Si u transformuan disa femra Vip
blerand rexhepi
Transformimet që të njohurit tanë i realizojnë nëpër periudha të ndryshme, e shtojnë më shumë kureshtjen e publikut. Pamja e njëjtë bëhet demode për fansat, ndërsa një ndryshim i vogël sjell freski në ekran. Që të duken më bukur, ata eksperimentojnë në shumë aspekte. Zgjatimi apo prerja e flokëve, ngjyrosja ose stilimet ekstreme, janë pjesë e këtyre eksperimenteve. Arta Prekazi dhe Sellma Kasumoviç janë disa nga grimeret më të preferuara për momentin në Kosovë. Këtë radhë kemi vendosur të prezentojmë disa femra të ekranit që u shkon për mrekulli ndryshimi…
Mihrije Braha, femra e ekstremeve
Vitet kalojnë, kurse ajo duket shumë e re në moshë. Ka realizuar shumë këngë deri më tani, por nuk njihet për ndonjë “hit” të veçantë. E vetmja “armë” që e ka mbajtur gjallë gjithë këto vite në skenë është pamja e saj mahnitëse. është përballur me mediat për thashetheme të ndryshme, por martesa me këngëtarin Naim Abazin nuk ka pasur luhatje. Nga kjo martesë, këngëtarja ka një djalë ndërsa nuk planifikon zgjerimin e familjes. Për momentin, Mihrija është e angazhuar edhe në rolin e moderatores në një emision argëtues tek “Boom Tv”, televizion i ri në Kosovë. Fotoja të cilën po prezantojmë është realizuar te studio “Arta & Kaci”, dhe ky transformim i këngëtares i shkon për mrekulli. Gjatë këtyre viteve karrierë, Mihrija ka eksperimentuar me lukun e saj duke ngjyrosur flokët dhe duke ndryshuar krehjen në shumë stile. Fansat komentojnë për këto ndryshime duke pohuar se Mihrijes i shkon gjithçka për mrekulli…
Agnesa Vuthaj, provon si zezake
Një topmodele e transformuar në nuse e më vonë edhe në femër me ngjyrë. Kështu është paraqitur bukuroshja kosovare Agnesa Vuthaj, pas ndërhyrjes së stilistëve në një studio ondulimi në Prishtinë. Kanë kaluar disa vite që kur është zgjedhur “Miss Kosova” dhe “Miss Albania”, por edhe sot e kësaj dite po u fut në konkurrim sigurisht që nuk del pa ndonjë çmim. Ruan me shumë kujdes linjat e saj trupore, tregon se nuk është e dashuruar pasi princi i saj akoma nuk është paraqitur, por pak kush beson që një bukuroshe si Agnesa mos ketë të dashur. Para pak kohe pas një emisioni televiziv filluan thashethemet se ajo është në lidhje me bokserin Elvir Muriqi, por më vonë Vuthaj mohoi gjithçka. Pas pjesëmarrjeve nëpër evenimente të ndryshme bukurie, ajo tani merret me organizimin e tyre duke dërguar bukuroshet shqiptare nëpër spektakle të bukurisë në botë. Për momentin Agnesa është e angazhuar si moderatore në emisionin për talentë të rinj “Talent X”, që trasmetohet në “Koha Vizion”.
Hana Shehu, e preferuara e stilistëve
E re dhe shumë bukuroshe. Gazetarja e përkohshme e Radio Televizionit të Kosovës, e cila u bë e njohur falë lidhjes me rep këngëtarin Getoar Selimi, ka qenë gjithmonë e pranishme në shtypin rozë. Asnjëherë nuk është prononcuar gjatë gjithë kohës sa zgjati romanca me Getin, por bukuria Hanës i ka hapur shumë dyer. Sallonet e bukurisë në Prishtinë e kanë shfrytëzuar pamjen e saj për eksperimentime të ndryshme që nga flokët, grimi e shumë gjëra të ngjashme. Gjithashtu, Hana ka pozuar për fotografë të ndryshëm kosovarë, duke u bërë pjesë e Vip-ave të famshëm dhe duke zënë vend të rëndësishëm në jetën publike. Ndryshimin nga brune në bjonde te Hana e ka pasur në dorë, grimerja Sellma.
Jehona Sopi, gjithmonë me stil unik
Këngëtare e veçantë, si në stil, në muzikë dhe në paraqitjet e saj. Veshjet e Jehona Sopit gjithmonë kanë qenë unike. Jo shumë aktive në skenën muzikore, pasi paraqitet në raste të rralla dhe aty ku ia vlen. Nuk dëshiron ekspozimin nëpër media pa nevojë, por mediat gjithmonë interesohen për karrierën, të rejat dhe jetën private të këngëtares. Transformimin e ka provuar edhe Jehona. Stili dhe ngjyra e flokëve të saj kanë ndryshuar disa herë, nga brune në bjonde të theksuar. Këtë radhë këngëtarja me ndihmën e stilistes Arta Prekazi ka bërë ndryshimin e flokëve, duke u shfaqur si bjonde. Grimi “ekstrem” ia ka shtuar akoma më shumë bukurinë.