Tuneli, Rama: Berisha të thirret në Prokurori
Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka reaguar dje ndaj shembjes së tunelit Thirrë - Kalimash dhe mungesës së transparencës për këtë çështje
"Prokuroria të hetoje ngjarjen në tunelin e Kalimashit dhe ta rishohë dosjen e famshme të ministrit Basha"
TIRANË- Kryeministri i vendit, Sali Berisha, duhet të japë llogari në prokurori për nxitimin elektoral të punimeve në tunelin e Kalimashit. Pas shembjes se një pjese të tunelit
Thirrë - Kalimash, që u bë publike vetëm përmes medias, Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje përmes një konference për shtyp se, qeveria nuk tha asnjë fjalë edhe pse bëhet fjalë për investimin më të madh publik të popullit shqiptar në të gjitha vitet e tranzicionit.
"Në fakt rruga u hap për disa kohë bashkë me tunelin, pastaj tuneli filloi nga një rikonstruksion në pjesën e poshtme, që nisi të shfaqte probleme të ndjeshme, derisa u mbyll fare pas lajmit të shembjes.
Qeveria heshti, Ministria e Punëve Publike po ashtu. Heshti edhe Kryeministri - njeriu që në fakt sot duhet të thirret i pari në prokurori për të dhënë llogari për nxitimin e papërgjegjshëm të punimeve thjesht e vetëm për inaugurimet e tij abuzive elektorale, Sali Berisha.
Pasi për dy ditë me radhë, Partia Socialiste kërkoi publikisht zbardhjen e asaj çfarë ka ndodhur brenda në tunelin e Kalimashit, ku nuk lejohen të hyjnë mediat, qeveria u mjaftua me një deklaratë aspak transparente, ku megjithatë pranon se ka një shembje, edhe pse njeriu tjetër që duhet thirrur në prokurori për të dhënë llogari për menaxhimin skandaloz të këtij investimi madhor të popullit shqiptar, pra ministri i transporteve, e quan shembjen në veprën më të madhe e më delikate publike të vendit, një normalitet në punë e sipër",- tha dje Rama, duke shtuar se ky nuk është një normalitet në punë e sipër, por, sipas tij, përshkallëzimi dramatik i një krimi të mirëfilltë ekonomik si pasojë e shpërdorimit të detyrës, për qëllime korruptive.
Rama i ka kërkuar kryeministrit Berisha që të mos bllokojë informacionin lidhur me shembjen në Tunelin e Kalimashit. Kryetari i PS-së solli edhe shembuj të tjerë të heshtjes së kryeministrit, siç ishte rasti i dhunimit të gazetarit Mero Baze, apo edhe greva disa ditore e urisë e ish-të përndjekurve politike.
"Partia Socialiste i kërkon publikisht Prokurorisë të hetoje ngjarjen e ndodhur në tunelin e Kalimashit dhe ta rishohë dosjen e famshme të ministrit të punëve të brendshme të familjes në pushtet, duke i shtuar abuzimeve të deritanishme, edhe abuzimin e ri që solli shembjen e tunelit.
Të kërkojë sërish heqjen e imunitetit të këtij personi të zhytur kokë e këmbë në korrupsion, si edhe të thërrasë Sali Berishën për të dhënë shpjegimet e tij, së bashku me ministrin aktual të punëve publike që vazhdoi në gjurmët e paraardhësit, atij të punëve të brendshme të Familjes në pushtet",- tha ai. Për të gjitha sa më sipër, Rama theksoi se opozita do të protestojë më 20 Nëntor në Tiranë.
"Në 20 Nëntor, në Tiranë, ne do te mblidhemi edhe për të gjitha këto arsye dhe për të gjitha ato arsye të tjera, që do të dalin në pah ditë pas dite, sepse ditë pas dite infeksioni i krijuar në 4 vitet e qeverisjes së Sali Berishës do të shkoj duke u shfaqur në sipërfaqen e vendit dhe të punëve të vendit",- tha Rama.
Deklarata e Ramës, MPPTT: E kemi bërë transparencën
TIRANË- Ministri i Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, reagoi dje ndaj deklaratës së kryetarit të opozitës, Edi Rama, lidhur me tunelin Thirrë-Kalimash. "Ndaj ngjarjes, qeveria përmes MPPTT ka mbajtur standardet më të larta të transparencës.
Në deklaratën që kam bërë përpara jush më 09.10.2009, pra ekzaktësisht një muaj më parë, ju kam njoftuar se: 'Tuneli do të mbyllet me qëllim që t'i jepet mundësi kompanisë ndërtuese të përfundojë instalimin e pajisjeve elektromekanike, të domosdoshme për funksionimin e tij, si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël, një situate kjo e paparashikuar, për të cilën kontraktori po punon në vijimësi'.
Pra, e kemi bërë transparent problemin",- tha dje Olldashi, duke shtuar se kjo ministri ka ndjekur të njëjtat standarde edhe ndaj rrëshqitjes së datës 5 Nëntor. "Tuneli do të hapet vetëm kur të përfundojnë punimet e sigurisë dhe të elektromekanikës dhe unë do ju ftoj ju që atë ditë t'i kërkoni Edi Ramës që të ripërtypë atë që po nxjerr nga goja sot",- tha ai.