Dimri i gjatë, Veriu sërish i bllokuar nga bora
Një dimër i gjatë dhe me probleme të shumta duket se është ky i sivjetshmi. Reshje dëbore, bllokim rrugësh, përmbytje dhe rrëshqitje dheu është bilanci i dimrit të këtij viti.
Pas disa ditësh qetësi, Veriu i vendit është gdhirë sërish i mbuluar nga bora, si pasojë e së cilës janë bllokuar disa komuna e rrugë dhe në disa të është vështirësuar qarkullimi.
Situata
Situata më e rënduar vazhdon të jetë në veri dhe verilindje të vendit, ku në Dibër, Kukës, Mirditë dhe Pukë komunat e thella janë të izoluara nga bora. Sipas të dhënave të bëra të ditura nga Shtabi i Emergjencave mësohet se i gjithë qarku i Dibrës është i përfshirë nga bora, trashësia e së cilës arrin deri në 40 cm. Dy janë komunat e bllokuara në këtë qark, ajo e Lurës dhe Kalaja e Dodës, ndërsa në Selishtë janë të bllokuara disa fshatra. Raportohet se nuk ka problem në qarkullimin e mjeteve në aksin kombëtar Peshkopi-Burrel, ndërsa akset rurale kanë probleme. Aksi Peshkopi – Qafë-Buall kalimi bëhet vetëm me zinxhirë. Në qytetin e Bulqizës trashësia e borës arrin në 30 cm.
E njëjta situatë paraqitet dhe në rrethin e Pukës, ku zonat e thella malore janë më të prekurat nga reshjet e dëborës. Në Qafën e Malit trashësia e borës ka arritur në 25 cm dhe segmenti Qafë-Mali - Fierzë është i kalueshëm vetëm me zinxhirë. Me zinxhirë janë të kalueshme dhe akset Fushë-Arrëz - Kukës, Fushë-Arrëz - Mirditë, ndërsa kalohet me vështirësi aksi Lufë-Pukë. Bëhet e ditur se komunat Iballë dhe Bardhet janë të bllokuara nga bora.
Situatë më e stabilizuar paraqitet në qytetin e Kukësit, ku trashësia e borës nuk i kalon të 7 cm, por në zonat e thella malore bora arrin deri në 40 cm, duke bllokuar disa komuna.
Komunat Grykë Çaj, Arrën, Zapod, Topojan, Shishtavec, Umnisht, sipas Shtabit të Emergjencave, janë të bllokuara. Ndërsa në rrethin e Hasit të bllokuara janë komunat Golaj e Gjinaj.
Dy janë komunat e bllokuara në Tropojë; Markgegaj dhe Lekbibaj. Gjithashtu mësohet se në këtë zonë janë të kalueshme, por vetëm me zinxhirë, akset kombëtare Kukës-Peshkopi, Kukës-Shishtavec, Kukës-Bushtricë. Lëvizja në aksin nacional Kukës-Shënmri – Qafë-Shllak – Qafë-Mali është i vështirë për shkak të shtresave të akullit, trashësia e të cilit i kalon 30 cm.
Në rrethin e Mirditës bora ka izoluar komunat e thella, ndërsa brenda në qytet trashësia arrin në 5-10 cm. Mësohet se janë të bllokuara komuna e Fanit dhe Selitës. Ndërkohë që akset nacionale Kurbnesh-Lurë, Kurbnesh-Rrëshen, Rrëshen-Kukës, kalohen vetëm me zinxhirë, ndërsa te Ura e Fanit policia ka ngritur postbllok për të mos lejuar automjetet. Emergjencat Civile bëjnë të ditur se në komunën Orosh, dy fshatra rrezikohen për shkak të rrëshqitjes së dheut. Në fshatin Konaj, 3 banesa janë bërë të pabanueshme për shkak të rrëshqitjes së tokës dhe komisioni i emergjencave civile ka evakuuar banorët. Ndërsa në fshatin Blinisht rrëshqitja masive e tokës rrezikon 2 familje.
Komunat e bllokuara
Lura
Kalaja e Dodës
” ” Iballa
” ” Bardhet
” ” Grykë Çaj
” ” Arrën
” ” Zapod
” ” Topojan
” ” Shishtavec
” ” Umnisht
” ” Golaj
” ” Gjinaj
” ” Markgegaj
” ” Lekbibaj
” ” Fan
” ” Selisht
Parashikimi i motit
E diela do të nisë me kthjellime dhe vranësira në pjesën më të madhe të vendit, por vranësira më të dendura do të ketë në zonat jugore. Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me alternime kthjellimesh dhe vranësirash në veri dhe qendër, ndërsa zonat jugore-juglindore do të kenë reshje të dobëta shiu e dëbore. Të njëjtat kushte atmosferike do të na shoqërojnë edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në vlerat e mëngjesit, por mesdita do të sjellë rritje me 3-4 gradë të temperaturave në vend. Era do të fryjë mesatare në tokë dhe det pjesën e parë të ditës dhe më pas do të forcohet duke arritur shpejtësinë 50 km/h nga drejtim lindor-verilindor, ndërsa deti do të ketë dallgëzim 3 ballë.
8 Mars 2010