Banorët e Fortesës sulmojnë investonin turk, Smajl Latifi e mbron

Pas incidentit të ndodhur sot në fshatin Fortesë (ish Bellacerkë), me rastin e fillimit të punimeve për ngritjen e fabrikës së tjegullave nga investitori turk, me ç’rast është sulmuar përfaqësuesi i investitorit turk, ju bëjmë thirrje banorëve të këtij fshati që të ruajnë gjakftohtësinë dhe të shfaqin respekt të plotë ndaj institucioneve lokale e qendrore të Republikës së Kosovës, thuhet në një komunikatë të kryetarit të Rahovecit, Smajl Latifi.
“Ne jemi shumë të interesuar që investimet e jashtme të shtohen, duke ndikuar që të ulet papunësia dhe të rritet mirëqenia sociale. Në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që interesi i qytetarëve tanë të cenohet, mirëpo kërkojmë që pakënaqësitë të shprehen në mënyrë demokratike dhe të ligjshme” shtohet më tej në këtë njoftim të kreut të Rahovecit.
Sipas Latifit, investimi në fjalë është mjaft i qëlluar dhe do të ketë ndikim të madh në zhvillimin e gjithëmbarshëm për komunën dhe tërë Kosovën. Është një investim që ul importin e prodhimit të tjegullave nga vendet e rajonit.
Në fund kreu i komunës, thotë se banorët e Fortesës duhet të dëshmojnë pjekuri dhe të kenë mirëkuptim e durim, sepse më së shumti do të përfitojnë vetë ata, ngase do të punësohet një numër i madh i tyre./Indeksonline/