E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si u pasuruan deputetët e rinj të Kuvendit, shtëpitë dhe paratë

TIRANË- Deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë mund të kenë ardhur nga strukturat e partisë ose nga shoqëria civile por asnjë prej tyre nuk është i varfër. "Shekulli" publikon sot pasuritë e disa prej deputetëve të rinj ku evidentohet Gëzim Dibra me pesë shtëpi në pronësi ose Luçiano Boçi me tre.


Në pasuritë zyrtare të gjashtë politikanëve të rinj rezulton se ata kanë 13 shtëpi, pak më shumë se dy shtëpi për person. Mes tyre ndodhet edhe Flamur Noga, i cili i ka dhënë shtëpi vetes së tij duke qenë anëtar i Entit Kombëtar të Banesave.


Gëzim Dibra


Në bazë të deklarimit të parë të bërë në statusin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Gëzim Dibra i zgjedhur nën siglën e Partisë Demokratike në qarkun e Shkodrës, është pronar i një apartamenti me sipërfaqe 110 m² blerë në vitin 1995 kundrejt 300 mijë lekëve, dy shtëpive banimi nga dy kate secila dhe sipërfaqe 661 m² dhe vlerë 5.9 milionë lekë, një salle lodrash me sipërfaqe 72 m² dhe i një dyqani me sip 46 m². Të gjitha ndërtesat e mësipërme ndodhen në lagjen "Vasil Shanto" në qytetin e Shkodrës.


Po ashtu, Gëzim Dibra rezulton të jetë aksioner ose investitor në tre kompani private. Pas rivlerësimit të aksioneve në njërën prej këtyre kompanive, ato që janë në emër të deputetit kapin vlerën e 48 milionë lekëve.


Aktivitetin me këtë kompani deputeti Dibra e ka filluar që në vitin 1994 dhe ka investuar një shumë fillestare prej 25 mijë lekësh nga 100 mijë lekë që ishte investimi total i saj. Në kompaninë e dytë ai gëzon aksione me vlerë 500 mijë lekë, ndërsa rezulton të jetë investitor për ndërtimin e një pallati 9-katësh në qytetin e Shkodrës me një tjetër kompani.


Shuma që Dibra ka investuar në kompaninë e dytë ka qenë 50 mijë lekë nga 100 mijë që ishte kapitali i saj. Sot pas rikapitalizimit të aksioneve të saj ai është pronar i 30 për qind të aksioneve që në total kapin vlerën e 1.5 milionë lekëve.


Në emër të deputetit Dibra rezultojnë tre llogari bankare, të cilat pas tërheqjes së parave kanë një bilanc negativ me rreth 3 mijë euro.


Ndërsa, ai deklaron se nga aktiviteti i tij në sallën e lodrave të fatit dhe të ardhurat nga pjesëmarrja në një investim dhe ato nga paga ka arritur të mbledhë një shumë parash prej 11.2 milionë lekësh KESH.


Po ashtu, Dibra është pronar edhe i një sipërfaqeje toke prej 133 mijë metër katror (kullotë) buzë liqenit të Shkodrës të cilën deklaron se e ka trashëgimi nga familja.


Edhe bashkëshortja e tij punon në një nga kompanitë ku deputeti Dibra është aksioner. Në emër të saj ajo ka dy shtëpi banimi dhe një autoveturë. Shtëpia e parë dykatëshe ndodhet në Shkodër dhe është blerë 2 milionë lekë në vitin 2007.


Ndërsa shtëpia e dyte edhe kjo dykatëshe në proces legalizimi ndodhet në Velipojë dhe kap vlerën e 9.5 milionë lekëve. Automjeti tip "Renault" është blerë në vitin 2008 kundrejt vlerës 2.1 milionë lekë. Të gjitha këto, sipas deklarimit të bërë janë blerë me kursimet e familjes.


Ismail Hoxha


Deputeti i qarkut të Korçës i zgjedhur nën siglën e Partisë Demokratike është për herë të parë subjekt i deklarimit të pasurisë.


Në bazë të tij, Hoxha rezulton pronar i një apartamenti me sipërfaqe 150 m² dhe vlerë 5 milionë lekë në lagjen Jordan Misja Tiranë, një autoveture tip "Volkswagen" me vlerë 600 mijë lekë, i dy llogarive rrjedhëse dhe një depozite në disa banka tregtare në vend.


Po ashtu, në deklaratën e pasurisë Hoxha ka pasqyruar edhe të ardhurat e përfituara nga puna si pedagog në Universitetin Politeknik dhe të bashkëshortes së tij si mësuese në një shkollë nëntë vjeçare në Tiranë.


Shtëpinë Hoxha deklaron se e ka ndërtuar ndërmjet viteve 1991-1999 me të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes por edhe nga puna e kryer jashtë vendit. Po ashtu edhe makinën "Volkswagen" me vlerë 600 mijë lekë blerë në vitin 2005 ai deklaron se e ka siguruar me anë të të ardhurave familjare.


Në njërën nga llogaritë deri në ditën e deklarimit kanë qenë gjendje rreth 750 mijë lekë të akumuluara nga rroga si pedagog , ndërsa në llogarinë tjetër gjenden 200 mijë lekë, të ardhura nga paga e bashkëshortes.


Deri në datën e deklarimit të pasurisë, në emër të deputetit Ismail Hoxha nuk rezulton asnjë detyrim financiar si kredi apo borxh ndaj ndonjë banke apo individi.


Flamur Noka


Deputeti i qarkut të Kukësit, Flamur Noka, është pronar i një apartamenti me sipërfaqe 83.7 m² dhe vlerë 5 milionë lekë, një vendi parkimi 60 m² me vlerë 1 milion lekë, një autoveture tip "Benz 250" blerë në vitin 2005 me vlerë 7000 euro dhe një tjetër autoveture tip "Mitsubishi" dhuratë nga i vëllai.


Apartamentin Noka deklaron se e ka blerë me anë të një kredie prej 5 milionë lekësh të marrë nga Enti Kombëtar i Banesave në të cilin ka kryer edhe detyrën e anëtarit të Këshillit Drejtues.


Në momentin e deklarimit të pasurisë kjo kredi cilësohet e lëvruar totalisht. Gjatë ushtrimit të disa detyrave si, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, në Regjistrin Detar të Durrësit, të Ujësjellësit të Tiranës apo nga paga e tij si mjek në QSUT, gjatë muajve Janar-Shtator 2009 Noka ka mbledhur rreth 1.5 milionë lekë ta ardhura.


Ndërsa të ardhurat e bashkëshortes së tij si pedagoge në Fakultetin e Shkencave të natyrës, gjatë kësaj periudhe janë 79 mijë lekë.


Luçiano Boçi

Deputeti i qarkut të Elbasanit i zgjedhur nën siglën e Partisë Demokratike është pronar i dy apartamenteve banimi në Elbasan me sipërfaqe totale 160 m² dhe vlerë 7.5 milionë lekë, i një shtëpie në periferi të qytetit 500 metër katror, i një vend parkimi 39 m² me vlerë 1 milion lekë dhe i një depozite bankare 2 milionë lekë.


Po ashtu në deklarim janë pasqyruar edhe të ardhurat nga paga e tij dhe e bashkëshortes. Nga puna si zëvendës rektori i Universitetit Aleksandër Xhuvani në Elbasan dhe në poste të tjera në këtë Universitet, Boçi deklaron se ka pasur rreth 900 mijë lekë të ardhura vjetore.


Nga paga e bashkëshortes si mësuese ka përfituar rreth 160 mijë lekë, ndërsa ai ka përfituar edhe 11 mijë euro te tjera
nga shitja e një makine tip "Benz".


Njërin nga apartamentet Boçi deklaron se e ka blerë me të ardhurat nga paga në Universitet dhe nga një biznes i cili ka ushtruar aktivitet gjatë viteve 1992-1997. Apartamentin tjetër dhe shtëpinë me sipërfaqe 500 m²në periferi të Elbasanit ai deklaron se e ka të trashëguar nga familja.

Nasip Naço


Deputeti i Nasip Naço i zgjedhur nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim është pronar i një apartamenti në Tiranë, një automjeti, i një depozite 3.3 milionë lekë dhe i një kredie 5 milionë lekë marrë në një bankë tregtare në vend.


Ky është deklarimi i parë që Nasip Naço ka bërë në statusin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Para së të zgjidhej i tillë ai ka kryer detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Durrësit.


Në deklarimin bërë nën statusin e deputetit, Naço thekson se shtëpinë e banimit me sipërfaqe 170 m² dhe vlerë 6.5 milionë lekë e ka blerë në vitin 1999 me anë të një kredie 5 milionë lekë, me normë interesi 3 për qind dhe afat maturimi 25 vjet.


Pjesën tjetër prej 1.5 milionë lekësh ai deklaron se e ka siguruar nga kursimet familjare. Që nga viti i marrjes së kredisë deri një muaj më parë deputeti Naço ka vazhduar së shlyeri atë duke paguar këste mujore nga 23.700 lekë.


Nisur nga kjo, deri në shlyerjen e plotë të kredisë bashkë me interesat deputetit Naço i kanë mbetur për të paguar edhe 3.4 milionë lekë.
Po ashtu, në emër të bashkëshortes së tij figuron edhe një automjet tip "Benz" me vlerë 500 mijë lekë të blerë në vitin 2007 i cili deklarohet se është blerë me të ardhurat e kësaj të fundit.


Shuma prej 3.3 milionë lekësh të cilën Naço deklaron se ka akumuluar nga kursimet familjare ndahet në 300 mijë lekë, të depozituara në bankë, plus 3 milionë të cilat deklaron se i ka në gjendje KESH. Po ashtu, në emër të bashkëshortes së tij figuron edhe një llogari rrjedhëse prej 500 eurosh në një bankë tregtare.


Nga puna si specialiste në Drejtorinë Rajonale të Punësimit në Tiranë në muajt janar-shtator 2009, bashkëshortja e deputeti Naço ka përfituar një pagë prej 116 mijë lekësh.


Paulina Hoti


Deputetja e Paulina Hoti, e zgjedhur në qarkun e Lezhës nën siglën e Partisë Demokratike, në deklarimin e bërë ka pasqyruar vetëm të ardhurat nga ushtrimi i profesionit të saj si pedagoge në Universitetin e Barit dhe në atë të Shkodrës.


Nga bashkëpunimi për kryerjen e një projekti, me të parin ajo ka përfituar rreth 1500 euro nga totali i tij 8 mijë euro. Ndërsa nga puna si pedagoge në Universitetin e Shkodrës ajo ka përfituar rreth 850 mijë lekë të ardhura.


Deputetët e rinj të PS nuk deklarojnë pasurinë


Mosmarrja zyrtarisht e mandateve nuk i bën detyrimisht subjekte të deklarimit të pasurisë deputetët e rinj të Partisë Socialiste.


Nisur nga kjo emrat e tyre mungojnë në dosjet e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive. Sipas burimeve zyrtare të ILDKP-së, deputetët e zgjedhur për herë të parë nën siglën e PS-së nuk janë subjekt i deklarimit të pasurisë dhe nuk kanë penalitete përderisa nuk janë betuar në Kuvend dhe nuk kanë marrë mandatin e deputetit. Sipas ligjit, deputetët duhet të bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre brenda 30 ditëve pas marrjes së detyrës.


Por duke qenë se deputetët socialistë nuk kanë njohur Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit dhe nuk janë betuar në të, mandati i tyre ka mbetur pezull.


Në momentin që ata do të bëjnë betimin që u jep automatikisht edhe mandatin, u lind detyrimi për të bërë deklarimin e pasurisë.


"Asnjë nga deputetët e rinj të PS-së nuk është subjekt i deklarimit të pasurisë për faktin se ata nuk kanë marrë ende mandatin",- thanë burimet zyrtare të ILDKP-së



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›