E Diel, 1 Nëntor 2026

Si rrodhi sekreti i tezës së matematikës

Organet e prokurorisë nuk kanë nisur ende asnjë hetim për të zbuluar se kush ishte personi që e shiti tezën e matematikës, një ditë përpara provimeve të lirimit të klasave të 9-a. Megjithatë, drejtuesit e Ministrisë së Arsimit premtojnë se ato do të nisin së shpejti. "Hetimet", nëse mund të mbajnë këtë emër, do të zhvillohen edhe nga vetë institucioni i Ministrisë së Arsimit për të gjetur autorin e prishjes së imazhit të seriozitetit dhe korrektësisë së këtyre provimeve të detyruara për sistemin 9-vjeçar. Fatmir Vejsiu, drejtor i arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, deklaroi dje se është pikërisht ky institucion që do të zbardhë edhe çështjen e rrjedhjes së tezës së provimit. Por dyshimet më të mëdha mendohet se bien mbi personat që kanë qenë prezent gjatë momentit të hartimit të 10 tezave finale një ditë përpara provimit. "Varianti i pyetjeve që kanë dalë përpara provimit të matematikës ka qenë i shkruar me dorë dhe ne dyshojmë se ai që e ka nxjerrë atë ka marrë pjesë në përzgjedhjen finale nga fondi i përgjithshëm i pyetjeve. I ka mbajtur mend ato dhe bashkë me to ka dhënë edhe përgjigjet e sakta, pasi janë të gjithë profesorë të lëndës", shprehen përfaqësuesit e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të nxënësve në AVA. Nga ana tjetër, ata pohojnë se të gjithë personat që kanë qenë prezent në këtë proces do të testohen për nga kaligrafia e tyre. Kjo, e mbështetur në dyshimet mbi variantin e pyetjeve të shkruara me dorë, që kanë qarkulluar më pas mes nxënësve përpara provimit. Po kështu, shkak për këtë rrjedhje të tezës së matematikës ka qenë edhe vëmendja jo shumë e madhe që i është kushtuar këtij procesi. Të përqendruar kryesisht te Matura Shtetërore, e cila konsiderohet si e një rëndësie të veçantë, pak kujdes është bërë lidhur me sekretimin e procesit të hartimit të pyetjeve të tezave të provimit të lirimit për klasat e 9-a. 15 mësuesit e matematikës të përzgjedhur nga shkollat më të mira të kryeqytetit nuk kanë qenë nën anë nivel vëzhgimi dhe izolimi sikundër hartuesit e tezave të Maturës Shtetërore. Kjo është edhe një eksperiencë e parë, ku provimet e lirimit të klasave të 9-a tentuan të ndjekin shembullin e procedurave me të cilat realizohet Matura Shtetërore. Për provimin e lirimit të matematikës, çdo mësues i përzgjedhur ka hartuar dhjetëfishin e pyetjeve që përzgjidhen në një tezë provimi dhe në fund janë formuluar 10 variante finale. Mes tyre do të zgjidhej vetëm një tezë. Por informacioni, sipas përfaqësuesve të AVA-s, dyshohet se ka dalë pikërisht në këtë fazë të seleksionimit të fondit të pyetjeve për tezën finale. Vetëm pak orë përpara provimit të lirimit të matematikës, një grup krejtësisht i ri me profesorë të matematikës formuluan tezën e re, e cila iu servir dje rreth 52 mijë nxënësve të klasave të nënta në të gjithë vendin. Drejtori i arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu, deklaroi dje se rrjedhja e sekretit të provimit nuk u bë shkak për pengimin e zhvillimit të tij në kohë. Por, duket se kjo ngjarje më shumë se mbi këdo tjetër ka rënduar mbi vetë nxënësit që i janë nënshtruar dje provimit të dytë të lirimit. Disa prej tyre shprehen se teza ka qenë e vështirë, ndërsa prindërit duken të pakënaqur. Pas përfundimit me sukses të këtij provimi, rreth 52 mijë nxënës të klasave të nënta në të gjithë vendin sigurojnë marrjen e dëftesës së lirimit për këtë cikël studimesh dhe u jepet e drejta të vijojnë me regjistrimin në gjimnaz, apo në shkolla të tjera të profilizuara të arsimit të mesëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›