Serbi, arresohen 10 persona, shitën pronat e serbëve në Kosovë
Kanë shitur në mënyrë ilegale pronat e serbëve të Kosovës dhe janë vënë në pranga dhjetë shtetas serbë, mes të cilëve dy policë. Agjencia e lajmeve INA, bëri të ditur se sektori i kontrollit të brendshëm të policisë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB), ka arrestuar dhjetë persona të dyshuar se janë marrë me tregti ilegale të pronave të serbëve nga Kosova. Të arrestuarit janë marrë në pyetje në Gjykatën e rrethit të Kragujevcit. Ndër të arrestuarit nga Pozharevci, Beogradi, Gollubovici, Velika Gradishta dhe Smedereva, janë edhe dy policë aktivë të selisë së MPB-së të Serbisë. Ata akuzohen se keqpërdorimet i kanë kryer me dokumente false. Dyshohet se ata kanë marrë nga arkivi policor dokumentacion për serbët e shpëngulur nga Kosova, duke bërë dokumente false me fotografitë e tyre. Gjatë shitjes së pronave në Kosovë, ata janë paraqitur si pronarët e vërtetë duke përfituar një shumë prej rreth 100 000 eurosh. Sipas policisë serbe, mendohet se numri i të arrestuarve do të rritet pasi pritet të zbulohen edhe të tjera shitje ilegae të shtetasve serbë. Në maj të këtij viti në Serbi janë arrestuar edhe 12 persona të tjerë për të njëjtën vepër penale.
26 Shtator 2008