E Shtunë, 31 Tetor 2026

OG: “Pasi bëra këngën me Seldin e BB3 e kuptova sa njeri fals është”



redona sadiku

Olger Xhepi, në art OG, është bërë i njohur për publikun vetëm pak kohë më parë me dy këngë, njërën të kënduar me Kastron dhe Ingridin dhe tjetrën me Seldin e “Big Brother” me titull “Si ty nuk ka”. Pasi ka bërë një shkëputje të gjatë rreth gjashtë vite nga Shqipëria sepse emigroi në Amerikë, vendosi të rikthehej dhe Amerikën ta gjejë pikërisht këtu në Shqipëri, në epokën e lulëzimit të rrymave R&B dhe Hip Hop që janë në stilin e tij. Tani që në kanalet muzikore këngët e tij transmetohen disa herë gjatë ditës, portreti i OG nuk është më i panjohur por kësaj here ne u bëmë kuriozë për të mësuar më shumë për marrëdhënien e tij me Seldin jashtë kamerave dhe ambienteve me drita dhe femra të bukura që ne shohim në klipin e tyre.
Geri si po ecën karriera jote në muzikë?
Mendoj që kam bërë një start të mirë. Muzika që unë këndoj është shumë e pëlqyer nga të rinjtë, klipet që janë në bashkëpunim me këngëtarë të tjerë më të njohur se unë, janë pritur shumë mirë, kam pasur kërkesa për të kënduar në clube nate. Jam i kënaqur.
Kush i kompozon këngët e tua?
Punoj me Kastron dhe jam i kënaqur nga bashkëpunimi me të. Ai është një krijues këngësh shumë i zoti, por dhe si këngëtar është po aq i suksesshëm.
Po bashkëpunimi me Seldin si lindi?
Seldin e njoh prej shumë vitesh tashmë. Jemi rritur në një lagje, pra praktikisht kemi kaluar fëmijërinë dhe adoleshencën bashkë. Kur u ktheva nga Amerika mësova që Seldi po merrej me muzikë dhe vendosëm të bënim këngën “Si ty nuk ka”.
Kur Seldi u fut në “Big Brother” mendove që në një farë mënyre kjo do të ishte diçka pozitive për ty, pasi personazhet aty fitojnë shumë popullaritet dhe ti do të fitoje më shumë vëmendje pasi ke kënduar me të?
Jo nuk e mendova pasi ndërkohë marrëdhëniet tona ishin prishur.
çfarë ndodhi?
Pashë që Seldi nuk ishte ai djali që unë kisha lënë para se të largohesha nga Shqipëria. Mesa duket njerëzit njihen më mirë në marrëdhënie pune. Aty del fytyra e tyre e vërtetë. Gjatë bashkëpunimit për këngën, kuptova që ishte njeri shumë fallco, mosmirënjohës, tamam me dy fytyra.
A mendon se mund të mos të besojnë me këto që po thua pasi Seldi tashmë ka fansat e tij falë edhe “Big Brother”. Pastaj ai ka një portret shumë fëminor dhe të pafajshëm, larg portretit që ju na përshkruat më lart?
E di që pamja e tij prej adoleshenti të përjetshëm të bën të mendosh që Seldi është një shenjtor, por në fakt nuk është kështu. Arritëm të zihemi për gjëra banale. Ai më thoshte që unë duhet t’i isha mirënjohës pasi më hapi dyert, më mashtronte për punë parash, gjëra për të cilat nuk kisha menduar ndonjëherë që mund të ishin të mjaftueshme për të krijuar një mosmarrëveshje, aq më shumë me një person me të cilin isha rritur.
Pra ju thoni se ne duhet të mos gënjehemi nga pafajësia që ai përshfaq?
Ai është thjesht një njeri fallco.
Ndërkohë emri i tij është lakuar shumë në media si një djalë që ka pasur shumë femra. Ti e njeh nga afër, ke ndenjur gjatë me të. çfarë di ti për jetën e tij private?
Nuk është e vërtetë ajo që thuhet për marrdhëniet e tij me femrat. Unë kam ndenjur gjatë edhe në shtëpinë e tij. Ai krijonte njohje me shumë femra, por nuk e di çfarë ndodhte por pas. Pasi takohej një ose dy herë, femrat i largoheshin. Ka mbetur një mister për mua pse ndodhte kjo duke patur parasysh se ishte djalë bukurosh në pamje.
Ti nuk e ke ndërmend që pas daljes së tij nga “Big Brother” ta rindërtosh edhe një herë marrdhnëien me të, mbase thjesht marrëdhënie pune?
Absolutisht jo, pas zhgënjimit të madh që pësova. Si në çdo aspekt tjetër të jetës edhe puna kërkon që të kesh pranë vetes njerëz me të cilët ndjehesh mirë, jo tipa si Seldi që ta fusin prapa krahëve. Unë jam nisur në rrugën time të muzikës i vetëm dhe pa shpresuar në përkrahjen e askujt, vetëm të talentit tim por dua ta bëj këtë me ndershmëri dhe pa cënuar askënd.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›