E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekordi: Një gjyqtar me mbi 400 çështje

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Volumi i madh i punës, kushtet e ulëta të sigurisë dhe mungesa e sekretareve, janë tri problemet kryesore që shqetësojnë togat e zeza të Gjykatës së Tiranës. Vetëm gjatë vitit të shkuar, në gjykatën me të madhe në vend, janë shqyrtuar 26.600 çështje, prej të cilave janë ndryshuar nga Gjykata e Lartë vetëm 3,3 për qind. Shifrat janë bërë publike gjatë analizës njëvjeçare të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, ku merrte pjesë edhe nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Ankesat e gjyqtarëve për mungesën e stafit mbështetës, sekretareve, duket se kanë rënë në vesh të shurdhër, pasi ishte vetë KLD që miratoi një rregullore, e cila parashikonte që vetë gjyqtarët duhet të pasqyronin seancat në procesverbale.
Vlerësimi
Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka vlerësuar në vija të përgjithshme punën voluminoze të gjyqtarëve të Gjykatës së Tiranës, por nuk ka lënë pa përmendur dhe “privilegjet” që gjenden në këtë institucion. Shorti elektronik është një prej elementeve që pak gjykata në Shqipëri e disponojnë. Në fjalën e tij, Spahiu tha se “për ne janë shumë të rëndësishme vendimet, të cilat ndikojnë në funksionimin dhe organizimin e gjykatës, duke filluar nga vendimi për solemnitetin deri tek vendimi për hedhjen e shortit dhe vendime të tjera, pa dyshim që ndikojnë në performancën e pushtetit gjyqësor, ndikojnë pa dyshim në përmirësimin e komunikimit të gjyqtarëve me palët në proces apo me subjekte të tjera. Në disa gjykata të Shqipërisë ka vështirësi me sistemin e menaxhimit apo sistemin elektronik të shortit ku shumë gjykata nuk kanë as mundësinë financiare për t i mirëmbajtur ato dhe kjo sjell anomali të theksuar.
Kërkesat
Siguria, kushtet e punës dhe mungesa e stafit mbështetës, janë shqetësimet kryesore të punës së gjyqtarëve të gjykatës më të madhe të shkallës së parë në vend. Mbi 400 çështje në vit gjykohen nga një gjyqtar i Gjykatës së Tiranës, ndërsa kjo shifër është sa të gjitha çështjet vjetore të një gjykate të një rrethi tjetër. Këto shqetësime të trupës së gjyqtarëve, u ngritën gjatë analizës së punës për vitin 2008. Në Gjykatën e Tiranës, gjatë vitit 2008 janë gjykuar mbi 26.600 çështje, ku cilësia e dhënies së vendimeve ka qenë e mirë, pasi vetëm 3.3 për qind e tyre janë ndryshuar nga gjykatat më të larta.
Ky lajm është publikuar: 13/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›