E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: “Marubi” është jashtë ligjit



Pasi drejtuesit e shkollës së akademisë private të filmit “Marubi” kanë protestuar dje se qeveria po i nxjerr jashtë godinës që ata kanë zënë në mjediset e ish-Kinostudios, menjëherë ka reaguar Ministria e Ekonomisë. Me anë të një deklarate për shtyp, sqarohet opinioni publik se gjithçka është thënë nga kineasti Kujtim Çashku është e pavërtetë për marrjen e ambienteve të shkollës “Marubi”.

METE sqaron se shkollës që njihet me emrin Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” i është dhënë 200 metër katror sipërfaqe, pa shpërblim, për të zhvilluar aktivitetin e saj tregtar. “Pa asnjë kontratë dhe marrëveshje, ky subjekt në mënyrë të paligjshme ka zaptuar edhe rreth 4500 metër të tjera sipërfaqe, ku futet godina dhe ambientet rrethuese”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Ekonomisë. Gjatë këtyre viteve, Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi” i është kërkuar sistematikisht të ndjekë procedurat e rregullta ligjore për lidhjen e kontratës së qiramarrjes me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ashtu si të gjitha subjektet e tjera që kryejnë veprimtaritë e tyre në godinat dhe trojet shtetërore. Por kërkesa e METE-s thuhet se gjithmonë është refuzuar nga Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” dhe drejtuesi i saj Kujtim Çashku. Drejtoria e Albafilmit, ambientet e së cilës janë zaptuar në mënyrë të jashtëligjshme, bëhet e ditur se po ndjek të gjitha rrugët ligjore për zgjidhjen e këtij problemi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›