E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si shfaqen problemet e gjëndrës tiroide te fëmijët

Gjëndra tiroide është organi që prodhon hormonet e tiroides, që kanë për detyrë qysh tek embrioni i njeriut të marrin përsipër zhvillimin e qelizave të sistemit nervor.

AIDA MALAJ

Në një intervistë për “Panorama”-n,  prof. dr. Petrit Hoxha, shef i shërbimit të Diabetologjisë në Pediatrinë e QSUT-së, shpjegon se si shfaqen problemet me gjëndrën tiroide te fëmijët, çfarë pasojash sjell në shëndetin dhe si mund të trajtohen këto probleme:
Cili është funksioni i gjëndrës së tiroides?
Gjëndra tiroide është organi që prodhon hormonet e tiroides, që kanë për detyrë qysh tek embrioni i njeriut të marrin përsipër zhvillimin e qelizave të sistemit nervor ose e shprehur ndryshe të zhvillojnë intelektin, fizikun dhe sistemin nervor në tërësi të njeriut. Kjo është arsyeja që gjëndrat tiroide fillojnë të prodhojnë hormone që nga java e 10-të e embrionit. Natyra e ka krijuar më shpejt këtë funksion, sepse zhvillimi i qelizave të trurit në këtë periudhë, është më intensiv se gjatë gjithë jetës intrauterine dhe vazhdon me këtë intensitet deri në moshën 3-vjeçare, për të përfunduar rreth moshës 23-24 vjeç.
Si realizohet prodhimi i hormonit të tiroides?
Realizohet ekskluzivisht nga jodi që vjen nëpërmjet gjakut të nënës, pra origjina është gjaku i nënës. Kjo do të thotë se duhet të merret jod te gratë shtatzëna dhe gratë në periudhën e ushqyerjes me gji, në mënyrë që të lindin dhe rriten fëmijë pa probleme të tilla. Në këtë fazë nëna ka më shumë nevojë për jod, sepse i nevojitet për fetusin dhe për veten.
Hormoni i tiroides dhe jodi i nënës, marrin pjesë në krijimin e receptorëve të trurit të organizuar për kapjen e informacionit që vjen. Kjo fillimisht realizohet nga hormonet e nënës, dhe më tej ato prodhohen nga vetë fëmija. Nëse nënës gjatë barrës nuk i jepet sasia e duhur e jodit, mungesa e jodit shfaq disa pasoja të mëdha, e para: nëse nëna ka mungesë të rëndë të jodit te fëmija shfaqet kreteinizmi, që është zhvillimi i pakët mendor dhe fizik i fëmijës. Nëse pamjaftueshmëria e jodit është më e lehtë, kjo çon në ulje të koeficientit intelektual të fëmijës. Eshtë parë se këta fëmijë shfaqin 15 pikë më pak nga 100 të mundshmet të zhvillimit intelektual, në krahasim me fëmijët e tjerë, që nuk shfaqin një mungesë të tillë jodi. Kjo do të thotë se brezat që jetojnë në zona me deficencë jodike mund të kenë pakësim të koeficientit intelektual, që më pas shfaq pakësim intelektual, që shprehet me lëvizje të pakontrolluara, ulje të përqendrimit, ulje të rendimentit shkollor.
Sa problematike është mungesa e jodit në vendin tonë?
Studimet kanë treguar se mbi 90% e popullsisë sonë ka shfaqur deficencë jodike, të shkallëve të ndryshme. Gjithsesi vitet e fundit është kërkuar të ndalohet hyrja e kripës pa përmbajtje jodi. Në masën më të madhe kjo ka zgjidhur problemet e mungesë së jodit. Rezultatet e 2007 kanë treguar se gjendja sot është përmirësuar në mënyrë të ndjeshme, dhe kjo për shkak të përdorimit të kripës së jodizuar.
Çfarë pasojash mund të shfaqi mungesa e jodit?
Një nga problemet që shfaqet më shpesh është zmadhimi i gushës, që në vitet ’93 prekte gati 28-30% të fëmijëve në Shqipëri, si pasojë e mungesës së jodit, ndërsa sot ky problem është në përmasa më të vogla. Veç kësaj pasoje, e përhapur është dhe sëmundja e hypotirozës, e karakterizuar nga mungesa e zhvillimit të gjëndrës tiroide deri në mungesën e saj. Kjo ndodh në 1 të porsalindur në 3500 raste. Pasojat janë mungesa e zhvillimit mendor dhe fizik. I porsalinduri do të ketë të pambyllur pjesën kockore pas kokës, defekon me vështirësi, ka kërthizë të dalë, ikteri zgjat në kohë dhe është i shprehur. Më vonë tek këta fëmijë, lëkura është e ashpër, e thatë, e zbehtë, është e mermertë, barku zmadhohet, gjuha zmadhohet dhe del jashtë gojës, fëmija qan me zë të trashë, ka gjumësi të tepruar, zhvillim mendor të pakët. Kur mbush një vit fëmija nuk flet, nuk ecën, barku vazhdon të jetë i madh, ka kapsllëk, lëkura është e ashpër, mbetet shtatshkurtër. Meqë diagnoza bëhet me vështirësi janë krijuar programe të zbulimit të sëmundjes që ditën e tretë të lindjes. Kur bëhet matja e hormonit të tiroides. Nëse nuk diagnostikohet që në këtë moment dhe nuk nis trajtimi, ky fëmijë do të ketë pasoja në zhvillimin mendor dhe fizik. Nëse trajtohet në kohë, ky fëmijë ka ecuri të mirë.
Sa është nevoja ditore për të mos shfaqur këto probleme?
Duhet që jodi të merret në dozën 200 makrogramë në ditë për të rritur. Duhet që në gratë shtatzëna, të jepet në formë tabletash 200 mikrogramë në ditë.
Ku mund të gjendet?
Jodi gjendet në kripë dhe kjo gjendet në bukë, gjellë, ushqime të konservuara, që janë të pasura me kripë.
Cila është profilaksia më e mirë?
E para është marrja e kripës së jodizuar nga popullsia, shtesa e jodit gjatë shtatzënisë dhe periudhës së laktacionit dhe në fëmijët e moshave pubertare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›