E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si shembet dashuria

(Vijon nga numri i djeshëm)

Tepër interesant tejçohet në vetëdijen e çdo lexuesi të kësaj rrëfenje, cilësimi i bijës së shkrimtarit “një vepër e shkruar me aq dashuri për dashurinë”.

Jo rrallë në rrëfimet e Kutelit kjo ndjenjë merr përmasa gati “apokaliptike”, duke përmbysur çdo kufi mes jetës dhe vdekjes, apo duke hyrë aq thellë në shpirtin dhe gjakun e një qenieje, sa të shndërrohet dëshpërimthi në një vuajtje pa fund, e cila i shemb krejt jetën e kësotokshme. Një personazh i Kutelit, Argjir Vlonjati, shprehet kështu për vashën që ka rrëmbyer përjetësisht zemrën e mendjen e tij: “E si hyri zbriti fellë e më fellë brenda në gjak e nuk doli më. E kam edhe sot ja këtu brenda në zembër, pas kaqë gjëmë vjetë e pas kaq lebete që më kanë parë sytë. E kam të gjallë e të bukur fort si qëmoti. E do ta kem gjer të më rritet lëndina mbi gjoks”. Në këtë pasazh flet një personazh që është “si shumë të tjerë” në galerinë e personazheve kuteliane, ligjërimin e të cilit ne si lexues “thjesht e dëgjojmë”, ndërsa për një qenie, e cila ia ka blatuar Zotit jetën e saj, duket se edhe gjykimi ynë si lexues do të marrë tjetër kahje.

Humbja e së shtrenjtës së zemrës shoqëruar njëkohshëm me shembjen tokësore të protagonistit, shndërrohet në arsyen kryesore të shkëputjes së plotë të krijesës prej Krijuesit të saj. Sipas Kierkegardit, ndjesia thelbësore që përcakton marrëdhënien mes qenies dhe Hyjnisë është ankthi. Në këtë kontekst ai dallon ankthin e së keqes dhe ankthin e së mirës (ose demoniakun).

Rasti i parë është ai kur qenia ndodhet në mëkat dhe ankthi i tij është drejtuar nga e keqja. Kjo sjellje e vështruar nga një këndvështrim më i lartë, i përket sferës të së mirës dhe prandaj qenia provon ankthin e së keqes.

Sjellja tjetër është ajo e demoniakut, kur qenia ndodhet në të keqen dhe provon ankthin e së mirës. Janë këto dy polet ndërmjet të cilave duket se transformohet personazhi ynë prej Uratës-Tatë, në Tatën-Uratë, e mandej thjesht në Tatë.

Ankthi i madh që i shtrëngonte zemrën Tat Tanushit në vegimin hyjnor nuk e pushton asfare qenien e tij pas rivendosjes së lidhjeve me botën reale. Demoniaku nuk arrin të gjejë strehë brenda tij, dhe do të jetë ky shkaku që pas vdekjes së Kalijes, atë do ta kaplojë pareshtur ankthi i së keqes, i cili do ta çojë shkallë-shkallë drejt shkatërrimit. Kurse rënia e Tatës nis të projektohet kur mëkati hyn brenda tij si hop cilësor. Urdhri hyjnor “lër dhimbjen tënde dhe ruaj kopenë time” mbart thelbin e ndërkalimit të tij, nga mbretëria qiellore (ku Urata nuk qe kurrë një qytetar i denjë), drejt rrjetave të largneshit.

Në bibël thuhet se njerëzit mund të zemërohen, por dielli kurrsesi nuk duhet të perëndojë mbi inatin e tyre, pasi kjo gjë përbën mëkat. Në këtë kontekst mëria e Tatës është e pajustifikueshme dhe nis ta transformojë vetëdijen e tij gati në profane, kur ai harron se varri është dera me anën e së cilës ne hymë në jetën e përjetshme. Kështu shurdhëria ndaj urdhrit të Zotit i jep fund një herë e mirë lëkundjes, apo thyerjes që kishte krisur që më parë, duke i dhënë drejtim teposhtës së tij tokësore. Prej këtu mëkatimi do të lëvizë për shkaqe sasiore, në një rrjedhë të pandalshme e marramendëse. Pjesa më çoroditëse e kësaj rrjedhe vjen atëherë, kur pas braktisjes në frymë të krijuesit të vet, ai krijon shëmbëllesën e një “perëndeshe tokësore” dhe mbasi bën kora me fytyrën e saj, ndez kandilë e qirinj pranë tyre dhe këndon të kënduara të shenjta, a thua si i përulet Hyjnisë së Shenjtë.

Rrëfimtari hyjnor komenton “U largua nga i Madhi i jetës për një dorë eshtra e për fytyra të gdhendura në dru”. Në Shkrimet e Shenjta rreth këtij adhurimi shkruhet; ”Nuk duhet t’i faleni askujt tjetër përveç meje sepse Unë Zoti jam një perëndi xheloz”.

Prandaj një vdekatar që ngre në rang hyjnor një vdekatar tjetër, jo vetëm që ka dalë prej udhës se Tij, por mbart rëndesën e një shpirti të sëmurë, në kundërshti me shëmbëlltyrën e Shpirtit të Shenjtë, sipas të cilit ai është krijuar. Simbolika kristiane na e paraqet trupin si një burg të shpirtit, duke nënkuptuar një shenjtëri “të prangosur” brenda tokësores. Ndërsa tek protagonisti ynë ky raport merr nuanca tepër tragjike, ngaqë shpirti është ende i pranishëm në trupin e tij, por ai është një shpirt i sëmurë.

”Shpirti nuk kishte mposhtur ende trupin, sepse shpirti i i tj ishte i sëmurë e nuk e mposhte dot”. Përveç paaftësisë që ka çdo trup njerëzor për të zotëruar instinktet, ky trup vuan mungesën e një fuqie më të lartë se ai vetë, sepse ai merr orientime, por ato janë në thelb të gabuara, përderisa burojnë prej një vullneti të sëmurë, duke e kthyer kështu qenien në një busull të çorientuar, mbërthyer trishtueshëm skllavërisë së mëkatit.

“Si i këndonte këto ndjente një ankth të madh, sepse gruaja që kish dashur zemra e tij ish kthyer në tokë. Dhe ligji nuk i lejonte të dashurojë e të marrë grua të dytë”.

Leximi i librit të Solomonit duke i dhënë vargjeve kuptimin e mishit e jo të frymës, e çon Tat Tanushin në skajet e mbrame të një gjykimi të sëmurë, në lidhje me konceptin e mëkatit. Nëse më parë ai i trembej Zotit për shkak të dashurisë së madhe për të shoqen, dhe i lutej të mos ia shkruajë si mëkat, ai e ka bjerrë kuptimin e këtij të fundit tanimë. Pyetja që i drejton vetes “Të jenë mëkate këto?”, teksa u jep vargjeve biblike përmbajtje mishnore, tregon se dielli hyjnor është në perëndim e sipër horizonteve të tij dhe shembja e madhe që ndodh kur trupi i tij njeh trup gruaje, vjen si pasojë e natyrshme e fakteve që kemi analizuar deri më tash. Në këtë pikë ankthi është dobësuar aq shumë sa rrjedhoja e mëkatit ka hyrë në gjak të qenies, duke lëshuar rrënjë të thella edhe në individualitet . Prandaj ankthi që i shtrëngonte zemrën protagonistit në vegimin hyjnor ishte tepër i madh, sepse atëhere ai lëkundej ende mes hyjnores dhe tokësores, ndërsa kur ndodh shembja e madhe këtij ankthi s’ia gjen gjurmët kurrkund, ngaqë mëkati ka triumfuar lehtësisht. Mirëpo, duke qenë një njeri i veçantë në sytë e Zotit, “dielli hyjnor” dhuron edhe disa shkëndija të tjera për ta zgjuar sadopak Tatën. Kjo gjë konstatohet në lutjen që ai i drejton Zotit për ta shpëtuar nga të ngarët e të ligut, dhe në krahasimin që i bën gruas së qytetit me gruan e Apokalipsit që mbante në duar qelqin e mëkateve. Shkëndijat duket se e zgjojnë disi protagonistin tonë, pasi rrëfimtari hyjnor shkruan se “ay e zotëroi mishin dhe mbeti për një çast si shtyllë guri”, por fakti që qenia vazhdon t’i japë gjithçkaje kuptimin e mishit e jo të frymës, bën që ajo të bjerë sërish në grackën e mëkatit me egërsinë e përrenjve që s’njohën kur zbresin. Një gjë e tillë ishte parathënë të ndodhte që në çastin kur imazhin e hyjneshës së tij tokësore, Tata e mishëron në figurat e femrave të tjera. Por ana më tragjike e tërë këtij procesi mëkatimi është se ai asnjëherë s’ka kohë për t’u penduar, duke bërë që shembjet të ndjekin njëra-tjetrën, madje edhe në çastet kur ai e ndjen veten të zhytur në lerë.

Shërbesa e pakryer për shkak të mëkatit në të cilin është zhytur Tat Tanushit, të sjell ndërmend tragjedinë “Hamleti” dhe përpjekjen e dështuar të Klaudit për të kërkuar Zotin me anë të lutjes, mbasi ka kryer vrasjen e mbretit të Danimarkës.

(Sigurisht që analogjia e veprimit është shumë larg personazhit tonë).

Zbraz fjalë po mendimi s’fluturon

Dhe fjala pa mendim në qiell s’shkon

Të përshtatura për Tat Tanushin këto vargje mund të merrnin një konotacion të tillë:

Zbraz fjalë, por mendimi s’fluturon

Dhe besimi pa veprim në qiell s’shkon

Ndërkohë dekodifimi i simboleve tekstore do të na ndihmonte për të depërtuar më thellë në kuptimin e tekstit. Vdekja e Kalijes ndodh në pranverë dhe na paraqitet e barabartë me shembjen tokësore të protagonistit. Kjo ‘vyshkje e tij’ në një stinë lulëzimi bëhet akoma më e kobshme në ndjesitë e përjetimet e lexuesve. Për sa i përket shembjes hyjnore, ajo vjen në stinën e vjeshtës, si për të treguar se ai është shumë larg shpëtimit të shpirtit, ngaqë mandej vjen “dimri i ndëshkimit”. Rrënimi i qenies e gjen shprehjen e vet në simbolin e lisit, por në ndryshim nga rrëfimi i Ago Jakupit, ku lisi bëhej simbol i jashtëkohësisë, këtu merr nuancat e një ngrehine shpirtërore, e cila shembet dalëngadalë prej krimbit të mëkatit.

Koha për katharsis

Koncepti qendror në kristianizëm është vrulli i kohëve, ku gjenerohet pareshtur çdo gjë. Ky vrull kohërash, i cili s’është gjë tjetër veçse çasti i marrë si përjetësi, e bën këtë të fundit të jetë njëkohshëm e ardhmja dhe e kaluara. E kaluara nuk shfaqet e mbyllur në vetvete, por mbetet brenda një vazhdimësie të natyrshme me të ardhmen.

Sorren Kierrkegaar

Kjo aksiomë i vjen mjaft për shtat atij procesi që i ndodh çdo vdekatari përgjatë jetës së tij tokësore; gjenerimit të vetvetes. Në shtegtimin tonë të përditshëm, prej njërës gjendje në tjetrën, nga ëndrrat në zgjime me lloj-lloj shijesh, mbartet përherë diçka prej shprehjes latine carpe diem. Koha është vrull i papërmbajtshëm çastesh, me të cilat sinkronizohesh harmonishëm, ose ç’sinkronizohesh në kahe krejt të kundërta, për të mbetur një busull e çorientuar, nëse perspektiva e vështrimit të qenies nuk shkon prej tokës në qiell, por nëpërkëmbet prej asaj vetë, duke mos qenë në gjendje të përkapë çastin e duhur.

Një çast i tillë i vjen protagonistit tonë nëpërmjet vegimit hyjnor, por ai duke qenë krejt i verbër kundrejt dritës së tij, del jashtë prej vorbullës kohore ku duhej të përfshihej dhe zgjohet vetëm kur para sysh i vetëtin çmimi i humbjes së tij.

“Doli në kopsht ku argjendi i gruas së qytetit shkëlqente ndër barishta, i vetmi send që shkëlqente në një botë të murrme”.

Errësimi i Tatës ka pllakosur anekënd botës së tij dhe ky zgjim i vonë s’ka kurrfarë vlere, pasi nuk ekziston më pikë fuqie brenda qenies që ajo të mund të gjenerojë vetveten. E kaluara mëkatare sapo ka nisur të rrjedhë drejt së ardhmes, e për pasojë duket se ajo e ka humbur përjetësinë. Në këtë kontekst, dënimi me pavdekësi mbetet i tillë vetëm denotativisht.

Po t’i rikthehemi edhe njëherë asaj çka rrëfimtari hyjnor na ka servirur pak më parë, do të bindemi se ka ndodhur krejt e kundërta.

Kur Zoti e sheh se mëria e Tatës është e pakthyeshme dhe ai nuk e përmbush dot detyrën e tij si Uratë, e lë të lirë të eci në rrjetat e largneshit. Ndërsa kur qenia e ka ndjerë veten të zhytur në lerë, dëgjohen fërfëllima krahësh- si krahë pëllumbash.

(Në Testamentin e Ri shkruhet se Zoti zbriti mbi Mesian në trajtë pëllumbi, ndërkohë që ai po pagëzohej në lumin Jordan). Retrospektiva tekstore na çon natyrshëm drejt përfundimit se dënimi me pavdekësi (ashtu sikurse jashtëkohësia e Ago Jakupit), është në thelbin e vet një tjetër kohë që Hyjnia ia dhuron qenies për t’u përsosur shpirtërisht, dhe për të mos qenë një dele e humbur. Në këtë mënyrë ravijëzohet koncepti i Zotit si dashuri, koncept ky që i ishte parathënë protagonistit që në Zbulesë.

“Qetësi, qetësi – Sepse të fshehta e të çuditshme fort janë punët e Zotit. Si lumë i rreptë zemërimi i tij, si det i thellë mëshira”. Para se qenia të rilindet, arrin të kuptojë se është pavdekësia tokësore ajo që e bashkon me mëkatin, e pikërisht nga ky shkak, ajo e lakmon vdekjen përherë e më tepër. “Kjo ish dhimbje e madhe për Tatën, sepse ay mbante mbi supe barrën e mëkatit. Dhe kjo shtohej dita me ditën, mbasi syri i tij shikonte dhe mishi kish dëshira”. Arsyeja kryesore e shmangies prej mëkatimit është rrënjosja e frikës së Zotit në vetëdijen e Uratës, ndjenjë kjo që duke mos ekzistuar më parë në përmasat e duhura brenda tij, e lëkundte pareshtur mes vetes së tij tokësore dhe asaj hyjnore, e që njëkohësisht e pati shpënë në mënyrë të përshkallëzuar drejt sëmundjes së shpirtit.

Pasoja më thelbësore e kësaj ndjenje (përveç shumë të tjerash që i ndodhin qenies) është fitimi i vullnetit për ta orientuar veten kah mendimi, e jo më kah ndjenja. Këto ndjenja vazhdojnë të regëtijnë ende në zemrën e tij, për sa kohë është një qenie ende në mish, por ato nuk arrijnë dot kurrsesi, t’i shkaktojnë të njëjtat turbullime si më parë. Falë hirit të dhuruar, në të njëjtën masë me mëkatin ku ishte gremisur, ai arrin t’i zotërojë këto ndjenja si një shpirtmbartës. Gjithashtu falë frikës, si fillim i njohjes së vërtetë të thelbit hyjnor, Tatës i hapen sytë, për të dalluar atë çka peshohet si e drejtë prej një vdekatari, dhe asaj që gjykohet si e drejtë prej Zotit.

Gjer në këtë ”stacion rrëfimor”, jemi krejtësisht nën ndikimin e kristianizmit, ndërsa në pikëmbërritjen e mbramë të rrëfenjës (kur Hyjnia i kërkon të falur qenies), dalim prej frymës së Shkrimeve të Shenjta dhe drejtohemi prej fiksionit kutelian.

*Autorja ka mbaruar Fakultetin e Letërsisë dhe kjo analizë është mikroteza e masterit

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›