekin arushat e Shaip Mujës

Shteti po zbaton standarde të dyfishta ndaj arushave të ngujuara në restorantin që është pronë e familjes së Deputetit Shaip Muja. Katër arushat që po mbahen të mbyllura në Veternik, nuk e kanë shijuar lirinë që nga mosha 5 muajshe.

Janë të ngujuara për një kohë shumë të gjatë dhe për to nuk ka shkruar ndonjë gazetë prestigjioze, siç është "Washington Post".

Arushat në kopshtin zoologjik të improvizuar të Veternikut, fatmirësisht, nuk e kanë ndarë fatin me motrat e tyre në Mitrovicë të cilat u qëlluan për vdekje nga gjahtarët, të cilëve shteti u shqiptoi dënime.

Por, ndaj tyre Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po zbaton standarde të dyfishta duke mos guxuar t’i lëvizë nga Restoranti “Te Ariu”, që ka për pronarë familjarët e deputetit të PDK'së Shaip Muja, shkruan Express.

Aty vazhdojnë të mbesin të ngujuar 4 arusha që nga mosha 5 muajshe.

Ekipi i Express ka vizituar këtë restorant ku punëtorët kanë thënë se janë në dijeni për fushatën e nisur nga Ministria dhe IKMN.

“Nuk e dimë çfarë lloji janë, ne i kemi marrë kur i kanë pasur nga pesë muaj, pra krejt të vogla kur janë kanë në malet e Kosovës edhe vet i kemi rrit. Ne e dimë veç që iu thonë arusha”, ka thënë njëri nga punonjësit e restorantit.

Por menaxherit të lokalit nuk i vjen shumë mirë kur gazetarët interesohen për arushat.

“Çka po ju intereson juve kjo punë”, thotë Blerim Ademi.

“E kemi krejt dokumentacionet për arinjtë, kemi folë dhe krejt i kemi rregulluar me ata të Ministrisë”.

Menaxheri Ademi tha se kanë pasur vizita nga Ministria lidhur me çështjen e arinjve pas nisjes së fushatës.

Por kjo u mohua nga një punëtor tjetër, i cili foli shkurt për gazetën.

“Jo more nuk janë kanë kurrë të Ministrisë këtu”, tha ai.

Sido që të jetë, Ademi thotë se nëse Ministria ua kërkon arinjtë për t’i dërguar në strehimoren afër Liqenit të Badovcit, ata do t’i japin.

“Ne kemi luftu për këtë shtet edhe për këtë liri edhe nëse shteti i lyp ua japim”, tha menaxheri Ademi për Express.

Çuditërisht në vendin tonë kohëve të fundit është shtuar kujdesi për arushat. Me ndihmën e fondacionit për mbrojtjen e kafshëve “Vier Pfoten”, me seli në Vjenë është ngritur një strehimore ku para pak ditësh janë dërguar dy arinjë nga Qafa e Duhlës që po ashtu kanë qenë të ngujuar në një restorant. 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›