E Diel, 1 Nëntor 2026

Më pëlqejnë femrat rebele dhe konfliktuale



klotilda harka

Njihet si Eno i lagjes “Komuna e Parisit”, por emrin e vërtetë e ka Flori. Një 23-vjeçar krejtësisht origjinal, i lindur për të qenë Don Zhuan, dhe i hapur për martesë para të 30-ave. Në serialin e “Top Channel”, tenton të lidhet me një vajzë të urtë. Por në jetën reale i pëlqejnë lidhjet konfliktuale me vajza rebele. Gjithçka përtej personazhit të tij, miqësia me aktorët e tjerë, dhe jeta që bën në Tiranë, i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama plus”.
Në serialin “Komuna e Parisit” luan rolin e djalit të preferuar nga vajzat. Si ndodhi që u zgjodhe për këtë rol?
Isha me provime në Akademinë e Arteve, kur u shpallën audicionet për serialin ‘Komuna e Parisit”. Në fakt shkova i pashpresë, edhe pse regjisori i njohur Altin Basha e dinte kush isha unë dhe çfarë mund të arrija, për faktin se për katër vjet kishte qenë pedagogu im. Provuam disa herë, deri në momentin që na mori të gjashtëve në telefon dhe u takuam në mjediset e “Top Channel”, ku na u njoftuan rolet. Ishte gëzim i madh dhe surprizë për ne. Roli i Enos ishte menduar nga ata për mua, edhe pse unë kisha provuar për të dy personazhet e tjerë.
Thuhet se ti luan vetveten, në fakt kush është Flori dhe kush është Eno?
Nëse do të flisnim për të përbashkëtat e mia me Enon, do të thoja që unë realisht jam tip i paqëndrueshëm në raport me femrat. Mund të kem një lidhje dhe pastaj filloj them me vete; “jo nuk është kjo që dua”, pra më ndryshon mendja shpesh. Po kjo s’do të thotë që unë nuk di ta gjej të duhurën, pra mund ta gjej. Ndërsa Eno në raport me femrat është amator, i ka të gjitha me të dëgjuar nga shokët, ai nuk i ka eksperiencat që kam unë. është në moshën 20-23 vjeçare po aq sa dhe unë, dhe mund të quhet një “pseudo Don Zhuan”. Përsa i përket jetës që bën, ai është një çun i llastuar i babait të pasur. Ndërsa unë kam jetuar vetëm në Tiranë nga viti i parë i studimeve. Familja ime, dy prindërit dhe motra, 6 vite më e madhe se unë, jetojnë në Durrës, dhe unë e kam provuar sa e vështirë është të jetosh në Tiranë larg familjes.
Thua je tip i paqëndrueshëm me femrat. Për momentin je me dikë?
Po, po e kam gjetur dikë për momentin. (qesh)
Në seritë e para të serialit ndihej një lojë e ftohtë, çfarë njohjeje ke pasur me aktorët e tjerë?
Me katër aktorët e tjerë, përveç me aktoren nga Kosova që luan Xhinën, jemi njohur më parë. Ftohja që është ndier në pjesët e para të serialit, ka qenë dhe vështirësia jonë për t’u përshtatur. Në seritë e fundit u ndiemë më të çliruar.
Ke pasur propozime për role të tjera?
Po kemi tre muaj që po punojmë me një shfaqje me regjisorin Kiço Londo, “Playboy i trojeve tona”, në Teatrin e Metropolit, që pritet të vihet në skenë më 11 mars. Jam përballë një roli të vështirë, pasi luaj karakterin e një 60-vjeçari.
Fama të josh, apo të tremb?
Gjithkush e pëlqen famën, por ndodh që kur s’e ke lufton ta arrish, dhe kur e arrin bezdisesh. Kështu që unë kur ta kem do të të them çfarë do ndodhë…
Si ka ndryshuar jeta jote nga student, në aktor me diplomë?
Ka ndryshuar disi për mirë. Tani bëj një jetë më të organizuar, me shoqërinë e vjetër dhe më pëlqen Tirana. Ah dhe diçka, vazhdoj të jetoj në apartament me qira. (qesh)

S’do krijoja kurrë lidhje me një vajzë si Megi

çfarë ndodh mes teje dhe Megit në seritë në vazhdim?
Megi lidhet me Tonin, ja pra dy të urtit që tërheqin njëri-tjetrin.
Ti nuk i pëlqen vajzat e urta, të tërheqin rebelet?
Më pëlqejnë femrat rebele, në stil dhe në karakter. Nuk më pëlqejnë vajzat e urta që marrin urdhra apo u binden urdhrave. Më intrigon konflikti në një lidhje.
Atëherë në këtë rast e bën ti të urtin?
Thonë që dy të kundërta tërhiqen, por për mua dy eksktreme krijojnë më shumë emocion. Unë jam një tip kokëfortë, egoist, pra kam të gjitha të këqijat që mund të ketë një mashkull. E në momentin që kam pranë një femër me të gjitha tiparet që kam unë është më atraktive si lidhje.
Eksperiencat e tua me femrat janë shumë, apo pak?
Për moshën që kam janë mjaftueshëm shumë.
Je lënduar, apo ke lënduar?
Jam lënduar, por edhe kam lënduar.
Nga cilat tipa femrash e ke marrë lëndimin?
Nga ato që s’ta pret mendja. Preferoj më shumë një tip të sinqertë që ta thotë në fytyrë çfarë mendon, sesa tipin e fshehtë që t’i nxjerr të gjitha mbas ca kohësh.
Je një djalë që e mendon martesën, kur mund të ndodhë?
Tani afër s’bëhet fjalë sepse jam vetëm 23 vjeç, dhe pavarësisht dëshirës së prindërve të cilët e duan një nuse në shtëpi, më vjen keq por s’mundem. Besoj kur të jem 30 vjeç mund të bëj diçka e nëse nuk martohem në atë moshë, s’kam për ta bërë kurrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›