Si u krijua miti i Betejës së Kosovës

Beteja e Kosovës e vitit 1389, në të cilën luftuan osmanët kundër një koalicioni ballkanik, ka lënë gjurmë të dukshme te popujt e Ballkanit, kryesisht te serbët dhe shqiptarët. Megjithëse fitimtarë dolën otomanët, serbët arritën ta kthejnë humbjen në fitore, por vetëm në këngë. Ata këtë betejë e shndërruan në mit, të cilin e shfrytëzuan për të deklaruar se toka e Kosovës është tokë e shenjtë serbe, e larë me gjakun e luftëtarëve serbë. Në këngët e tyre epike, që i kushtohen kësaj beteje, janë vetëm serbët ata që luftojnë kundër otomanëve. Por, duket se ky mit nuk e ka origjinën në krijimtarinë gojore, por diku tjetër. Sipas studiuesit të folklorit, Enver Mehmeti, ai i ka rrënjët në manastiret serbe dhe është i krijuar nga murgjit serbë.
“Krahas serbëve edhe shqiptarët e kanë traditën e tyre gojore për Betejën e Kosovës dhe kjo është krejtësisht e natyrshme sepse kjo betejë ndodhi dhe u zhvillua në territorin etnik parashqiptar dhe shqiptar në Dardani, gjegjësisht në Kosovë, ku shqiptarët krahas popujve tjerë të Ballkanit morën pjesë në luftë kundër depërtimit të osmanëve në Ballkan dhe në Europë”, u shpreh Mehmeti, në ligjëratën e tij të mbajtur në Fakultetin Filologjik, në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Mirëpo, ai shtoi se historiografia serbe nuk e pranon këtë të vërtetë. Në bazë të shënimeve dhe në bazë të të dhënave historike në koalicionin e prijësve të Ballkanit, sipas Mehmetit, prej gjithsej 12 sa ishin, 4 deri në 6 ishin shqiptarë. Ai tha se historiografia serbe e mohon këtë pasi që nuk dëshiron t’i shohë shqiptarët si krijues të historisë mesjetare të Kosovës.
Sipas tij, këto dy tradita edhe pse lidhen për të njëjtën ngjarje historike, megjithatë ndryshojnë dukshëm nga njëra tjetra.
“Tradita shqiptare është thjesht folklorike, është gojore, i takon periudhës parakombëtare prandaj nuk ka premisa kombëtare nacionaliste, ndërsa tradita serbe nis në manastire nga kallogjerët, murgjit serbë, kalon në epikën gojore në gjysmën e parë të shekullit 19 dhe meqenëse është e periudhës së zgjimit kombëtar serb është e mbushur me frymën ekstreme antishqiptare nacionaliste dhe ekspansioniste”, tha Mehmeti.
Ai shtoi se sipas dëshmive historike, në traditën serbe Beteja e Kosovës dhe kulti i Knjaz Llazarit, gjegjësisht miti i Kosovës, për herë të parë përmenden në fund të shekullit 16, saktësisht më 1598 në një letër në të cilën një grup kallogjerësh serbë ia dërgojnë papës.
“Nga kjo kohë, gati dy shekuj nuk gjenden dëshmi të shkruara për Betejën e Kosovës. Vetëm nga gjysma e dytë e shekullit 18 dhe gjatë shekullit 19 miti i Kosovës, që rrejshëm e paraqet Kosovën si zemër të Serbisë, si tokë të shenjtë serbe, do të fillojë të kultivohet. Ky mit në bërthamën e vet fillestare nis në krijimtarinë legjendare krishtere në manastire nga qarqet udhëheqëse të kallogjerëve”, u shpreh Mehmeti. Ai theksoi se ndër manastiret më të njohura ku zu fill miti serb i Kosovës ishin Manastiri i Tronoshit në Hercegovinë, Manastiri i Shishatovcit në Srem, Mitropolia e Karllovcit e të tjera.
Pra, sipas tij, rrënjët e legjendës historike të mitit serb të Kosovës apo të dinastisë së Nemanjiqëve gjenetikisht nuk janë prodhim gojor, nuk janë prodhim folklorik por janë prodhim i qarqeve udhëheqëse të kallogjerëve nëpër manastire.
Mehmeti theksoi se fryma legjendare e Betejës së Kosovës e krijuar në librat në dorëshkrim në manastire në pjesën e parë të shekullit 19 do të hyjë në traditën epike gojore dhe do të zhvillohet paralelisht me krijimtarinë letrare serbe.
“Në etapën e dytë të zhvillimit të vet, miti i Kosovës që kishte origjinë kishtare ndërtohet dhe popullarizohet përmes modelit të epikës gojore dhe letërsisë së shkruar”, tha ai, duke shtuar se ishte Vuk Karagjiqi ai që mblodhi pjesën më të madhe të këngëve epike që i kushtohen kësaj beteje.