Dhimitër Shuteriqi - Letra dashurie nga Moska
Ani Jaupaj
Banesën e një gruaje të moshuar e parafytyron të qetë. Sikur i imagjinon avujt e çajit që dalin nga çajniku mbi tryezë. Fare pranë, biskotat.. Të zonjën e shtëpisë që fjaloset me mikeshën e radhës, që ka ardhur për ta vizituar. Asgjë nga këto!
Muret e korridorit të gjatë, që të shpinin në dhomën më të ngrohtë të shtëpisë, ku preferonte të rrinte Mynever Shyteriqi, ishin të mbushur me skica e portrete të vizatuara nga i shoqi, Dhimitiri. Në krye të të gjithave, fare pranë hyrjes së dhomës ku po hynim, ishte i saji. Kushedi sa herë e sa gjatë ndalonte për ta parë gjatë ditës. Fundja, ashtu siç bën me të gjitha gjërat që i ka lënë i shoqi. U kthehet e u rikthehet qindra herë. Në tryezën që me të hyrë do ta kuptonim që ishte e punës, nuk kishte asnjë gjurmë çaji. Mbi 10 libra të renditur mirë, gazeta, dosja e punës që aktualisht kishte në dorë, stilolapsi, disa fletë të zverdhura nga koha e disa të tjera të sapo printuara. Në krah, syzet optike që viheshin e hiqeshin vazhdimisht për shkak të lodhjes së syve.
Ndriçimi jo shumë i fortë nuk ishte në favor të saj, megjithatë ia dilte t’i shihte një e nga një shkronjat që duhet të kontrollonte në dokumente.
Aktualisht, materiali që ka në dorë zonja Shuteriqi, është ‘Provë e një fjalori parabuzukjan të shqipes’. Mjafton t’i dëgjosh emrin për t’iu frikuar punës studimore që kërkon një material i tillë. Nuk është që Myneveri po merret me këtë, edhe të donte nuk do të dinte, as i njeh e as përpiqet t’i deshifrojë kodet e emrat që fshihen pas fjalëve. Bën vetëm punën krahasimore mes materialit origjinal dhe atij të shtypur në kompjuter. Në këtë rast po që është e zonja të mos i shpëtojë asgjë. Sa orë të ditës është në gjendje një grua në moshën e saj ta këtë punë ‘me lupë’? Sa të mundet. Pasditeve të gjata, ndodh të harrohet aq sa të mos e vë asfare re që darka ka kaluar me kohë e po i afrohet mesnatës. I duhet që tani, në këtë moshë, të përballojë një ritëm jetese që as më parë nuk e pat provuar. E ndihmojnë padyshim edhe fëmijët, por duket sikur merakun për përpikmëri Myneveri ta ketë më të theksuar.
Nga fjalosjet me mikeshat, çka pritej si dukuria më e zakonshme e moshës së saj, së pari nuk u pikas asgjë. Por në fakt nuk kishte si të mos fshihej një çlodhje e tillë.
“Dal si jo, kam shumë mikesha, por nuk para rrimë në shtëpi, preferojmë më shumë të pimë një kafe jashtë, edhe sepse unë duke u marrë gjithë ditën me punë, ndihem e lodhur për ta kaluar edhe pjesën e lirë të ditës e mbyllur”.
Kohë të lirë nuk ka asnjëherë me pashë, për tu shtruar mirë, qysh kur....
...Largimi nga jeta i Dhimitër Shuteriqit, e futi Myneverin në një hapësirë të panjohur më parë. Të gjitha sendet, të gjitha lëvizjet në shtëpi, lidheshin vetëm me të. Po i dukeshin thuajse të papërballueshme këto ndjesi mbytëse malli, nevoje. E nisi së pari si shkarkim, hidhte në letër gjithë çka i vinte ndërmend. Ishte ky proces si të komunikonte me të, i dukej sikur e kishte ende afër. Në një qoshe të shtëpisë, darkave, shkruante pa u ndier kujtimet që e kaplonin gjatë ditës. Sa herë që fëmijët e pyesnin se ç’ishte duke bërë, nuk merrnin përgjigje. E justifikuan në heshtje, por as kurioziteti nuk i linte indiferentë. Rrëmuan në letrat e fshehta të së ëmës, të bindur se gjithë ato kujtime, mund të përmblidheshin në librin e radhës. Vetëm se tani, ndryshe nga ç’ishin mësuar gjithnjë, libri nuk do mbante emrin e të atit. “Një jetë me dashuri”, ishte si një ritakim i të gjithëve, nipërve e mbesave, me jetën e gjyshit dhe gjyshes.
Ishte pas kësaj që Myneveri i hyri zhbirilimit të veprës së Dhimitër Shuteriqit. Disa prej tyre i di gati përmendësh. Duke i lexuar vazhdimisht, e ndjen veten sikur e ka të shoqin pranë edhe pse kjo nuk ishte e vetmja arsye që i hyri një pune që as e kishte imagjinuar më parë. “Tani që e shoh se ç’mund e përqendrim kërkojnë, më vjen keq që nuk e kam ndihmuar tim shoq kur ka pasur nevojë. Po edhe ai, duke e ditur këtë lodhje, asnjëherë nuk më ka përfshirë”. Qëllimi kryesor i Myneverit është të botojë a ribotojë të gjitha ato vepra që do të donte i shoqi, nëse do ishte gjallë. Disa prej tyre tashmë i ka realizuar. Botoi veprën “Moti i madh”, romanin “Sytë e Simonitës”, pret të dalë nga botimi “Arianitët”.
Po a mundet një grua, pavarësisht peshës së viteve, pasi ka kaluar 60 vite me një burrë, të kujtojë prej tij vetëm veprat me karakter studimor. Natyrisht që ajo ishte vetë puna e jeta e tij, megjithatë, përpos tyre, të tjera kujtime grishin kujtesën e rrudhave të ballit, duarve që dridhen dukshëm sa herë merr në dorë ato vepra që i kushtohen vetëm asaj.
Një dosje e mbyllur me kujdes, që po me kaq kujdes ruhet në një sirtar të padukshëm të bibliotekës së Dhimtirit, e që Myneverit i duhet pak kohë të shkojë ta marrë e ta nxjerr, sepse është ajo më e fshehta, vetëm e saja. Pasi ka mbyllur 4 herë derën e bibliotekës, që ndodhet jashtë hyrjes së apartamentit e pasi është siguruar që e ka mbyllur mirë, rikthehet me fletushkat verdhacuke që i kanë munduar vitet, për t’i hapur një e nga një. I ka në variantin origjinal dhe të rishtypura rishtas. është një tufë letrash e kartolinash me pamje nga Moska, Kina, çekia, Franca, gjithë vendeve prej të cilave i vinin radhët e shkruara, të vetmet që mund tu shuanin, të dyve, sadopak, mallin e largësisë. Edhe tani, pasi i ka lexuar qindra herë, sërish e humb mendjen nëpër radhët e tyre, aq sa vonon të përgjigjet. E parë ftohtë, së largu, duket gati e pabesueshme se sa mund të emocionojnë ato rreshta shkruar (pa) kujdesshëm. Tani që zëri apo vendndodhja e cilitdo është vetëm një telefonatë, apo mesazh larg, e që letrat e gjata të dashurisë, shkruar me dorë, janë gjëja e fundit që mund të nëpërmenden në çift (nesër do jetë në zyrë, mund të hapë mailin!), duket sikur rëndësia e tyre zhvlerësohet. Por nga ana tjetër ka fare pak gjasa të jetë kështu. Përderisa të gjithë vazhdojnë të ngrenë veshët e të kuriozohen për fjalët, mënyrën e të shprehurit, që pavarësisht ndjenjave, janë nga dora e një shkrimtari, do të thotë që vlera, përkundrazi, u është shtuar. ç’i thonte së shoqes një shkrimtar 50 a më shumë vite më parë?! Harrohej marramendjeve të botës apo kujtohej edhe për ç’kishte lënë pas? A ishin ato letra formale për të mësuar mbi shëndetin e së shoqes e fëmijëve, apo shkonin përtej kësaj? Mynever Shuteriqi boton për të parën herë gjithë fjalët e ëmbla që i shoqi i ka pas dërguar. Më shumë se atëherë, duket sikur po i shijon tani që e di mirë se udhëtimi i tij i fundit nuk ka më kthim pas.
Bashkëjetesa e tyre ka qenë shumë e shumë herë e ndarë nga distancat. Merret me mend që pusullat nuk janë të pakta. Jo pa vështirësi Myneveri boton vetëm dy a tre prej tyre, duke e larguar gjithnjë e më shumë idenë që pati dikur për t’i botuar të gjitha.
Ja çi shkruan shkrimtari hollakes së tij...
.....kujtimi për ty më fut në një farë depresioni fizik, në njëfarë ethesh, të cilat si dhe alkooli, çaji po ndonjë eksitant tjetër, e mbajnë gjallë organizmin. Kjo mbase nuk do të pëlqejë se mund të thuash : “U dashka të jetë larg meje që të shkruajë!?”
Jo xhan! Edhe pranë teje! Por edhe larg teje!
Tjetër s’kam. Puthi fëmijët fort e fort për mua. më puth edhe mua ashtu si di ti. Sa për mua, unë të shtrëngoj në gji me tërë zjarrin tim prej tët shoqi, që të do pa masë e që dy ditë pa ty nuk e di si bën. Edhe njëherë të puth – i tëri tundi!
Dhimitri
Tiranë, 14/9/1947
Fort e dashur Mynever
Letrën tënde që mora njëdizaj nga nuk e di se cili, nuk më pëlqeu, ishte shumë e zezë. Si koha që paska bërë ato ditë në Pogradec, po ajo e djeshmja që mora me korenspondentin e ATSh- ish e kundërta. S’është mirë kjo xhan. Ti mërzitesh se nuk sheh ende ndonjë efekt po Pogradeci s’është një vend ku mund të përfitosh shpejt, këtë ta kisha thënë përpara se të niseshe. Efektin e madh të këtyre pushimeve do ta ndjesh në dimër. Pa tjetër kur të vish në Tiranë, nuk duhet të hash në shtëpi. Prandaj kujdes! Kur të kthehem nga Moska do të të gjej siç të nisa për Pogradec, ke të bësh me prokurorinë e shtetit – të ndava! Dhe do të jetë për ty një dubël mallkim i madh e mjerim, një herë se s’të merr njeri, pastaj se, sa qemë bashkë unë qesh një rreckaman dhe tani që u bëra elegant – të ndava! Prandaj kujdes të madh!
Sot, dje, pardje, plasa të gjej një makinë për Elbasan, e pamundur. Ti me ato letrat e tua më ndeze keq për time bijë. Po ta dish se mallin më të madh e kam për ty, je e pazëvendësueshme. Se di ç’mall kam, prandaj këmbët nuk më shpien asnjëherë në prokurori, dhe sa një cironkë të bëhesh, jo që ti do kthehesh si atëherë kur ishim në Strestan, si vajza e hijshme e kasolles që u bë gruaja e burrit pa të keq. Ti kushedi ç’plane bën për takimin tonë të bujshëm nga fundi i tetorit.
Po edhe unë kam bërë plane që ua kalojnë atyre të tuave. Dhe kur i përbluaj mendja më vete te ato të mira që kemi. Prandaj plane shumë mos bëj se bëj unë për të dy ne të më besosh. Rrobat e reja, i mora i vesha dhe ...i grisa. Jo shumë, po sa për me shëndet. Kam ndërruar lëkurë dhe instinktivisht do më njohësh, se më ke burrë, përndryshe hiç. Sa për kapelën, ajo sikur më shëmton një çikë. Po nuk do ta vë rëndom, vetëm në bëftë ftohtë. Datën e nisjes tamam e kemi të mërkurën, 17. Do na zërë dimri atje.
Tjetër s’kam e dashur grua. Vetëm : që të dua tepër. Kjo ty të pëlqen po mua më martirizon këto dy javë që s’të kam. Ti thua se mot nuk më ndahesh. Po hesapin e ke bërë pa mua se unë nuk të lëshoj! Mot do t’i marrim pushimet bashkë dhe do të shtojmë në peshë (për të cilën të dy kemi nevojë) proporcionalisht. Ti do të masësh qafën time dhe unë belin tënd – atë bel! Dhe do të dua të rëndohesh sa mos të të mbaj dot në krahë moj pendë! Ndofta kjo është letra e fundit që të shkruaj para se të nisem. Së andejmi po munda do të shkruaj. Tani për tani lërmë të të përqafoj e të të shtrëngoj fort në krahët e mija, pa frikë se mos të të marr firomën se na ndajnë 100 km larg. Po ti di t’i ndjesh të puthurat e mija të nxehta, të puthurat e burrit që (mos harro!) të ka gëzimin e madh të jetës së tij. Të puth me mall pra,
Dhimitri yt!
9/9/1947
E dashur Mynever
Po na harrove moj cucë! U bënë ca ditë që s’kemi marrë gjë nga ti. Merak s’jam bërë se e di që s’të gjen gjë. Gjoli nga një kurban përvit e do dhe sipas informatave të sigurta nga ATSH sivjet ende nuk e ka patur. Prandaj dhe xheku bëhem merak për ty- se gjene më dhimbsesh- të dua shumë moj shejtan!
Unë jam në sulm gjithmonë- sidomos tani me provimet e sesionit special të gushtit të cilat mbaruan me sukses të mirë fort (72% fituan). Po më ka marrë malli për ty moj xhan! Duhet të më merrte për time bijë, që e kam nga fara ime- dhe më merr për ty, të bijën e Vesef Ficos, nga Gjirokastra! Po e di sa më ka marrë malli? Sa po më mbushej mendja sot të gjendem atje pa pritur e pa kujtuar e të kthehem nga e shtuna. Sidoqoftë kjo s’bëhet se punët s’lihen. As në Elbasan s’vete dot të shoh çupçn e babën. Shumë përgatitje duhet të bëj përpara se të nisem.
Kam harxhuar deri tani 11 mijë lekë. Pallto të madhe, kostum, këpucë kualiteti siç i ke merak ti, kapelë (borsalinë)! Mungon bastuni, këmishë nuk gjej të mira hiç e më duhet të shkoj me ato që kam dhe do të ta lë bonon të mi blesh ti po gjete. Tërë këto para xhan i kemi borxh- po shëndet të kemi. Për 10 muaj i lajmë të 10 mijët që morra nga shteti. Mos kurse për asgjë- të hash në restorant- doemos!- kur të kthehesh sepse në shtëpi nuk ka kushte. Unë po nisem për një muaj po mos më prit përpara 1 muaji e gjysmë që mos them më shumë. Puna është e madhe e do kohë. Po s’mora letër këto ditë të mori dreqi, as për të të kujtuar s’kam atje në Moskë. Për tjetër gjë mos ki frikë, nuk do të kem të mendoj as për tjetër gjë e as për ty. Vetëm...kush dreqin e bën sebep! Po s’do të jetë mëkat. Po qesh me ty xhan se të dua shumë e pa ty s’bëj dot! Mendoj kur të plakem e ti të jesh e re, kur të kem nevojë për ty shumë, a do të të kem si sot. Po ti më do shumë e do të kem gjithmonë pranë.
Të puth fort e fort – dhe do të donja.... po je në Pogradec. Hap sytë mos mbytesh e më merr më qafë! Tëndi i tëri!
Dhimitri