Prokuroria merr në pyetje 13 të pandehurit për Gërdecin
Hetimi
Disa ditë pasi u janë komunikuar akuzat, 13 të pandehurit e akuzuar për ngjarjen e Gërdecit janë thirrur dje në Prokurorinë e Përgjithshme, për t’u marrë në pyetje nga grupi hetimor. Sipas burimeve, mësohet se gjatë dhënies së deklarimeve dhe përgjigjes së pyetjeve të prokurorëve, të pandehurit kanë mohuar akuzën, duke u shprehur se përgjatë punës së tyre kanë zbatuar vetëm urdhrat e eprorëve. Para dërgimit të dosjes në gjykatë, grupi hetimor është duke zhvilluar edhe disa procedura të fundit, një nga të cilat është edhe marrja në pyetje e të pandehurve më të fundit që u është komunikuar akuza për tragjedinë e Gërdecit. Prokuroria ka akuzuar për falsifikim dokumentesh drejtorin e Uzinës Mekanike të Gramshit, Fiqiret Mato dhe drejtorin e Kombinatit Mekanik të Poliçanit, Lavdi Shato. Akuza për shpërdorim detyre u është komunikuar tre ish-anëtarëve të komisionit të çmimit të fishekëve, Rezart Teshana, Besin Dauti dhe Agim Babameto. Po për shpërdorim detyre janë akuzuar edhe katër anëtarët e komisionit të kategorizimit të municioneve, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuci. Gjithashtu, e njëjta akuzë është komunikuar dhe për katër anëtarë të komisionit të kategorizimit të municioneve, Zenun Cero, Hysni Cocka, Hilmi Lacaj dhe Fahri Toska.