Si thyhen mitet e filozofëve
Kur në ditët e sotme leximi filozofik është një nga të paktat lexime mistike, që shpërthen debatet më të nxehta të mendjes, për një lexues të panjohur me këtë sistem intrigues, interpretimi është ndihma më e çmuar. Në këtë kontekst zbresin në tregun e botimeve filozofike tre libra historikë të mendimit modern, Hobsi, Loku dhe Jurgen Habermas. Shtëpia botuese “Ideart” ka zgjedh këtë kolanë dimërore, për të na sqaruar në një raport të trefishtë marrëdhëniesh-autor, interpretues dhe lexues. I interpretuar nga Richard Tuck, jetëshkrimi i Hobsit, filozofit të parë të madh politik anglez, nuk mund të na ndahet nga produkti i tij letrar më i famshëm që hyn në veprat e para moderne të filozofisë. Libri “Leviatan” shoqëroi jetën e Hobsit, i cili për një kohë të gjatë gëzoi famën e një ateisti pesimist, i cili e pa natyrën njerëzore si pashmangshmërisht të ligë dhe propozoi një shtet totalitarist që i dilte zot dobësive njerëzore. Në këtë studim ndriçues, Richard Tuck i davarit këto mite, duke treguar se Hobsi ka qenë tejet i shqetësuar për ta hedhur poshtë skepticizmin qoftë në shkencë, qoftë në etikë dhe se ka zhvilluar një teori të njohjes, e cila rivalizon me atë të Dekartit për nga rëndësia e vet në mbrujtjen e filozofisë moderne. Richard Tuck është profesor i qeverisjes në Universitetin e Harvardit. Ai është autor i “Natural Rights Theories” dhe “Philosophy and Government” 1572-1651 dhe ka përgatitur botimet e Hobsit, Leviathan dhe (së bashku me Michael Silverthorne) De Cive. Një tjetër filozof, ndër më të mëdhenj anglezë të fundshekullit XVII dhe fillimshekullit XVIII, Xhon Loku dha në kryeveprën e vet, një ese lidhur me njohjen njerëzore, se dija jonë bazohet te përvoja dhe mbërrin tek ne kryesisht përmes shqisave; por kumti i tij çuditërisht u keqkuptua. Përkthyer nga Erion Kristo, te ky libër, interpretuesi John Dunn na tregon se si mbërriti Loku tek teoria e tij për dijen, dhe se si shpjegimi i tij i vlerave liberale të tolerancës dhe qeverisjes së përgjegjshme përbën ashtin e mendimit të iluminizmit evropian të shekullit XVIII. John Dunn është një partner i “King's College” dhe profesor i Teorisë politike në Universitetin e Kembrixhit. Ai është autori i “The Political Thought of John Locke”, “Western Political Theory in the Face of the Future”, “Modern Revolutions”, “The History of Political Theory” dhe “The Cunning of Unreason: Making Sense of Politics”, si dhe redaktor i librit “Democracy: The Unfinished Journey”.
Jurgen Habermas është një ndër filozofët e gjallë më me ndikim në kohët moderne. Me këtë cilësim botimet e tij filozofike, ndërthurin teoritë sociale, morale, politike dhe ligjore, duke shqyrtuar tema që shkojnë nga marksizmi e deri tek Bashkimi Evropian, si dhe rolin e komunikimit dhe ligjëratës në botën bashkëkohore. Në jetëshkrimin e filozofit, me një gjuhë të qartë e të kuptueshme, James Gordon Finlayson, tregon se si teoria e Habermas-it, në tërësinë e saj, u përgjigjet pyetjeve themelore rreth natyrës së shoqërisë moderne, duke modeluar pikëpamjet tona rreth çështjeve dhe zhvillimeve bashkëkohore.
James Gordon Finlayson mban leksionet e filozofisë dhe mendimit social e politik pranë Universitetit të Saseksit, dhe ka shërbyer më herët si lektor i filozofisë në Universitetin e Jorkut. Ai ka botuar një sërë artikujsh mbi filozofinë gjermane në revista të tilla si “Inquiry” dhe “European Journal of Philosophy” etj.