Tiranë; Sot nis shpërndarja e certifikatave të printuara në Njësinë Bashkiake nr. 10
Sot bëhet përurimi dhe nis shpërndarja e certifikatave të printuara. Një fakt i tillë është bërë publik nga burime zyrtare në Policinë e Shtetit, të cilat shtojnë se shpërndarja dhe përurimi do të nisin nga Njësia Bashkiake nr. 10, e cila drejtohet nga Gerti Bogdani. Shpërndarja e certifikatave në mes të kësaj jave u deklarua dy ditë më parë nga Ministria e Brendshme, e cila reagoi për të përgënjeshtruar deklarimet se ky proces kishte dështuar. Sipas burimeve zyrtare në Ministrinë e Brendshme, ky proces do të lehtësojë punën e punonjëseve të gjendjeve civile dhe në të njëjtën kohë do të reduktojë edhe radhët e gjata nëpër njësi. Gjithashtu, certifikatat e printuara ofrojnë siguri dhe saktësi, duke evituar gabimet ortografike në të shkruar gjatë mbushjes së tyre nga punonjëset. Madje, vetë punonjëset e trajnuara janë shprehur se një certifikatë e printuar do t’u kushtojë në kohë më pak sesa harxhonin kur e shkruanin me dorë dhe duke kontrolluar regjistër pas regjistri. Pas përurimit të sotëm në Njësinë Bashkiake nr. 10, procesi i shpërndarjes do të vijojë edhe në zyrat e gjendjeve civile në njësitë e tjera bashkiake.